Postuar më: 29 Maj 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Maj 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Maj 2019:

P R O J E K T L I GJ

PËR

ASISTENCËN SOCIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Ky ligj përcakton rregullat për përfitimin e asistencës sociale të subjekteve përfituese nga ky ligj, mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse, që garantojnë me efektivitet ushtrimin, respektimin dhe garantimin e kësaj të drejte, si dhe marrëdhëniet e financimit e të ofrimit e përfitimit të asistencës sociale.

Neni 2
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim:

a) të përcaktojë ndihmën ekonomike dhe përfitimet për shkak të aftësisë së kufizuar për individët dhe familjet në nevojë, të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike, zhvillimin e aftësive e të mundësive personale, ruajtjen e integritetit dhe përfshirjen shoqërore për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara ekonomike, fizike, psikologjike e shoqërore;
b) të zbusë varfërinë dhe përjashtimin shoqëror për individët e familjet si dhe të krijojë mundësi për integrimin e tyre, nëpërmjet sigurimit të një sistemi ndërhyrjesh e shërbimesh për përmirësimin e jetesës së tyre;
c) të garantojë asistencë sociale nëpërmjet ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura;
ç) mirorganizimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore përgjegjëse për ofrimin dhe administrimin e asistencës sociale.

Neni 3
Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për individët, familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuar dhe nënat me foshnja të porsalindura në Republikën e Shqipërisë, për ofrimin dhe garantimin e asistencës sociale, me përjashtim të kufizimeve të vendosura në nenin 11, të këtij ligji.

Neni 4
Parime të përgjithshme

Parimet bazë, në bazë të të cilave funksionojnë programet e asistencës sociale, janë:

a) universaliteti. Asistenca sociale është krijuar, funksionon dhe mbikëqyret bazuar në një sistem rregullash ligjore, që ofrojnë garanci të mjaftueshme për t’u zbatuar në mënyrë të njëjtë për përfituesit, të cilët ndodhen në të njëjtat kushte;
b) drejtësia sociale. Çdokush ka detyrim të sigurojë kushtet bazë të jetesës për veten dhe personat, për të cilët ka detyrim ligjor t’i mbështesë, dhe çdokush ka detyrimin të kontribuojë me punën, të ardhurat dhe pasuritë për reduktimin e gjendjes së varfërisë së tij/saj apo të anëtarëve të familjes, veçanërisht fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë, që nuk janë në gjendje të kujdesen për veten e tyre;
c) mbështetja sociale. Subjektet, të cilat përmbushin kushtet për të përfituar, kanë të drejtën e përfitimit në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe për aq kohë sa janë në kushtet e vështirësisë e të pamundësisë;
ç) respektimi i të drejtave të njeriut dhe integritetit të përfituesit. Ofrimi i shërbimeve të kujdesit shoqëror bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut, të integritetit të individit, besimit fetar dhe formimit të gjithanshëm të tij;
d) mosdiskriminimi. Ndalohet çdo formë e diskriminimit të përfituesit, bazuar në shkaqet e përmendura në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi;
dh) konfidencialiteti dhe mbrojtja e të dhënave personale. Të dhënat personale të individit janë konfidenciale dhe mbrohen e përpunohen sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;
e) barazia dhe mosdiskriminimi. Mbrojtja sociale ofrohet për çdo individ në nevojë, pavarësisht nga gjinia, feja, mosha, aftësitë e kufizuara etj.;
ë) partneriteti: koordinimi i strukturave qendrore, qeverisjes rajonale e vendore si dhe me partnerë të tjerë në komunitet.

Neni 5
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Administrator shoqëror”, nëpunësi i organeve të vetëqeverisjes vendore, i cili vlerëson, verifikon e administron procesin dhe dokumentacionin për aplikimin e përfitimit të ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe përfitimeve të tjera;
b) “Azilkërkues”, çdo i huaj apo person pa shtetësi, që shpreh, në çfarëdolloj mënyre se nuk dëshiron të kthehet në vendin e tij, si dhe çdo i huaj apo person pa shtetësi, që ka paraqitur një aplikim për azil në Republikën e Shqipërisë, për të cilin nuk është marrë ende një vendim përfundimtar, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për azilin në Republikën e Shqipërisë;
c) “Bashki/njësi administrative”, institucioni, nën juridiksionin e të cilit subjektet përfituese, sipas këtij ligji, ushtrojnë të drejtën për të kërkuar mbështetje me të ardhura monetare ose/dhe në natyrë, të cilat u mungojnë plotësisht ose pjesërisht, si dhe për të kërkuar mbështetje për adresimin e situatës së tyre social-ekonomike drejt programeve të tjera sociale, shëndetësore, të punësimit, strehimit;
ç) “Burime jetese”, të gjitha mjetet monetare ose të ardhurat në natyrë, të cilat bëjnë të mundur jetesën;
d) “Familje”, një grup individësh, që lidhen në marrëdhënie bashkëshortore, marrëdhënie prindër-fëmijë, marrëdhënie ndërmjet anëtarëve të familjes dhe ato të kujdestarisë, të cilët jetojnë në të njëjtën strehë;
dh) “Familje kujdestare”, një familje alternative, sipas përkufizimit të dhënë në Kodin e Familjes;
e) “Fëmijë”, çdo person nën moshën 18 vjeç dhe, në rastin kur mosha e personit është e pamundur të përcaktohet saktë, por ka arsye të besohet se personi është fëmijë, ai konsiderohet fëmijë, në kuptim të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës;
ë) “Formula e unifikuar e pikëzimit”, një formulë e pranueshmërisë së familjeve për ndihmë ekonomike, që përdor koeficientë dhe ndryshore të përcaktuara qartë, të cilët dalin nga lidhjet reciproke, objektive, me statusin ekonomik dhe me varfërinë;
f) “Invalid pune”, individi, i cili është deklaruar i tillë me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, që përfiton nga ligji për statusin e invalidëve;
g) “Individ në nevojë”, personi fizik që është jetim, viktimë e trafikimit, viktimë e dhunës në marrëdhëniet familjare;
gj) “Jetim”, fëmija deri në moshën 25 vjeç, sipas përcaktimit të bërë në ligjin për statusin e jetimit;
h) “Kryefamiljar”, personi, sipas kësaj renditjeje: babai, nëna, anëtari më i madh i familjes, në grup-moshën aktive 18-65 vjeç, anëtari më i ri i familjes, në grup-moshën mbi 65 vjeç, dhe kujdestari, kur të gjithë anëtarët e familjes janë nën moshën 18 vjeç;
i) “Komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar”, një ekip i përzgjedhur, i përbërë nga një mjek dhe një punonjës social, të cilët janë të punësuar pranë drejtorisë rajonale të shërbimit social shtetëror dhe janë përgjegjës për kryerjen e vlerësimit bio-psiko-social të aplikuesve për përfitimet në para dhe/ose në natyrë për shkak të aftësisë së kufizuar, bazuar në dokumentet e përgatitura nga institucionet shëndetësore, informacionin e marrë nga intervistat e zhvilluara, verifikimin dhe shkëmbimin e informacionit me institucione të tjera sociale, arsimore, shëndetësore, të punësimit e formimit profesional;
j) “Ministria përgjegjëse për çështjet sociale”, ministria që, ndër të tjera, ka në fushën e veprimtarisë çështjet e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar;
k) “Ndihma ekonomike”, mbështetja në para, që u jepet familjeve dhe individëve në nevojë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj;
l) “Ndihmësi personal”, ai individ i zgjedhur dhe i udhëzuar nga një person me aftësi të kufizuara për ta ndihmuar këtë të fundit që të kapërcejë pengesat në jetën e përditshme;
ll) “Përfitime në natyrë”, mbështetja me mallra ushqimore dhe të përdorimit të përditshëm e në veshmbathje, që u jepen familjeve dhe individëve në nevojë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj;
m) “Pagesë për personat me aftësi të kufizuar”, pagesa mujore, në lekë, që u jepet personave me aftësi të kufizuar, sipas përcaktimit të këtij ligji;
n) “Person me aftësi të kufizuar”, individët, të cilët kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose ndijore, dëmtime, që, në bashkëveprim me pengesat e ndryshme, përfshirë ato mjedisore e të qëndrimit, mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të tyre në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët, siç përkufizohet në legjislacionin në fuqi për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar;
nj) “Paraplegjik”, çdo person që vuan nga paraliza e dy anësive të poshtme;
o) “Person mbi moshë pune”, një person fizik, i cili, në çastin e vlerësimit të kritereve për përfitimin e ndihmës ekonomike është mbi moshën e përcaktuar për atë vit për të drejtën e pensionit, sipas ligjit për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë;
p) “Riintegrimi social”, tërësia e veprimtarive të integruara në pagesa dhe shërbime, që synojnë fuqizimin ekonomik e social të përfituesve të ndihmës ekonomike nëpërmjet punësimit;
q) “Refugjat”, i huaji apo personi pa shtetësi, sipas përcaktimeve në legjislacionin për azilin në Republikën e Shqipërisë;
r) “Regjistri elektronik kombëtar i ndihmës ekonomike”, bashkësia e rekordeve të përfituara nga sistemi i menaxhimit të informacionit të ndihmës ekonomike gjatë procesit të aplikimit të familjeve/individëve në nevojë për përfitim të ndihmës ekonomike;
rr) “Regjistri elektronik kombëtar i aftësisë së kufizuar”, bashkësia e rekordeve të përfituara nga sistemi i menaxhimit të informacionit të aftësisë së kufizuar gjatë procesit të aplikimit për vlerësim dhe përfitim të aftësisë së kufizuar;
s) “Status i refugjatit”, njohja nga autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët në Republikën e Shqipërisë i shtetasit të huaj ose personit pa shtetësi si refugjat, sipas përcaktimeve në ligjin për azilin në Republikën e Shqipërisë;
sh) “Të ardhura të familjes”, të ardhurat e të gjithë anëtarëve të familjes, nga çdolloj burimi, përfshirë dhe të ardhurat nga remitancat. Nuk përfshihen në të ardhurat e familjes pagesat që marrin anëtarët e familjes me aftësi të kufizuar dhe invalidë pune;
t) “Tetraplegjik”, çdo person që vuan nga paraliza e katër anësive;
th) “Vendbanim”, vendi ku familja ose personi, për shkak të punës apo të shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë ose të realizimit të interesave të veta, qëndron zakonisht ose në më të shumtën e kohës;
u) “Vendqëndrim”, vendi ku banohet për një kohë të caktuar, për arsye pune, studimi, trajtimi mjekësor, pushimi, shërbimi të detyruar ushtarak apo vuajtjeje dënimi, si dhe raste të tjera të kësaj natyre;
v) “Veprim i qëllimshëm”, çdo veprim që synon të shmangë punësimin e shpërblyer, kualifikimin për punësim dhe mundësi punësimi, shërbimet rehabilituese shëndetësore dhe/ose sociale, mospërdorimin e kapitalit atje ku është mundësia për të siguruar mjetet e domosdoshme të jetesës, deklarimin real të të ardhurave si dhe çdo veprim që nxit ndarjen e familjeve, që vërtetohet se kanë të njëjtën strehë, për përfitim nga ndihma ekonomike;
x) “Viktimë e trafikimit”, personi fizik, që është objekt i trafikimit të qenieve njerëzore, sipas Konventës së Këshillit të Evropës për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore;
xh) “Viktimë e dhunës në marrëdhëniet familjare”, çdo person, sipas përkufizimit të dhënë në ligjin për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, për të cilin është lëshuar urdhër mbrojtjeje ose urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje me vendim të gjykatës;
z) “Vlerësimi bio-psiko-social”, një proces vlerësimi i faktorëve të ndryshëm e të ndërvarur, që përcaktojnë aftësinë e një individi për të kryer veprimtari të jetës së përditshme dhe për të marrë pjesë në shoqëri në kushte të barabarta me të tjerët. Këta faktorë janë: struktura trupore, funksionet trupore e psikologjike si dhe faktorë personalë, shoqërorë, ekonomikë e kulturorë.

KREU II
PËRFITUESIT E ASISTENCËS SOCIALE

Neni 6
Asistenca sociale

Asistenca sociale përfshin, por nuk kufizohet në, ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar, ndihmën e menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura dhe përfitime të tjera, që garantohen nga ky ligj.

Neni 7
Subjektet përfituese të ndihmës ekonomike

Përfituesit e ndihmës ekonomike janë:

a) familjet në nevojë, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme;
b) jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;
c) prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
ç) viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre;
d) viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.

Neni 8
Subjektet përfituese të pagesës së aftësisë së kufizuar

Përfitues të pagesës për aftësinë e kufizuar janë:

a) paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të cilët deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha;
b) personat me aftësi të kufizuar, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë;
c) personat me aftësi të kufizuar, të deklaruar të tillë me vendim të Komisionit Shumëdisiplinor të Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar;
ç) Personat, të cilët janë deklaruar invalidë pune me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, që përfitojnë pension invaliditeti dhe shtesë mujore mbi të, sipas statusit të invalidit të punës.

Neni 9
Subjekti përfitues i ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi i bebes)

1. Përfitues të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi i bebes) për foshnjën e porsalindur janë prindi/prindërit e fëmijës.

2. Masa dhe procedura e dhënies së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) për foshnjat e porsalindura përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Mënyra e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të shërbimit spitalor dhe atyre të gjendjes civile përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për gjendjen civile dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale.

Neni 10
Subjektet përfituese të ndihmësit personal

Personat përfitues, që përcaktohen në pikat 1, 2 e 3, të nenit 8, të këtij ligji, të cilët, me vendim të komisioneve të vlerësimit, të parashikuar nga ky ligj, përcaktohen se kanë nevojë për përkujdesje, përfitojnë edhe një ndihmës personal me pagesë.

Neni 11
Subjektet jopërfituese

 

Nga ky ligj nuk përfitojnë:

a) shtetasit shqiptarë, që banojnë jashtë vendit si emigrantë, me përjashtim të subjekteve përfituese të nenit 9, të këtij ligji;
b) azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë statusin e azilantit, dhe refugjatët, të cilët nuk kanë marrë statusin e refugjatit;
c) shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave, në përputhje me ligjin për të huajt;
ç) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave, për përfitim të ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar;
d) personat, që, me vendim të formës së prerë të gjykatës, vuajnë dënimin me heqje lirie, dhe personat, që trajtohen me mjekim të detyruar, me vendim gjykate, në institucione mjekësore të posaçme, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për shëndetin mendor;
dh) personat, që trajtohen në institucionet e përkujdesjes rezidenciale publike, të financuara nga fondet e buxhetit të shtetit, për masën e ndihmës ekonomike apo pagesën për aftësinë e kufizuar.

KREU III
LLOJET E PËRFITIMIT TË PROGRAMEve të ASISTENCËS SOCIALE

Neni 12
Pagesa e ndihmës ekonomike

1. Ndihma ekonomike është një pagesë që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, për kategoritë e përcaktuara në nenin 7, të këtij ligji. Kufizimi në kohë i ndihmës ekonomike bëhet sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Ndihma ekonomike, që përfitojnë familjet dhe individët në nevojë, është e plotë dhe masa nuk kufizohet për shkak të numrit të anëtarëve. Ndihmë ekonomike përfitojnë familjet që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme nga programet e mbrojtjes shoqërore, remitancat, qiraja, asetet, bujqësia apo të ardhura të tjera, dhe individët e përcaktuar në nenin 7, të këtij ligji.

3. Familjet dhe individët në nevojë kanë të drejtë të marrin përfitime në natyrë. Mënyra e përfitimeve në natyrë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Fëmijët e familjes në nevojë, të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike, si dhe jetimët, të cilët nuk janë në institucione që ndjekin arsimin e detyrueshëm, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, marrin një pagesë shtesë, deri në mbarimin e arsimit të detyrueshëm, në masën e përcaktuar me vendim nga Këshilli i Ministrave.

5. Fëmijët e familjes në nevojë si dhe jetimët, që nuk janë në institucione, të cilët janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit, marrin një shtesë, për çdo vaksinë të kryer, në masën e përcaktuar me vendim nga Këshilli i Ministrave.

6. Anëtarit të familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuar, invalid pune apo individ përfitues i ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve në nenin 7, të këtij ligji, nuk i llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen.

7. Anëtarit të familjes në nevojë, që me vendim të formës së prerë të gjykatës, vuan dënimin me heqje lirie ose që trajtohet me mjekim të detyruar me vendim gjykate, në institucionet mjekësore të posaçme, nuk i llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen.

8. Procedura, dokumentacioni dhe masa mujore e përfitimit të ndihmës ekonomike përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Masa e ndihmës ekonomike, për familjet në nevojë, përcaktohet sipas strukturës së familjes.

9. Ministri përgjegjës për çështjet sociale nxjerr udhëzim për mënyrën e përllogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, sipas strukturës së familjes.

Neni 13
Pagesa e aftësisë së kufizuar

1. Pagesa për personat me aftësi të kufizuar jepet çdo muaj për këta individë dhe për ndihmësit personalë të tyre, në masën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Përfituesve, të klasifikuar me vendim të komisionit në grupet e aftësisë së kufizuar, u ndërpritet pagesa pas 48 muajve punësimi. Procedurat, në rastet e rikthimit në skemën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 14
Pagesa për ndihmën e menjëhershme financiare

Pagesa, që jepet për nënat me foshnja të porsalindura si ndihmë e menjëhershme financiare, për të garantuar asistencë sociale, jepet vetëm një herë, në masën dhe sipas procedurës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU IV
KRITERET DHE PROCEDURA E PËRFITIMIT NGA PROGRAMET E ASISTENCËS SOCIALE

Neni 15
Përjashtimi nga ndihma ekonomike

1. Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë gjashtëmujore, familjet, të cilat kanë në përbërje të tyre edhe një anëtar të vetëm, që plotëson kushtet e mëposhtme:

a) Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes që jetojnë në të njëjtën strehë, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë-nënë;
b) Nuk tërheq ndihmën ekonomike brenda afateve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si shëndetësore apo fatkeqësi;
c) Refuzon verifikimin e situatës social-ekonomike në familje;
ç) Fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë;
d) Nuk paraqiten për deklarim dhe/ose nuk deklarojnë ndryshimet e situatës social-ekonomike çdo tre muaj, pranë administratorit shoqëror, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si shëndetësore apo fatkeqësi, dhe të anëtarëve të familjes, të cilët janë persona me aftësi të kufizuar, invalidë pune ose të moshuar, të cilët janë në pamundësi lëvizjeje;
dh) Refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional për anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;
e) Kanë anëtarët në moshë aktive pune të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të rasteve të familjeve që zotërojnë tokë bujqësore në pronësi/përdorim dhe banojnë në fshat;
ë) Anëtarët në moshë aktive pune, të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të familjeve që kanë anëtarë, që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç.

2. Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë njëvjeçare, familjet, të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm, që plotëson kushtet e mëposhtme:

a) Është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;
b) Punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pa shkaqe të arsyeshme, me përjashtim të rasteve kur zgjidhja e kontratës bëhet nga ana e punëdhënësit;
c) Ka kryer më shumë se një deklarim të rremë;
ç) Ato familje, të cilat rezultojnë me të ardhura dhe kushte shumë të mira social-ekonomike.

Neni 16
Aplikimi dhe përfitimi i ndihmës ekonomike

1. Kërkesa për të përfituar ndihmë ekonomike bëhet nga:

a) kryetari i familjes ose njëri nga anëtarët madhorë të familjes, së bashku me bashkëshortin/en ose i vetëm, kur nuk ka bashkëshort/e;
b) secili prej bashkëshortëve, në rastet kur ata janë në proces zgjidhjeje martese dhe nuk ka ende vendim gjykate të formës së prerë;
c) nga vetë individi, sipas përcaktimeve në shkronjat “b”, “ç” e “d”, të nenit 7.

2. Aplikimi për të përfituar ndihmë ekonomike bëhet tek administratori shoqëror, në njësinë administrative, nën juridiksionin e së cilës ka vendbanimin.
Kriteret, procedura dhe dokumentacioni për përfitimin e ndihmës ekonomike, si dhe masa e përfitimit të saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Pranueshmëria në skemën e ndihmës ekonomike bëhet nëpërmjet formulës së pikëzuar, treguesit e së cilës mbajnë parasysh gjendjen e varfërisë. Treguesit e vlerësimit të formulës së unifikuar të pikëzimit për përfitimin e ndihmës ekonomike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Ndihma ekonomike shpërndahet një herë në muaj nga bashkia, nëpërmjet shërbimit bankar dhe/ose shërbimit postar, bazuar në vendimin e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.

5. Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike për familjet në nevojë e ka bashkëshortja e kryefamiljarit. Për rastet kur në strukturën e familjes bashkëshortja mungon, të drejtën e tërheqjes e ka kryetari i familjes.

Neni 17
Përfitimi i pagesës së aftësisë së kufizuar

1. Përfitimi i pagesës së aftësisë së kufizuar bëhet në bazë të vendimit të komisioneve të përcaktuara në nenin 8, të këtij ligji, të cilat vlerësojnë aftësitë e kufizuara sipas kompetencës së tyre. Kriteret, procedura dhe dokumentacioni për vlerësimin dhe përfitimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuara, si dhe të ndihmësit personal të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Pagesa e personave me aftësi të kufizuar shpërndahet një herë në muaj nga bashkia, nëpërmjet shërbimit bankar dhe/ose shërbimit postar, bazuar në vërtetimin për vendimin e marrë nga komisioni që ka kryer vlerësimin e aftësisë së kufizuar, sipas përcaktimeve për çdo kategori të përcaktuar në nenin 8, të këtij ligji.

3. Përfitimi i pagesës së aftësisë së kufizuar ndërpritet kur:

a) personi refuzon të kryejë ekzaminimet e kërkuara;
b) dokumentacioni për rivlerësim nuk paraqitet sipas afateve të përcaktuara në rregulloret e organizimit, të drejtave, detyrave dhe funksionimit të komisioneve të vlerësimit;
c) personi nuk paraqitet në komision epror dy herë radhazi dhe refuzon të kryejë ekzaminimet e kërkuara/mjekimin e rekomanduar/marrjen e shërbimit të rekomanduar;
ç) vërtetohet që personi nuk është rezident në Shqipëri;
d) personi ka qëndruar për më shumë se tre muaj jashtë Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për arsye shëndetësore.

Neni 18
Përfitimi nga skema e sigurimeve të kujdesit shëndetësor

Përfituesit e ndihmës ekonomike dhe të pagesës së aftësisë së kufizuar përfshihen në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë, në kuptim të skemës së sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor.

KREU V
DREJTIMI DHE ADMINISTRIMI I PROGRAMEVE TË ASISTENCËS SOCIALE

Neni 19
Roli i ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale

1. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale është autoriteti përgjegjës për hartimin e politikave, të programeve dhe legjislacionit, programimin e fondeve për programet e asistencës sociale si dhe kontrollin e zbatimit të tyre në të gjitha nivelet e strukturave qendrore dhe vendore.
2. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale propozon mekanizmin e bashkërendimit ndërinstitucional të punës për referimin për punësim të individëve dhe anëtarëve në moshë aktive pune të familjeve përfituese të ndihmës ekonomike, për të siguruar riintegrimin social të tyre, nëpërmjet një programi daljeje nga skema e ndihmës ekonomike, e cila përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale grumbullon të dhëna statistikore, me qëllim vlerësimin dhe monitorimin e zbatimit të politikave të asistencës sociale. Përmbajtja, që do të kenë treguesit statistikorë të vlerësimit e monitorimit, që do të mblidhen, dhe periodiciteti i mbledhjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale harton dhe paraqet nevojat për fonde për programet e asistencës sociale pranë ministrisë përgjegjëse për financat.

Neni 20
Roli i Shërbimit Social Shtetëror

1. Shërbimi Social Shtetëror, në nivel qendror e rajonal, është institucion publik, në varësi të ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale.

2. Organizimi dhe funksionimi i Shërbimit Social Shtetëror miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Shërbimi Social Shtetëror, në nivel qendror e rajonal, përgjigjet për zbatimin e politikave të asistencës sociale të ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, si më poshtë vijon:

a) Programimin dhe kontrollin e përdorimit të fondeve të buxhetit të shtetit për asistencën sociale;
b) Administrimin dhe përdorimin e të dhënave të regjistrit elektronik kombëtar, i cili përfshin aplikantët dhe përfituesit e ndihmës ekonomike dhe të pagesës së aftësisë së kufizuar;
c) Kontrollin dhe monitorimin e veprimtarisë e të zbatimit të legjislacionit të asistencës sociale, në kuptim të këtij ligji, në strukturat dhe institucionet në varësi të tij dhe pranë njësive të vetëqeverisjes vendore. Procedura e kryerjes së kontrollit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) Grumbullimin dhe përpunimin e informacioneve e të statistikave;
d) Bashkëpunimin e vazhdueshëm me Shërbimin Kombëtar të Punësimit, për riintegrimin social të anëtarëve të familjeve në nevojë, të cilët janë në moshë aktive pune.

4. Shërbimi Social Shtetëror në nivel rajonal, për realizimin e procesit të vendimmarrjes për përfituesit e ndihmës ekonomike ka këto përgjegjësi:

a) Verifikon të dhënat e regjistruara nga administratori shoqëror për familjet/individët në nevojë në regjistrin kombëtar elektronik dhe konfirmon saktësinë e tyre pranë autoriteteve shtetërore përgjegjëse;
b) Merr vendim për caktimin e familjeve/individëve në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike, masën e përfitimit të tyre si edhe refuzimin e kërkesës për dhënien e përfitimit të ndihmës ekonomike, të shoqëruar me arsyet e refuzimit;
c) I dërgon vendimin kryetarit të bashkisë:

i. për të njoftuar kërkuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike;
ii. për të kryer veprimet financiare për pagesën, për përfituesit e ndihmës ekonomike.

Neni 21
Roli i Këshillit Bashkiak

Këshilli bashkiak miraton kriteret për dhënien e ndihmës ekonomike për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik, të kryer nga administratori shoqëror. Familjet në nevojë trajtohen nga fondi shtesë, mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike, duke përfshirë ose jo edhe fonde të buxhetit vendor. Përdorimi i fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 22
Roli i strukturës përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki

Struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki, për efekt të ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar, kryen këto detyra:

a) Dërgon, nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar, listën e plotë të familjeve/individëve në nevojë nën juridiksionin e bashkisë pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, për trajtim me ndihmë ekonomike;
b) Përgatit listën e plotë dhe masat e përfitimit për përfituesit e pagesave të aftësisë së kufizuar, për ekzekutimin e tyre;
c) Harton kërkesën për buxhetin dhe projektbuxhetin për vitin pasardhës, për ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuar.
ç) Grumbullon dhe përgatit informacione e statistika, të cilat i dërgon pranë strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, mban regjistrin e përfituesve dhe ndjek shpenzimet për ndihmën ekonomike, pagesën e personave me aftësi të kufizuar;
d) Monitoron punën e administratorit shoqëror, për të shmangur veprime të kryera nga ana e tij në kundërshtim me këtë ligj;
dh) Bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me zyrat vendore të punësimit për riintegrimin social të anëtarëve të familjeve në nevojë, të cilët janë në moshë aktive pune.

Neni 23
Roli i administratorit shoqëror të njësisë administrative

Administratorët shoqërorë në njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë për detyrë:

a) të identifikojnë familjet dhe individët në nevojë dhe t’i ftojnë e t’i informojnë për aplikim për ndihmë ekonomike;
b) të plotësojnë aplikimin për familjet dhe individët në nevojë në Regjistrin Elektronik Kombëtar;
c) të verifikojnë, nëpërmjet vizitave në familje dhe në terren, gjendjen social-ekonomike për familjet që aplikojnë për herë të parë dhe, dy herë në vit, për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Verifikimi për familjet që aplikojnë për herë të parë kryhet brenda muajit të aplikimit. Të dhënat e verifikuara nëpërmjet vizitave në familje hidhen në Regjistrin Elektronik Kombëtar;
ç) të paraqesin pranë strukturës përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki, nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar, listën e familjeve/individëve në nevojë, që kanë aplikuar për ndihmë ekonomike;
d) të paraqesin pranë strukturës përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki listën e përfituesve të pagesës së aftësisë së kufizuar dhe masat e përfitimit, në bazë të vërtetimeve të vendimeve të komisioneve të vlerësimit dhe të dokumentacionit për përfitime të tjera shtesë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
dh) të përcjellin dokumentacionin për vlerësimin e aftësisë së kufizuar pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror;
e) të evidentojnë dhe të verifikojnë rastet e personave që përfitojnë në kundërshtim me pikën 1, të nenit 11, të këtij ligji, të kryejnë verifikime jo më pak se një herë në tre muaj, të informojnë strukturat përgjegjëse të shërbimit social shtetëror për të kryer verifikimet me institucione të tjera, si dhe për vendndodhjen e tyre, kur kanë dijeni;
ë) të ndërpresin pagesën e aftësisë së kufizuar për personat që përfitojnë në kundërshtim me pikën 1, të nenit 11, të këtij ligji, në bazë të verifikimit të kryer nga strukturat përgjegjëse të shërbimit social shtetëror në nivel rajonal;
f) të administrojnë dokumentacionin për përfitimin e pagesave të personave me aftësi të kufizuar;
g) të hartojnë kërkesën për bllok-ndihmën dhe fondin e pagesës së personave me aftësi të kufizuar çdo dymujor, për njësinë e vetëqeverisjes vendore;
gj) të grumbullojnë e të hartojnë informacione dhe statistika për ndihmën ekonomike dhe pagesën e personave me aftësi të kufizuar dhe t’i raportojnë ato pranë bashkisë;
h) të bashkërendojnë informacionin lidhur me familjet përfituese me administratorët e tjerë shoqërorë të njësive të vetëqeverisjes vendore;
i) të informojnë dhe të udhëzojnë komunitetet lidhur me skemën e ndihmës ekonomike dhe pagesën e aftësisë së kufizuar, me anë të fushatave të ndryshme informuese;
j) të bashkëpunojnë me punonjësit socialë, që janë pjesë e strukturës së posaçme për shërbimet e kujdesit shoqëror dhe/ose njësisë së vlerësimit të nevojave dhe referimit të rastit në njësinë e vetëqeverisjes vendore, për kategoritë përfituese të ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar, sipas përcaktimeve në nenin 36, të ligjit nr.121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë;
k) të adresojnë rastet e individëve/familjeve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuar drejt programeve të tjera sociale, shëndetësore e të punësimit, me qëllim rehabilitimin dhe integrimin e tyre në jetën shoqërore.

KREU VI
FINANCIMI I PROGRAMEVE TË asistencës SOCIALE

Neni 24
Financimi i programeve të asistencës sociale

Programet e asistencës sociale për ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar dhe të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi i bebes) financohen nga buxheti i shtetit.

Neni 25
Programimi i fondeve

1. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale programon fondet për ndihmën ekonomike dhe pagesën e personave me aftësi të kufizuar në përputhje me vlerësimin e kërkesave të ardhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, dhe i detajon që në fillim të vitit, për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore. Planifikimi i fondeve përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjes sociale.
2. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale programon fondet për ndihmën e menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura, çdo fillim viti.

Neni 26
Transferimi i fondeve

1. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale transferon çdo dy muaj fondin e ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar në bashki.

2. Transferimi i fondeve për ndihmën e menjëhershme financiare të nënave me foshnja të porsalindura bëhet në bankat e nivelit të dytë.

Neni 27
Kontrolli i fondeve

Kontrolli për përdorimin e fondeve të ndihmës ekonomike, të pagesës për personat me aftësi të kufizuar dhe mbështetjes financiare për foshnjat e porsalindura bëhet nga organet e specializuara të kontrollit, në përputhje me ligjet nr.114/2015, “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, dhe nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

KREU VII
SANKSIONET DHE PROCEDURA E ANKIMIMIT

Neni 28
Sanksionet

1. Shkeljet e detyrimeve të përcaktuara në nenet 20, 22 dhe 23, të këtij ligji, dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij, kur nuk përbëjnë vepër penale,:

a) përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, sipas ligjit nr.10 279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”;
b) ndëshkohen me masë disiplinore.

2. Struktura përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit për ndihmën ekonomike, për pagesën për personat me aftësi të kufizuara në Shërbimin Social Shtetëror, në nivel qendror dhe/ose rajonal, për shkeljet përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij, konstaton kundërvajtjen administrative dhe i propozon, për shkelësit, kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore/Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror vendosjen e:

a) gjobës, nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë;
b) masës disiplinore;
c) shpërblimit të dëmit, nëse është shkaktuar një i tillë.

Neni 29
Ankimi

1. Aplikuesi për përfitimin e ndihmës ekonomike, kur gjykon se vendimi zyrtar i organit përkatës është i padrejtë dhe personi me aftësi të kufizuar, kur gjykon se i është shkelur një e drejtë e garantuar nga ky ligj, mund të paraqesin ankesë me shkrim pranë bashkisë/njësisë administrative brenda 20 ditëve kalendarike nga marrja e njoftimit. Struktura vendore shqyrton ankesën dhe njofton me shkrim ankuesin, brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.

2. Aplikuesi për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe personi me aftësi të kufizuar kanë të drejtë të paraqesin ankesë me shkrim pranë strukturës rajonale të Shërbimit Social Shtetëror brenda 20 ditëve kalendarike, nga marrja e përgjigjes nga struktura vendore, pas ezaurimit të ankimit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.

3. Struktura rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, pas shqyrtimit dhe verifikimit të ankesave, njofton me shkrim të interesuarin dhe njësinë e vetëqeverisjes vendore brenda 14 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.

4. Aplikuesi për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe personi me aftësi të kufizuar, që pretendojnë se u është shkelur dhe/ose mohuar një e drejtë ligjore, gëzojnë të drejtën për të ngritur padi në gjykatë, në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin nr.49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar.

KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 30
Vlerësimi bio-psiko-social i aftësisë së kufizuar

Në njësitë e vetëqeverisjes vendore, në të cilat zbatohet modeli bio-psiko-social i vlerësimit të aftësisë së kufizuar me komision vlerësimi shumëdisiplinor për personat që kërkojnë të vlerësohen/rivlerësohen për aftësinë e kufizuar dhe përdoret regjistri elektronik kombëtar, ndiqen këto procedura:

a) Kërkesa dhe dokumentacioni për vlerësimin e aftësisë së kufizuar paraqiten pranë zyrës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar në drejtorinë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, e cila hedh të dhënat e aplikuesit në Regjistrin Elektronik Kombëtar, administron dokumentacionin, kryen verifikimin dhe vlerësimin e individëve dhe merr vendimin për aftësinë e kufizuar;
b) Drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror pajis me dokumentin përkatës personin me aftësi të kufizuar dhe i dërgon kryetarit të bashkisë vendimin përfundimtar për të gjithë përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar, për të kryer veprimet financiare;
c) Masa, kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për vlerësimin e përfitimin e aftësisë së kufizuar dhe të ndihmësit personal, si dhe strukturat përgjegjëse dhe detyrat e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 31
Dispozita kalimtare

1. Përdorimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar të të dhënave për aplikuesit e përfituesit të pagesës së aftësisë së kufizuar bëhet në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

2. Aktet nënligjore, në zbatim të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, që nuk bien në kundërshtim me këtë ligj, do të zbatohen deri në nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 32
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e ligjit, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 9, pika 2; 12, pikat 1, 3, 4, 5 e 8; 13, pikat 1 e 2; 14; 15, pika 1, shkronja “b”; 16, pikat 2 e 3; 17, pika 1; 19, pikat 2 e 3; 20, pikat 2 e 3, shkronja “c”; 21; 30, shkronja “c”; dhe 31, pika 1.

2. Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet sociale për nxjerrjen e udhëzimeve në zbatim të neneve 12, pika 9, dhe 25, pika 1, të këtij ligji.

3. Ngarkohet ministri përgjegjës për gjendjen civile dhe ministri përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale për nxjerrjen e udhëzimit të përbashkët në zbatim të nenit 9, pika 3, të këtij ligji.

Neni 33
Shfuqizime

Ligji nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 34
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ASISTENCËN SOCIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.