Postuar më: 26 Qershor 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Qershor 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Qershor 2019: 

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9942, DATË 26.6.2008, “PËR PARANDALIMIN E ÇRREGULLIMEVE TË SHKAKTUARA NGA PAMJAFTUESHMËRIA E JODIT NË ORGANIZMIN E NJERIUT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9942, datë 26.6.2008, “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

Neni 1

Në të gjithë përmbajtjen e ligjit emërtimi “… ministri/a i/e shëndetësisë …” zëvendësohet me “… ministri/a përgjegjës/e për shëndetësinë…”

Neni 2

Në nenin 3, termat “Konsum direkt” dhe “Konsum indirekt” zëvendësohen, përkatësisht, me “Konsum i drejtpërdrejtë” dhe “Konsum i tërthortë”.

Neni 3

Në nenin 6, pas paragrafit të parë shtohen paragrafët, si më poshtë vijon:
“Lejohet importimi i kripës ushqimore të pajodizuar vetëm me qëllimin e fortifikimit të kripës me jod, nga subjekte të licencuara për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi për licencimin.
Lejohet përdorimi i kripës së pajodizuar në prodhimin e ushqimeve, përgatitja e të cilave parashikon, domosdoshmërisht, përdorimin e kripës së pajodizar. Këto ushqime përcaktohen me udhëzimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe ministrit përgjegjës për ushqimin.
Lejohet eksporti i kripës së pajodizuar dhe i ushqimeve të prodhuara me kripë të pajodizuar në vende ku nuk ekziston ndalimi i përdorimit të kripës së pajodizuar.”.

Neni 4

Neni 12 riformulohet, si më poshtë vijon:

“Neni 12
Kontrolli i kripës së jodizuar

1. Kripa e jodizuar, e prodhuar ose e importuar, e destinuar të tregtohet në Republikën e Shqipërisë, është objekt kontrolli.
2. Kontrolli i kripës së jodizuar përfshin veprimtaritë e mëposhtme:

a) Monitorimin, i cili kryhet nga drejtoritë rajonale dhe vendore të shëndetësisë;
b) Inspektimin, i cili kryhet nga inspektorati që mbulon fushën e shëndetësisë.
3. Ministri përgjegjës për shëndetësinë, për përcaktimin e nivelit të jodit në kripën e jodizuar, përcakton institucionet shëndetësore që do të kryejnë analizat.
4. Kontrolli i kripës së jodizuar, për përcaktimin e nivelit të jodit në mostrën e kripës së jodizuar, bëhet nëpërmjet analizave laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe sipas rekomandimeve të OBSH-së, ICCIDD-it dhe UNICEF-it.”.

Neni 5

Pas nenit 12 shtohet neni 12/1, si më poshtë vijon:

“Neni 12/1
Kontrolli i kripës së jodizuar në pikat doganore
1. Kripa e jodizuar, që importohet në Republikën e Shqipërisë nga subjektet importuese, i nënshtrohet kontrollit në pikat doganore (degët doganore kufitare). Ky kontroll realizohet nga autoriteti doganor, drejtoritë rajonale dhe vendore të shëndetësisë dhe inspektorati që mbulon fushën e shëndetësisë.
2. Për kripën e jodizuar të importit, edhe në rastet kur në dokumentet shoqëruese është pasqyruar niveli i jodit, importuesi është i detyruar të kryejë analizën laboratorike për nivelin e jodit në çastin e futjes së kripës në pikën doganore.
3. Shpenzimet për marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave laboratorike të nevojshme për kontrollin e kripës së jodizuar përballohen nga operatori i biznesit ushqimor përgjegjës për ngarkesën. Tarifat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 6

Neni 13 riformulohet, si më poshtë vijon:

“Neni 13
Monitorimi i kripës së jodizuar
1. Monitorimi i nivelit të jodit në kripë në pikat e prodhimit në vend, në ato të importimit dhe në pikat e shitjes me pakicë/shumicë kryhet nga drejtoritë rajonale dhe vendore të shëndetësisë, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e tyre.
2. Prodhuesi i kripës së jodizuar në vend dhe importuesi i saj janë përgjegjës për cilësinë e kripës së jodizuar.”.

Neni 7

Pas nenit 13/1 shtohet neni 13/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 13/2
Kërkesat për gjurmueshmërinë e kripës për konsum human, shtazor dhe përdorim në industrinë ushqimore
1. Operatori i biznesit ushqimor krijon dhe mban informacionin e nevojshëm për gjurmueshmërinë në të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit, jodizimit të kripës dhe shpërndarjes së saj.
2. Informacioni i nevojshëm për gjurmueshmërinë përfshin këto të dhëna:
a) Identitetin e çdo subjekti tregtar/personi juridik apo fizik, nga i cili operatori i biznesit ushqimor është furnizuar me kripë;
b) Identitetin e çdo subjekti tregtar, të cilin operatori i biznesit ushqimor e ka furnizuar me kripë.
3. Operatori i biznesit ushqimor ruan të dhënat e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, për jo më pak se 3 vjet dhe siguron që këto të dhëna t’i jepen menjëherë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe inspektoratit përgjegjës për shëndetësinë.
4. Kripa ushqimore e nxjerrë në treg ose që mund të nxirret në treg duhet të etiketohet e të identifikohet nëpërmjet dokumenteve dhe çdolloj informacioni tjetër, për të siguruar gjurmueshmërinë.”.

Neni 8

 

Në pikën 2, të nenit 21, pas fjalëve “… të nenit 11 …” shtohen “… dhe të pikës 3, të nenit 12/1…”.

Neni 9
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9942, DATË 26.6.2008, “PËR PARANDALIMIN E ÇRREGULLIMEVE TË SHKAKTUARA NGA PAMJAFTUESHMËRIA E JODIT NË ORGANIZMIN E NJERIUT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9942, datë 26.6.2008, “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (HUAMARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN E FURNIZIMIT ME UJË TË ZONAVE RURALE IV”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Huamarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit, (Agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (HUAMARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN E FURNIZIMIT ME UJË TË ZONAVE RURALE IV

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Huamarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit, (Agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV, me një hua në shumën 40 000 000 (dyzet milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI 

 

SHTESA 8331