Postuar më: 10 Korrik 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Korrik 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Korrik 2019: 

 

V E N D I M
PËR

DHËNIE KONTRIBUTI FINANCIAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR KËSHILLIN KOMBËTAR SHQIPTAR NË SERBI, PËR VËNIEN NË FUNKSION TË QENDRËS KULTURORE (MULTIFUNKSIONALE) TË KËTIJ KËSHILLI NË KOMUNËN E BUJANOCIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e kontributit financiar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) euro, për vënien në funksion të Qendrës Kulturore (Multifunksionale) të këtij Këshilli në komunën e Bujanocit.
2. Efekti financiar, prej 25 000 (njëzet e pesë mijë) eurosh, të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2019, për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
3. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TЁ BIBLIOTEKËS KOMBЁTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 11, të nenit 27, të ligjit nr.8576, datë 3.2.2000, “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Persida Asllani, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, të lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

VENDOSJEN E MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMONUELTHIT TË BAHAMAS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komonuelthit të Bahamas.
2. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), BASHKISË TIRANË (AGJENCIA ZBATUESE E PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR SHËRBIMET E EKSPERTIT NDAJ AGJENCISË ZBATUESE TË PROJEKTIT, NË KUADËR TË PROJEKTIT TË TRANSPORTIT TË GJELBËR NË TIRANË, QË FINANCOHEN NGA NJË FOND I VEÇANTË I SIGURUAR NGA QEVERIA FEDERALE GJERMANE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), Bashkisë Tiranë (Agjencia zbatuese e projektit) dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për shërbimet e ekspertit ndaj agjencisë zbatuese të projektit, në kuadër të projektit të transportit të gjelbër në Tiranë, që financohen nga një fond i veçantë i siguruar nga qeveria Federale Gjermane, me një grant në shumën 1 670 000 (një milion e gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË,TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRI I SHTETIT PËR MARRËDHËNIET ME PARLAMENTIN, DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, TË PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM, QË VEPRON NËPËRMJET AMBASADËS ZVICERANE NË SHQIPËRI, DHE ORGANIZATËS PËR SIGURI DHE BASHKËPUNIM NË EVROPË (OSBE), NËPËRMJET PREZENCËS SË SAJ NË SHQIPËRI PËR MBËSHTETJEN NDAJ KUVENDIT DHE PROJEKTIN PËR EDUKIMIN QYTETAR (PACEP)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, dhe Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që vepron nëpërmjet Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), nëpërmjet prezencës së saj në Shqipëri për mbështetjen ndaj Kuvendit dhe projektin për edukimin qytetar (PACEP), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PROGRAMIN VJETOR KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË, PËR VITIN 2018, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA II)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë, për vitin 2018, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA II), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DHËNIE NDIHME FINANCIARE NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR KËSHILLIN KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI, PËR MBËSHTETJEN E FUNKSIONIMIT TË KËTIJ KËSHILLI DHE TË ZYRËS KOORDINUESE TË TIJ NË PLAVË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e ndihmës financiare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) euro, për mbështetjen e funksionimit të këtij këshilli dhe të zyrës koordinuese të tij në Plavë.
2. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Shpenzime diplomatike jashtë shtetit”, në zërin 605, “Kuota ndërkombëtare”, i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 25 000 (njëzet e pesë mijë) eurosh, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.
4. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.82, DATË 14.2.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGARKIMIN E AGJENCISË SË BLERJEVE TË PËRQENDRUARA PËR KRYERJEN E PROCEDURAVE TË PROKURIMIT PUBLIK, NË EMËR DHE PËR LLOGARI TË KRYEMINISTRISË, MINISTRIVE DHE INSTITUCIONEVE TË VARËSISË, PËR DISA MALLRA DHE SHËRBIME”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 2, të tekstit “Rregullat e prokurimit publik”, bashkëlidhur vendimit nr.914, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 3, e vendimit nr.82, datë 14.2.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet si më poshtë vijon:
“3. Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit, për nevojat e tyre, si dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera shtetërore të atashuar pranë tyre. Për këto kategori, procedurat për blerje automjetesh realizohen nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë të akredituara jashtë vendit, sipas rregullave të tyre të brendshme.”.
2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.295, DATË 10.5.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË DHE NË PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË OSE TRANSFERIMIN E STUDIMEVE NË VITET E NDËRMJETME TË KËTYRE PROGRAMEVE, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2019–2020”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 74, pika 1, e 76, pika 2, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shtojca 1, që i bashkëlidhet vendimit nr.295, datë 10.5.2019, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.16, DATË 16.1.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2019 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.16, datë 16.1.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 1, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet 1 806 punonjës.
b) Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, bëhen shtesat, me këtë përmbajtje:
i. Ndarja “Gr.30, Gjykata Kushtetuese” shtohet sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
ii. Në ndarjet “Gr.02, Kuvendi”; “Gr.05, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”; “Gr.06, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”; “Gr.10, Ministria e Financave dhe Ekonomisë”; “Gr.14, Ministria e Drejtësisë”; “Gr.26, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”; “Gr.29, Këshilli i Lartë Gjyqësor”; “Gr.87, Institucione të tjera qeveritare” dhe “Gr.95, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”, shtohen nënndarjet përkatëse sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve, kategorinë përkatëse të pagës dhe burimin e financimit të tyre.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.419, DATË 14.4.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E AFATEVE DHE TË SKEMËS SË SHPËRNDARJES SË FONDEVE TË DËMSHPËRBLIMIT PËR ISH-TË DËNUARIT POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, të nenit 32, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.419, datë 14.4.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i madh se 1 000 000 (një milion) lekë.”.
2. Pika 2 shfuqizohet.
3. Në pikën 4, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi i dytë, me këtë përmbajtje:
“Për të gjitha subjektet përfituese parësore, kur vlera totale e dëmshpërblimit është mbi 8 000 000 (tetë milionë) lekë vijohet me pagesën e këstit pasardhës deri në shpërndarjen e plotë të shumës së miratuar. Në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në 1 000 000 (një milion) lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit kryhet me një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit.”.
4. Paragrafi i fundit, i pikës 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Me kryerjen e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë përfituesit, brenda këstit më të ulët fillon pagesa e këstit pasardhës. Ky mekanizëm përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit.”.
5. Kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Financave”, “Ministri i Financave”, “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” zëvendësohen, përkatësisht, me fjalët “ministria përgjegjëse për financat”, “ministri përgjegjës për financat”, “ministria përgjegjëse për çështjet sociale”.
II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.607, DATË 27.10.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E MJEDISEVE TË NDËRTESËS “GODINA E INOVACIONIT” NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT (AKSHI)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.607, datë 27.10.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) dhe Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm t’u jepen në përdorim mjediset në katin e parë (1) të ndërtesës “Godina e inovacionit”, për ushtrimin e veprimtarisë së tyre administrative, sipas planimetrisë në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
b) Në pikën 3, fjalët “… deri më 30 qershor 2019 …” zëvendësohen me “… deri më 31 dhjetor 2019 …”.
2. Ngarkohen Kryeministria, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NЁ PARIM, TЁ PROTOKOLLIT TË MARRËVESHJES PËR TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR TË RASTIT TË UDHËTARËVE ME AUTOBUS (MARRËVESHJA INTERBUS), NË LIDHJE ME TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR TË RREGULLT DHE TË RREGULLT TË SPECIALIZUAR TË UDHËTARËVE ME AUTOBUS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, nё parim, tё protokollit të marrëveshjes për transportin ndërkombëtar të rastit të udhëtarëve me autobus (Marrëveshja Interbus), në lidhje me transportin ndërkombëtar të rregullt dhe të rregullt të specializuar të udhëtarëve me autobus, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PROCEDURAT NË LIDHJE ME GARANTIMIN E SIGURISË NË MJEDISET E GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 46, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e rregullave të hollësishme për procedurat në lidhje me garantimin e sigurisë në mjediset e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

I. OBJEKTI DHE FUSHA E ZBATIMIT

Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të hollësishme për procedurat në lidhje me garantimin e sigurisë së mjediseve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Këto rregulla nuk duhet të cenojnë veprimtarinë gjyqësore dhe administrative të institucioneve si dhe zhvillimin e proceseve gjyqësore, në mënyrë publike e transparente.

II. PËRKUFIZIME

Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:
1. “Personeli i sigurisë”, punonjësit e ngarkuar për të garantuar rendin dhe sigurinë në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët janë pjesë e shërbimit të vijueshëm të Policisë së Shtetit, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
2. “Institucion”, gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, sipas kuptimit të dhënë në ligjin nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
3. “Ambiente”, ambientet e brendshme të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe trualli funksional përreth, duke përfshirë edhe parkingun për automjetet.
4. “Kryetar”, kryetari i gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
5. “Siguria e godinës”, ndalimi i hyrjes së paligjshme, dëmtimi dhe kryerja e akteve të dhunshme ndaj ambienteve, sjellja e eksplozivëve, e armëve ose sendeve të tjera që mund të përdoren si armë, ose çdo aktiviteti tjetër të paligjshëm ndaj ambienteve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
6. “Sistemi i sigurisë”, sistemi ku ndodhen këto institucione, që përbëhet nga perimetri rrethues i godinës, deri ku shtrihet më tej ai i vëzhgimit apo kontrollit të autorizuar në rast nevoje të parandalimit të rrezikut, ai i sinjalizimit të hyrjeve të parregullta, metal-dedektorët, sistemi i kamera- vëzhgimit, ai elektronik i lejimit e kufizimit të aksesit në hyrjet e institucioneve, ruajtja e të dhënave të tyre, punonjësit e sigurisë.

III. RREGULLAT E SIGURISË

1. Hyrja në godinë:
a) Hyrjet kryesore të godinës mbikëqyren nga një ose disa punonjës të sigurisë.
b) Kryetari i institucionit përkatës autorizon personelin si dhe persona të tjerë, të hyjnë në ambientet e tyre, nëpërmjet një hyrjeje të veçantë.
c) Hyrja e veçantë, e parashikuar në shkronjën “b”, shërben edhe si dalje emergjence në rastet kur jepet urdhër për evakuim nga kryetari i institucionit përkatës.
2. Hyrja e automjeteve:
a) Hyrja e automjeteve në ambientet e institucioneve të përcaktuara sipas këtij vendimi realizohet përmes portave të veçanta për hyrjen e automjeteve.
b) Hyrja e automjeteve mbikëqyret me punonjës sigurie.
3. Siguria në godinën e institucionit:
a) Kryetari i institucionit përkatës, në bashkëpunim me titullarin e strukturës së policisë, përcakton rregulla të hollësishme lidhur me vendosjen e pajisjeve të nevojshme të sigurisë në hyrjen kryesore dhe në brendësi të godinës së institucionit përkatës, në varësi të shkallës së rrezikshmërisë të vlerësuar në vijimësi.
4. Rregullat bazë të sigurisë që duhet të përmbushen janë, si më poshtë vijon:
a) Pajisja me detektorë elektronikë, të cilët vendosen pranë hyrjes kryesore;
b) Vendosja e pajisjeve për fikjen e zjarrit;
c) Sinjalizimi i daljes së emergjencës;
ç) Harta e ambienteve të godinës së institucionit përkatës;
d) Pajisja me mjete të sigurisë (çelësa, karta apo mjete të tjera të kësaj natyre) e punonjësve të administratës së institucionit përkatës, me qëllim realizimin e hyrjes nëpërmjet hyrjes së veçantë të godinës së institucionit përkatës;
dh) Pajisja me sistemin e kamerave të vëzhgimit dhe atë elektronik të lejimit të hyrjes në godinë, si dhe në server të ruajtjes së këtyre të dhënave për një periudhë 6-mujore deri në 1 vit.
5. Informacioni i përmbledhur për rregullat bazë të sigurisë shpallet në një vend të dukshëm në ambientet hyrëse të institucionit përkatës.

IV. PERSONELI I SIGURISË

1. Personeli i sigurisë garanton rendin dhe sigurinë në:
a) hyrjet publike të institucionit përkatës;
b) portat për hyrjen e automjeteve dhe hapësirën e parkimit;
c) sallën e gjyqit, nëse i kërkohet nga kryetari i trupit gjykues. Në rastin kur ka të pandehur/të arrestuar është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ajo që bën shoqërimin dhe sigurimin e tyre;
ç) ambientet e tjera të brendshme të godinës së institucionit përkatës, të cilat përfshijnë kryesisht korridoret lidhëse pranë zyrave.
2. Personeli i sigurisë mund të kontrollojë hyrjen e godinës apo të kontrollojë automjetet dhe personat që dyshohen se përbëjnë rrezik për sigurinë e mjediseve, brenda një perimetri prej 5 metrash rreth godinës së gjykatës, duke nisur prej vijës së objektit.
3. Procedurat e verifikimit dhe të kontrollit të personave nga personeli i sigurisë janë, si më poshtë vijon:
a) Lejohet të verifikojnë identitetin e personave që hyjnë, qëndrojnë ose largohen nga ambientet e institucionit, nëpërmjet ekzaminimit të dokumenteve të identitetit të atij personi;
b) Në rast se personi që hyn nuk posedon dokument identifikimi, identifikimi i tyre mund të konfirmohet në një mënyrë tjetër të përshtatshme;
c) Në rast se identiteti i personit nuk mund të konfirmohet, personeli i sigurimit nuk lejon hyrjen në institucion;
ç) Kryen kontrollin fizik të personave që hyjnë, qëndrojnë ose largohen nga ambientet e institucionit, si dhe të sendeve që zotërojnë apo mbajnë me vete;
d) Ndarja në mes të atyre që përdorin hyrjen kryesore dhe atyre që përdorin hyrje tjetër do të bëhet në përputhje me rregullat e ligjit për protokollin e shtetit, për personat dhe personalitete që hyjnë në institucion pa kontroll fizik;
dh) Kontrolli sipas shkronjës “ç” mund të bëhet me këqyrje, përmes prekjes sipërfaqësore ose duke përdorur mjete të tjera të përshtatshme, të tilla si pasqyra ose detektorë;
e) Kontrolli që përfshin prekjen sipërfaqësore bëhet nga personeli i sigurisë me gjininë e njëjtë me personin që hyn, qëndron ose largohet nga ambientet e institucionit, përveçse nëse në raste të jashtëzakonshme kjo nuk është e mundur;
ë) Pajis personin që kërkon të hyjë në ambientet e institucionit përkatës me leje hyrjeje dhe regjistron këto të dhëna në regjistër:
– Emrin dhe mbiemrin e personit;
– Punonjësin/Zyrtarin pritës;
– Orarin e hyrjes dhe të daljes nga institucioni.
f) Në rast se personi nuk largohet brenda orarit zyrtar, punonjësi i sigurisë njofton kancelarin dhe, në mungesë të tij, kryetarin.
4. Regjistrimi i sendeve:
a) Personeli i sigurisë, me pëlqimin e personit që kontrollohet, mund të mbajë përkohësisht sende të personit, me qëllim për të lejuar personin të hyjë në ambientet e institucionit;
b) Regjistrimi i sendeve të mbajtura bëhet në formë të shkruar dhe me nënshkrimin e personit që posedon këtë send.
5. Rastet e moslejimit të mbajtjes së sendeve dhe të kafshëve:
a) Përveç rasteve përjashtimore të parashikuara në legjislacionin në fuqi, në ambientet e institucionit nuk lejohet mbajtja e sendeve si:
– armë zjarri;
– eksplozivë;
– thika të çfarëdolloj gjatësie;
– sende të mprehta ose me majë (duke përfshirë: brisqe, gërshërë, kaçavida ose çdo send tjetër të ngjashëm);
– spray për mbrojtje;
– pranga;
– lëndë dhe substanca narkotike;
b) Mbajtja e kafshëve;
c) Çdo mjet tjetër që mund të përbëjë rrezik për sigurinë dhe rendin në institucion;
ç) Në rastin kur mbajtja e sendeve të ndaluara përbën vepër penale, personeli i sigurisë autorizohet të ndalojë mbajtësin e tyre dhe të njoftojë menjëherë policinë gjyqësore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
5. Rregullat e sendeve të ndaluara nuk zbatohen në rastet e personave, të cilëve me ligj iu lejohet mbajtja e armëve të zjarrit, ose sendet përbëjnë provë materiale dhe paraqiten si të tilla në gjykatë.
6. Detyrat e personelit të sigurisë janë, si më poshtë vijon:
a) Të sigurojnë ndalimin e hyrjes për personat, të cilët paraqesin rrezik për sigurinë e personave ose godinës në institucionin përkatës;
b) Të ushtrojnë kontroll personal nëpërmjet pajisjeve teknike dhe të inspektojnë çantat e personave që hyjnë në ambientet e brendshme të institucionit;
c) Të marrin masa për bllokimin e sendeve, mbajtja dhe futja në institucion e të cilave është e ndaluar sipas këtij vendimi;
ç) Të informojnë kryetarin për sjellje të dyshimta nga personat që gjenden në godinën e institucionit përkatës;
d) Të marrin masa për kufizimin e qarkullimit të automjeteve të palejuara në hapësirat e parkimit, në garazhe, si dhe në oborrin e institucionit përkatës;
dh) Të përdorin forcën fizike në përputhje dhe proporcion me rastet që e kanë diktuar atë dhe aq sa është e nevojshme për të shmangur apo neutralizuar situatën e rrezikut të krijuar;
e) Të raportojnë pranë kryetarit telefonatat që përmbajnë kërcënime të shprehura apo nënkuptojnë mundësinë e një rreziku për gjyqtarët apo punonjësit e institucioneve përkatëse;
ë) Të japin udhëzime të shprehura në zbatim të urdhrave të kryetarit;
f) Të mbajnë kontakte të vazhdueshme me institucione, si policia, spitalet, zjarrfikëset dhe ia raportojnë periodikisht kryetarit;
g) Të ndërmarrin kontrolle rutinë për pajisjet e sigurisë dhe t’i raportojnë kryetarit në rast të mosfunksionimit të këtyre pajisjeve;
gj) Të kryejnë evakuimin e godinës, në zbatim të urdhrit verbal të kryetarit. Në rastet e rrezikut të madh e të menjëhershëm, evakuimi mund të kryhet edhe pa urdhër të kryetarit;
h) Të informojnë menjëherë kryetarin, si dhe Policinë e Shtetit, për çdo ngjarje të rëndë që cenon sigurinë në institucionet përkatëse, e cila konstatohet pas orarit zyrtar.

V. DREJTIMI I PERSONELIT TË SIGURISË

1. Drejtimi dhe organizimi i veprimtarisë së shërbimeve të sigurisë nga Policia e Shtetit realizohen nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e kryetarit të institucionit përkatës dhe të titullarit të strukturës policore.
2. Kompetencat e kryetarit të institucionit përkatës janë, si më poshtë vijon:
a) Drejton dhe kontrollon veprimtarinë e personelit të sigurisë në institucionin përkatës;
b) Jep urdhra verbalë për evakuim, si më poshtë vijon:
– Në rast rreziku brenda godinës, që nuk mund të evitohet në mënyrë tjetër;
– Në rast aktivizimi të sistemit të alarmit për rënien e zjarrit.
c) Merr kontakte të herëpashershme me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, për të siguruar rendin dhe sigurinë në ambientet e institucionit;
ç) Merr çdo masë tjetër të nevojshme për të garantuar rendin dhe sigurinë në ambientet e institucionit.
3. Kryetari i institucionit përkatës, në bashkëpunim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, miraton një rregullore të brendshme në të cilën përcaktohen detyrimet e masave të sigurisë dhe të veprimeve për të gjitha ambientet e institucionit.
4. Titullari i strukturës policore, që do të ngarkohet me sigurimin e këtij institucioni, ka për detyrë të përgatisë planin e vendosjes së shërbimit, duke marrë në konsideratë organikën e institucionit, detyrime që rrjedhin nga ky vendim dhe nga rregullorja e brendshme.

VI. INSTITUCIONET QË NGARKOHEN PËR ZBATIMIN E AKTIT

Ngarkohen Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe kryetarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe drejtori i Byrosë së Hetimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHKARKIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË TATIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2009, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Zoti Enton Duro, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, shkarkohet nga kjo detyrë.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS AUTOMOBILISTIKE SË FSHATIT DUMBERAS, NJËSIA ADMINISTRATIVE KUSHOVË”, GRAMSH

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës automobilistike së fshatit Dumberas, njësia administrative Kushovë”, Gramsh.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Gramsh.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “tokë bujqësore”, me një vlerë të përgjithshme prej 156 600 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 156 600 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Gramsh.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Gramsh.
8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Gramsh, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Gramsh, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Gramsh.
9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Gramsh, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasurinë e shpronësuar.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Gramsh dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Gramsh, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit u sigurohet mbrojtja personale, sipas parashikimeve të ligjit nr 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
2. Mbrojtja personale, e parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, ofrohet mbi bazën e kërkesës së paraqitur nga subjekti që kërkon të mbrohet.
3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me oficer e nënoficer.
4. Garantimi i mbrojtjes personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme bëhet sipas rregullave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit.
5. Në raste të veçanta dhe me kërkesë të kryetarit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, sigurohet mbrojtje për anëtarët e familjes, banesat dhe/ose eskortë për gjyqtarët dhe prokurorët.
6. Zëvendësdrejtorit apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, për shkak të apo gjatë ushtrimit të detyrës, u sigurohet mbrojtje personale e jetës, shëndetit dhe pronës, nëse kërkohet nga drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
7. Në rastet e gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme si dhe të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa depozitohet pranë komisionit të posaçëm që ngrihet e funksionon sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij.
8. Në rastet e zëvendësdrejtorit apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa vlerësohet nga komisioni i posaçëm, i cili përbëhet nga:
– një përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme;
– një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë;
– një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme;
– drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
– një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
9. Kryetar i komisionit të përcaktuar në pikën 8, të këtij vendimi, është përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme. Në mungesë të kryetarit, anëtarët thirren nga personi i autorizuar prej tij, i cili kryeson mbledhjen e komisionit.
10. Kërkesa për mbrojtje i paraqitet komisionit atëherë kur ka të dhëna të besueshme, që provojnë se subjektit kërkues apo subjekteve të parashikuara në pikën 6, të këtij vendimi, u rrezikohet jeta, familja ose prona.
11. Procedurat që ndiqen nga komisioni janë të njëjta me procedurat e ndjekura nga komisioni i posaçëm, që garanton mbrojtje të veçantë për magjistratët.
12. Oficerët e caktuar për sigurinë e gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, familjeve dhe banesave të tyre nuk zëvendësohen pa marrë, paraprakisht, miratimin e kryetarit të Gjykatës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme apo drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
13. Komisionet e posaçme, në varësi të të dhënave dhe gjendjes së rrezikshmërisë, kanë të drejtë të vendosin përforcimin e masave mbrojtëse për ruajtjen dhe shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, sipas këtij vendimi, si dhe të banesave të tyre.
14. Struktura dhe organika e nevojshme për ruajtjen e shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, sipas këtij vendimi, së bashku me ruajtjen e banesave ose të rezidencave të tyre, si dhe kriteret e përzgjedhjes së efektivave që ngarkohen me këtë detyrë, miratohet sipas legjislacionit në fuqi.
15. Ngarkohen kryetarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Ministria e Brendshme, Garda e Republikës së Shqipërisë dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE” TRUALL, PËR SIPËRFAQET QË PREKEN NGA NDËRTIMI I PROJEKTIT TË RRUGËVE PËRGJATË BREGUT JUGOR TË REZERVUARIT TË MOGLICËS, TË PASURIVE ME NUMËR 427, 770, 432/2, 429, 774, 83/5, 769, 90, 88, ZONA KADASTRALE 2937, QARKU KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe të vendimit nr.410, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave të ndryshimit të kategorive të resurseve të tokës”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit të tokës, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për parcelat me sipërfaqe të përgjithshme 1 845 (një mijë e tetëqind e dyzet e pesë) m2, pjesë e pasurive numër 427, 770, 432/2, 429, 774, 83/5, 769, 90, 88, zona kadastrale 2937, me vendndodhje në njësinë administrative Moglicë, Bashkia Maliq, Qarku Korçë, të cilat preken nga “Projekti hidroenergjetik i Devollit, për ndërtimin e rrugëve përgjatë bregut jugor të rezervuarit të Moglicës”, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës në Qarkun e Korçës të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resursit nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, respektivisht për secilën parcelë, për aq sa preket nga ndërtimi i rrugëve përgjatë bregut jugor të rezervuarit të Moglicës, parcelat me numër pasurie 427, 770, 432/2, 429, 774, 83/5, 769, 90, 88, zona kadastrale 2937, me vendndodhje në njësinë administrative Moglicë, Bashkia Maliq, Qarku Korçë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës në Qarkun e Korçës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.