Postuar më: 19 Qershor 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Qershor 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Qershor 2019:

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.107/2014, “PËR PLANIFIKIMIN DHE ZHVILLIMIN E TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 81 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

Neni 1

Pas pikës 1, të nenit 3, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Agjencia e Zhvillimit të Territorit është institucion që ka përgjegjësi zhvillimin e territorit dhe kryen funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit.”.

Neni 2

Në nenin 7 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në paragrafin e parë, pas shkronjës “c” shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) KKT-ja vendos miratimin e rregulloreve të veçanta për kushtet e zhvillimit për rastet në kompetencë të saj.”.
2. Në paragrafin e dytë, pas fjalëve “Pranë Këshillit Kombëtar të Territorit funksionon sekretariati teknik i këtij këshilli …” shtohet emërtesa “Agjencia e Zhvillimit të Territorit”.

Neni 3

Pas pikës 4, të nenit 25, shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1. Autoriteti përgjegjës për miratimin përfundimtar, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas botimit në regjistrin e planifikimit të territorit, dërgon pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për regjistrim, planet e detajuara për zona të rëndësisë kombëtare, planet e përgjithshme vendore dhe planet e detajuara vendore. Me regjistrimin e dokumenteve të planifikimit ndryshon automatikisht resursi i tokës, sipas parashikimit të planit.”.

Neni 4

Në fund të pikës 1, të nenit 28, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“KKT-ja vendos miratimin e rregulloreve të veçanta për kushtet e zhvillimit për rastet në kompetencë të saj.”.

Neni 5

Pika 2, e nenit 38, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Leja e zhvillimit është e nevojshme për çdo parcelë dhe jepet me miratimin e planit të detajuar vendor. Në rastin e parcelave, për të cilat nuk parashikohet hartimi i një plani të detajuar vendor, leja e zhvillimit jepet sipas përcaktimeve në rregulloren e zhvillimit. Autoriteti përgjegjës, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga miratimi, dërgon pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për regjistrim, lejen e zhvillimit. Me regjistrimin e lejes së zhvillimit ndryshon automatikisht resursi i tokës, sipas parashikimit të lejes.”.

Neni 6

Në pikën 1, të nenit 42, fjalët “… autoriteti përgjegjës i planifikimit …” zëvendësohen me “… autoriteti përgjegjës i zhvillimit …”.

Neni 7

Në pikën 2, të nenit 44, pas fjalëve “… brenda 60 ditëve …” shtohet fjala “… pune …”.

Neni 8

Në nenin 48 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në titullin e nenit, pas fjalëve “Rishikimi i kushteve të lejes” shtohen fjalët “… dhe ndryshimi i projektit gjatë ndërtimit”.
2. Në pikën 2, pas fjalës “Rishikimi…”, shtohen fjalët “… i kushteve apo ndryshimi i projektit gjatë ndërtimit …”.
3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Rastet kur kërkohet rishikimi i kushteve apo ndryshimi i projektit gjatë ndërtimit, si dhe procedura, sipas përcaktimeve të këtij neni, kryhen sipas rregullores së zhvillimit.”.

Neni 9

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.107/2014, “PËR PLANIFIKIMIN DHE ZHVILLIMIN E TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE