Postuar më: 3 Korrik 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 03 Korrik 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 03 Korrik 2019:

 

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013, “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”,  TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

Neni 1

 

Titulli i ligjit ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë”.

 

Neni 2

 

Neni 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Neni 1

Objekti

 

Ky ligj rregullon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e personave fizikë dhe juridikë, që ofrojnë shërbime audio, audiovizive dhe shërbime të publikimeve elektronike, nëpërmjet rrjetit të komunikimeve elektronike, si dhe promovimin e pluralizmit të medias dhe çështjeve të tjera me rëndësi për shërbimet mediatike, në përputhje me konventat dhe standardet ndërkombëtare.”.

 

Neni 3

 

Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Neni 2

Fusha e zbatimit

 

Ky ligj zbatohet për transmetimet audiovizive lineare, transmetimet audiovizive jolineare, shërbimet mbështetëse të tyre dhe për shërbimet e publikimeve  elektronike.”.

 

Neni  4

 

Në nenin 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

  1. Në pikën 3, emërtimi “Autoriteti i Mediave Audiovizive” zëvendësohet me “Autoriteti i Mediave Shqiptare”.

 

  1. Pas pikës 17 shtohet pika 17/1, me këtë përmbajtje:

 

“17/1. Ofruesi i Shërbimit të Publikimeve Elektronike (OSHPE) është personi fizik ose juridik, pavarësisht nëse është i regjistruar ose jo si i tillë në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike, i cili ofron shërbimet e publikimeve elektronike, siç janë përcaktuar në pikën 26/1, të këtij neni.”.

 

  1. Pika 22 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“22. “Përgjegjësi editoriale”, nënkupton ushtrimin e kontrollit efektiv si për përzgjedhjen e programeve dhe për organizimin e tyre në:

  1. a) një listë dhe orar, në rastin e shërbimeve të transmetimit të drejtpërdrejtë audioviziv;
  2. b) një katalog, në rastin e shërbimeve të programit audioviziv, sipas kërkesës;
  3. c) një publikim në rastin e mediave elektronike.”.

 

  1. Pika 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“23. “Prodhime të pavarura”, nënkuptojnë aktivitetet e prodhimit të veprave mediatike, të cilat plotësojnë një nga kushtet e mëposhtme:

  1. a) Kur nuk janë të kontrolluara ose të lidhura me transmetuesit me licencë ose me autorizim për transmetim ose me ofruesit e shërbimeve të regjistruara në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike;
  2. b) Kur për një periudhë prej tri vitesh, të paktën 90 për qind e këtyre prodhimeve nuk janë të destinuara për një transmetues të vetëm.”.

 

  1. Pika 24 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“24. “Prodhues i pavarur”, është personi fizik a juridik, i regjistruar për prodhimin e veprave audio dhe audiovizive me vendndodhje në Republikën e Shqipërisë ose në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, ose në ndonjë vend tjetër, që është nënshkrues i një marrëveshjeje ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim për Republikën e Shqipërisë, që nuk është i lidhur me një ofrues të shërbimit të medias, pjesëmarrës në treg, në kuptim të ligjit që rregullon mbrojtjen e konkurrencës.

24/1. “Prodhimi personal”, është një program ose publikim që është prodhuar për herë të parë nga ofruesi i shërbimit të medias ose një person tjetër nën drejtimin dhe në emër të ofruesit të shërbimit të medias.

24/2. “Bashkëprodhimi”, është një prodhim ose publikim i përbashkët i ofruesve të shërbimeve mediatike ose ofruesit të shërbimit mediatik dhe një prodhuesi të pavarur.”.

 

  1. Pas pikës 26 shtohen pikat 26/1 dhe 26/2, me këtë përmbajtje:

 

“26/1 “Publikimi elektronik”, nënkupton faqe interneti me përmbajtje të formësuar editoriale dhe/ose portale që përmbajnë versione elektronike të medias së shkruar dhe/ose informacione mediatike të ofruara për publikun, me qëllim argëtimin, informimin dhe edukimin.

26/2 “Media elektronike”, është  program ose përmbajtje programi audio dhe audioviziv, përmbajtje programi e ofruar për publikun, nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit dhe përmbajtje e publikimeve elektronike.”.

7. Pas pikës 53 shtohen pikat 54, 55 dhe 56, më këtë përmbajtje:  “54. “Regjistri i Ofruesve të Shërbimeve Mediatike”, është një regjistër kombëtar ku regjistrohen ofruesit e shërbimeve audio, audiovizive dhe ofruesit e publikimeve elektronike. 55. “Media outlet”, është një publikim ose program transmetimi që ofron lajme, artikuj apo krijime për publikun, nëpërmjet kanaleve të ndryshme të shpërndarjes. Media outlet përfshin gazeta, revista, radio, televizion dhe internet. 56. “Përmbajtje e programit”, janë informacionet, idetë, shprehje mendimesh si dhe vepra të autorësisë në formë audio (në vijim referuar si përmbajtje audio), ose në formën e imazheve të lëvizshme, me ose pa tinguj (në vijim referuar si përmbajtje audiovizive) që përbën një element individual brenda një liste apo katalogu të krijuar nga ofruesi i shërbimit, i cili bëhet i disponueshëm për publikun përmes mediave elektronike me qëllim për të informuar, argëtuar, edukuar.”.

Neni  5

 

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:

 

  1. Titulli i nenit 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Parimet themelore të veprimtarisë së  ofruesve të shërbimeve mediatike”.

 

  1. Në pikën 2, të nenit 4, fjala “… audioviziv …” zëvendësohet me fjalët “… të medias elektronike …”.

 

Neni 6

 

Pas nenit 4 shtohet neni 4/1, me këtë përmbajtje:

 

“Neni 4/1.

Interpretimi i ligjit

 

  1. Dispozitat e këtij ligji nuk mund të interpretohen në mënyrë të tillë që të japin të drejtën për të censuruar apo kufizuar të drejtën për lirinë e fjalës ose lirinë e shprehjes.
  2. Ky ligj duhet të interpretohet në përputhje me parimet e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, sikurse zbatohet në praktikat ligjore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”.

 

Neni 7

 

Titulli i kreut II ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Autoriteti Shqiptar i Mediave (AMA)”.

 

Neni 8

 

Pika 1, e nenit 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“1. AMA është autoriteti rregullator në fushën e shërbimeve të medias elektronike dhe shërbimeve të tyre mbështetëse në territorin e Republikën e Shqipërisë.”.

 

Neni 9

 

Në nenin 18 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

  1. Në pikën 1 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

  1. a) Në shkronjën “a”, fjala “… audiovizive …” zëvendësohet me fjalët “… mediatike, të cilat janë në fushën e veprimit të këtij ligji …”.
  2. b) Në shkronjën “c”, pas fjalës “… shërbimeve …” shtohen fjalët “… mediatike, të cilat janë në fushën e veprimit të këtij ligji …”.

 

  1. Në pikën 2 bëhen shtesat, me këtë përmbajtje:

 

  1. a) Në shkronjën “a”, pas fjalës “… programeve …” shtohen fjalët “… dhe publikimeve …”.
  2. b) Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:

“e) nxitjen e përmbajtjes së përgjegjshme në mediat on-line dhe nxitjen e miratimit të një Kodi Etike ndërmjet operatorëve dhe ofruesve të këtyre shërbimeve në këtë drejtim.”.

 

Neni 10

 

Në nenin 19 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

 

  1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

 

  1. Shkronja “h” ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“h) zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet ofruesve të shërbimeve të transmetimeve audio ose audiovizive, përfshirë mosmarrëveshjet me transmetuesin publik dhe mosmarrëveshjet ndërmjet subjekteve fizike/juridike dhe ofruesve të shërbimeve mediatike;”.

 

  1. Shkronja “j” ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“j) bashkëpunimi dhe këshillimi me Autoritetin Kombëtar të Certifikimeve Elektronike dhe Sigurinë Kompjuterike (AKCESK), AKEP-in, Autoritetin e Konkurrencës, autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të dhe organet e tjera në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj;”.

 

  1. Pas shkronjës “j” shtohen shkronjat “k” dhe “l”, me këtë përmbajtje:

 

“k) miraton rregulloren e organizimit dhe të funksionimit të Këshillit të Ankesave (në vijim referuar si KA), ku përcaktohen rregulla specifike për trajtimin e ankesave të parashtruara pranë KA-së dhe bordit të administrimit së bashku me përcaktimin e kritereve të qarta për zbatueshmërinë e sanksioneve të parashikuara nga ky ligj, me qëllim respektimin e parimit të proporcionalitetit.

  1. l) administron dhe përditëson Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike;”.

 

  1. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
  2. a) Në shkronjën “a”, fjalët “… mediave audiovizive …” zëvendësohen me fjalën “ … transmentimit …”.
  3. b) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) mbikëqyr zhvillimin e veprimtarisë së medias elektronike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;”.

  1. c) Në shkronjën “c”, fjalët “… mediave audiovizive …” zëvendësohen me fjalën “ … medias …”.

ç) Në shkronjën “ç”, fjalët “… mediave audiovizive, …” zëvendësohen me  “… të outlet media, mediave audiovizive dhe mediave on-line …”.

  1. Pika 3 ndryshon, si më poshtë vijon:

 

“3. AMA mbikëqyr zbatimin e këtij ligji nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e mediave elektronike dhe, në rast shkeljesh, vendos sanksione.”.

 

  1. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“8. AMA jep mendim për veprimtarinë e medias elektronike në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë për perspektivën e veprimtarisë së mediave audiovizive, sipas kërkesës, apo kryesisht.”.

 

  1. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“10. AMA merr pjesë në veprimtari ndërkombëtare, në lidhje me strategjinë dhe perspektivat e zhvillimit të mediave audiovizive në veçanti dhe shërbimeve të medias në përgjithësi, duke përfaqësuar Republikën e Shqipërisë dhe mbështet pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e subjekteve, publike e private, me organizata homologe evropiane dhe botërore në fushën e medias. AMA përgatit studime me rekomandime për qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në bisedimet ndërkombëtare zyrtare mbi median.”.

 

Neni 11

 

Në nenin 20 bëhen këto ndryshime:

 

  1. Në pikën 1, fjala “… dy …” zëvendësohet me “… katër …”.

 

  1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“2. Objekti i punës së Këshillit të Ankesave është mbikëqyrja e zbatimit të parashikimeve të këtij ligji, atyre të Kodit dhe rregulloreve të miratuara nga AMA, që kanë të bëjnë sidomos me respektimin e dinjitetit dhe të të drejtave të tjera themelore të njeriut.”.

 

  1. Në pikën 3 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

  1. a) Në shkronjën “a”, pas fjalës “… OSHMA-të…” shtohet “… OSHPE-të …”.
  2. b) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“b) të shqyrtojë ankesat sipas neneve 51, 51/1, 52, 53 dhe 53/1, të këtij ligji.”.

 

Neni 12

 

Pas shkronjës “dh”, të pikës 2, të nenin 21, shtohen shkronjat “e” dhe “ë” me këtë përmbajtje:

 

“e) të marrë masa dhe veprime për të nxitur lirinë e medias së bashku me përputhshmërinë e shërbimeve të medias me rregullat dhe detyrimet etike.

ë) të promovojë dhe të marrë masa për të zhvilluar vetërregullimin e medias.”.

 

Neni 13

 

Në nenin 22 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

  1. Në pikën 2, pas fjalëve “… transmetimi audioviziv …” shtohen “… së bashku me publikimin elektronik …”.
  2. Në pikën 4, fjalët “… transmetimet audio dhe/ose audiovizive …” zëvendësohen me “… shërbimet e medias …”.

 

Neni 14

 

Në pikën 1, të nenit 23, pas shkronjës “ç” shtohen shkronjat “d” dhe “dh”, me këtë përmbajtje:

“d) mbikëqyr zbatimin e të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga dispozitat e këtij ligji.

  1. dh) mban dhe publikon Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike.”.

 

Neni 15

 

Neni 30 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Neni 30

Ofruesit e shërbimeve mediatike në juridiksionin e Republikës së Shqipërisë

 

  1. Ofruesi i shërbimit të medias që është nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë është i detyruar të respektojë rregullat që zbatohen për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë.
  2. Ofruesi i shërbimit të medias konsiderohet nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë nëse:

 

  1. a) është themeluar në Republikën e Shqipërisë;
  2. b) nuk është themeluar në Republikën e Shqipërisë, por:

 

  1. përdor një stacion transmetimi satelitor tokësor që ndodhet në Republikën e Shqipërisë; dhe/ose
  2. përdor kapacitetin satelitor që i përket Republikës së Shqipërisë;

iii. përdor domain-et e administruara nga AKEP-i.

 

  1. Ofruesi i shërbimit të medias konsiderohet, gjithashtu, nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë nëse:

 

  1. a) zyra ose struktura e saj e menaxhimit është në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe vendimmarrja editoriale realizohet brenda këtij territori;
  2. b) zyra ose struktura e saj e menaxhimit është në territorin e Republikës së Shqipërisë, por vendimmarrja editoriale për shërbimet e medias bëhet në një vend të BE-së, supozohet se ofruesi i shërbimit të medias është nën jurisdiksionin e Republikës së Shqipërisë, me kusht që pjesa më e madhe e personelit të angazhuar në aktivitetet e shërbimeve mediatike të operojë në Shqipëri;
  3. c) një pjesë e konsiderueshme e stafit të angazhuar në aktivitetet e shërbimeve të medias vepron në Republikën e Shqipërisë dhe në një vend të BE-së, ofruesi i shërbimit të medias supozohet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, nëse selia e tij ndodhet në Republikën e Shqipërisë;

ç) një pjesë e konsiderueshme e personelit në aktivitetet e shërbimeve mediatike nuk operon as në Shqipëri as në një shtet anëtar të BE-së, ofruesi i shërbimit të medias supozohet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, nëse aktiviteti i tij filloi për të parën herë në këtë vend, në përputhje me legjislacionin shqiptar, me kusht që ai të mbajë marrëdhënie të qëndrueshme dhe efikase me ekonominë shqiptare;

  1. d) interesat e saj fitimprurëse kryesore lidhen me subjektet tregtare të themeluara sipas ligjit shqiptar ose që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  2. dh) mbi 50% e përdoruesve/ndjekësve/abonentëve janë rezidentë të Republikës së Shqipërisë;
  3. e) komunikimi/publikimi i tij i parë ndaj publikut të gjerë po bëhet në Shqipëri/për Shqipërinë.

 

  1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për ato shërbime të medias që, edhe pse nuk përfshihen në pikat 2 e 3, të këtij neni:

 

  1. a) përdorin një lidhje satelitore nga territori i Republikës së Shqipërisë;
  2. b) nuk përdorin lidhje satelitore nga territori i Republikës së Shqipërisë, por përdorin hapësirën transmetuese satelitore dhe burimet që i përkasin Republikës së Shqipërisë.

 

  1. Kur një ofrues i shërbimit të medias ka selinë në Republikën e Shqipërisë, por vendimet për shërbimet e medias bëhen në një vend të tretë ose anasjelltas, ofruesi supozohet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, me kusht që shumica e stafit/fuqisë punëtore të angazhuar në aktivitetet e shërbimeve të medias funksionon në Republikën e Shqipërisë.
  2. Nëse juridiksioni nuk mund të përcaktohet sipas pikave 2 deri 6, të këtij neni, shteti anëtar kompetent është ai në të cilin ndodhet OSHMA-ja, në kuptim të neneve 49 dhe 50, të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE-së dhe shteteve anëtare të saj.
  3. Në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, çështja e juridiksionit, në përputhje me pikën 6, të këtij neni, do të zgjidhet në përputhje me nenet 49 deri 55, të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian.”.

 

Neni 16

 

Në nenin 31 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

  1. Titulli i nenit 31 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Llojet e ofruesve të shërbimeve mediatike”.

 

  1. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

 

“3. Në përputhje me mënyrën e komunikimit me publikun e gjerë, ofruesit e shërbimeve të medias së shkruar janë, si më poshtë vijon:

  1. a) Media e shtypur;
  2. b) Publikimet elektronike.”.

 

Neni 17

 

Në shkronjën “ë”, të pikës 1, të nenit 33, pas fjalëve “… të drejtat e autorit …” shtohen fjalët “ … transmetimit, ritransmetimit …”.

 

Neni 18

 

Pas nenit 33 shtohen nenet 33/1 dhe 33/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 33/1

Detyrimet e OSHPE-ve

 

  1. Ofruesi i shërbimit të publikimit elektronik duhet të bëjë lehtësisht, të aksesueshëm, në mënyrë direkte dhe të përhershme për publikun e gjerë, të paktën, infromacionin e mëposhtëm:
  2. a) Emrin e ofruesit të shërbimit;
  3. b) Vendndodhjen e zyrave qendrore ose vendqëndrimin e ofruesit të shërbimit, adresën e tij elektronike ose atë të faqes së internetit;
  4. c) Organin kompetent të ofruesit të shërbimit.

 

  1. Një ofrues i shërbimit të publikimit elektronik duhet të respektojë privatësinë dhe dinjitetin e qytetarëve dhe të mbrojë integritetin e të miturve.
  2. Një ofrues i shërbimeve të publikimeve elektronike duhet të publikojë paralajmërim të përshtatshëm për përmbajtjen e publikimeve, të cilat mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, shëndetësor, moral, mendor, intelektual, emocional dhe social të të miturve.
  3. E drejta e korrigjimit dhe e përgjigjes ndaj informacionit të publikuar, nëpërmjet një ofruesi të shërbimeve të publikimeve elektronike, do të ushtrohet në përputhje me ligjin që rregullon mediat.

 

  1. Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike nuk duhet të nxisë, të shtojë nxitjen ose të përhapë urrejtje apo diskriminim në bazë të racës, prejardhjes etnike, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, gjuhës, fesë, besimit politik apo tjetër, prejardhjes kombëtare ose sociale, gjendjes financiare, anëtarësimit në sindikata, arsimit, statusit social, gjendjes martesore ose familjare, moshës, gjendjes shëndetësore, paaftësisë, trashëgimisë gjenetike, identitetit gjinor apo orientimit seksual.
  2. Publikimi i informacionit që zbulon identitetin e të miturit nën moshën 18 vjeç, i përfshirë në çdo rast të dhunës, pa marrë parasysh nëse është dëshmitar, viktimë apo shkelës, ose zbulimin e ndonjë veçantie të marrëdhënieve familjare dhe jetës private të një fëmije, ndalohet.

 

Neni 33/2

Identifikimi/regjistrimi i ofruesve të shërbimit të publikimeve elektronike

Një person fizik a juridik, i cili ofron shërbime të publikimeve elektronike, do të aplikojë tek AMA për regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave të tij në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike. Ky identifikim nuk është parakusht për të ofruar shërbimin.”.

 

Neni 19

 

Pas nenit 37 shtohet neni 37/1, me këtë përmbajtje:

 

“Neni 37\1

Regjistri i Ofruesve të Shërbimeve Mediatike

 

  1. AMA do të mbajë, do të administrojë dhe do të publikojë një regjistër të ofruesve të shërbimit të medias, të licencuar, të autorizuar ose jo.
  2. Përmbajtja e aplikimit të referuar në nenin 33\2, dhe mënyra e mbajtjes së regjistrit të përditësuar miratohen nga AMA. Regjistri sipas pikës 1, të këtij neni, përmban, në veçanti:
  3. a) emrin e shërbimeve të medias;
  4. b) emrin e ofruesit të shërbimit të medias dhe informacion për shërbimin e ofruar;
  5. c) numrin dhe datën e lëshimit të licencës, arsyet për ofrimin e shërbimeve nëse ofrohet pa asnjë detyrim për të marrë autorizim ose licencë;

ç) llojin e shërbimeve të medias, në përputhje me këtë ligj;

  1. d) periudhën për të cilën lëshohet autorizimi apo licenca;
  2. dh) informacione për personin përgjegjës të ofruesit të shërbimit të medias;
  3. e) informacion rreth masave të vendosura ndaj ofruesit të shërbimit të medias.

 

  1. AMA kryesisht do të fshijë nga regjistri ofruesin e shërbimeve mediatike, pas mbarimit të afatit të parashikiuar në licencën apo autorizimin e lëshuar.

 

  1. Ofruesit e shërbimeve të medias, që nuk janë regjistruar në këtë regjistër ose që nuk i kanë përditësuar të dhënat në përputhje me rregullat e përcaktuara nga AMA, nuk do të përfitojnë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër.”.

 

Neni 20

 

Pas pikës 6, të nenit 42, shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:

 

“6/1. Të gjitha format e komunikimeve me natyrë tregtare në transmetimet audiovizive dhe publikimet elektronike për lojërat e fatit, bastet sportive, kazinotë dhe bingot televizive, janë të ndaluara.”.

 

Neni 21

 

Pas nenit 51 shtohet neni 51/1, me këtë përmbajtje:

 

“Neni 51/1

Procedurat për trajtimin dhe shqyrtimin e ankesave

 

  1. OSHPE-ja është e detyruar të shqyrtojë çdo ankesë të arsyetuar të paraqitur me shkrim nga çdo person për programet e publikuara prej tij, lidhur me zbatimin e kërkesave të nenit 33/1, të këtij ligji.

 

  1. Ankesa i paraqitet OSHPE-së jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e publikimit/transmetimit të përmbajtjes, ose në rastin e dy ose më shumë publikimeve të lidhura me njëra-tjetrën, nga data e publikimit/transmetimit më të fundit.

 

  1. Personi që pretendon shkeljen, duhet t’i kërkojë ofruesit të shërbimit të publikimit elektronik, duke paraqitur arsyet dhe faktet që mbështesin kërkesën, heqjen e përmbajtjes.

 

  1. Ofruesi i shërbimit të publikimit elektronik, brenda 72 orësh nga marrja e ankesës, duhet të shqyrtojë ankesën dhe të informojë ankuesin.

 

  1. Nëse OSHPE-ja refuzon ankesën, ose nuk kthen përgjigje brenda 72 orësh nga marrja e saj, personi ka të drejtë të ankohet pranë këshillit të ankesave. Këshilli i Ankesave, brenda 72 orësh nga depozitimi/paraqitja e ankesës, vendos mbi ankesën përkatëse ose nga paraqitja e pretendimeve të OSHPE-së në rastet e zbatimit të pikës 6, të këtij neni.

 

  1. Këshilli i Ankesave, kur e çmon të nevojshme, ia kalon ankesën e paraqitur OSHPE-së për të paraqitur pretendimet e veta brenda 48 orësh.

 

  1. Pas shqyrtimit të ankesës dhe/ose pretendimeve të OSHPE-së, Këshilli i Ankesave, nëse çmon se ka shkelje, merr masat përkatëse, duke përfshirë sanksionet në përputhje me këtë ligj. Në çdo rast, këshilli i ankesave njofton me shkrim personin që ka paraqitur ankesën dhe OSHPE-në përkatëse mbi konkluzionet dhe masat.

 

  1. OSHPE-ja publikon konkluzionin e Këshillit të Ankesave, kur ky konkluzion është në favor të personit që ka kryer ankesën, brenda 48 orësh nga marrja e njoftimit, në mënyrë të njëjtë me atë të publikimit, kundrejt të cilit është bërë ankesa.”.

 

Neni 22

Në nenin 52 bëhen këto ndryshime:

 

  1. Në pikën 3, numri “ … 7 … ” zëvendësohet me “ … 3 …”.
  2. Në pikën 6, pas fjalëve “… periudhë sa më të shkurtër …” shtohen fjalët “ … por jo më vonë se 5 ditë …”.

                                                          

Neni 23

 

Pas nenit 53 shtohet neni 53/1, me këtë përmbajtje:

 

“Neni 53/1

E drejta e përgjigjes për OSHPE-të

 

  1. Çdo person, dinjiteti dhe reputacioni i të cilit është prekur nga publikimi i fakteve dhe informacioneve jo të sakta prej OSHPE-së, ka të drejtën e përgjigjes.

 

  1. Personi që ushtron të drejtën e përgjigjes, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim, drejtuar ofruesit të shërbimit të publikimit elektronik duke parashtruar arsyet dhe faktet që mbështetin kërkesën e tij.

 

  1. Kërkesa për të drejtën e përgjigjes duhet të paraqitet tek OSHPE-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga publikimi i fakteve dhe informacioneve që pretendohen jo të sakta.

 

  1. Brenda 48 orëve nga marrja e kërkesës, OSHPE-ja vendos për ushtrimin ose refuzimin e së drejtës së përgjigjes dhe për këtë njofton me shkrim kërkuesin.

 

  1. Ofruesi i shërbimeve të publikimeve elektronike, nëse vendos për ushtrimin e të drejtës, publikon përgjigjen e personit ose institucionit që është prekur/përmendur nga publikimi, pa kosto financiare për personin e prekur/përmendur. Përgjigja duhet të publikohet e plotë, e dukshme dhe në të njëtën faqe ku është publikuar materiali që kontestohet. Nëse publikimi hiqet nga faqja/portali përpara se përgjigjja e personit të prekur/përmendur të publikohet, përgjigja duhet të jetë e vendosur në një pozicion të krahasueshëm dhe për të njëjtën kohëzgjatje si publikimi i mëparshëm.

 

  1. Ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike nuk kanë detyrim të publikojnë përgjigjen siç parashikohet në pikën 1, të këtij neni, nëse:

 

  1. a) pala e prekur/përmendur nuk ka interes të ligjshëm për të dhënë përgjigje;
  2. b) përgjigja në mënyrë të papërshtatshme tejkalon shkallën e pohimit të fakteve që kontestohen;
  3. c) përgjigja nuk kufizohet vetëm në informacion faktik ose përfshin përmbajtje që kanë të bëjnë me ndjekjen e një procedure penale.

 

Ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike nuk kanë detyrim të publikojnë përgjigjen për lajmin/informacionin e kontestuar në lidhje me raportimet e vërteta në sesionet e hapura të organeve të Kuvendit dhe organeve të tjera shtetërore.

 

  1. Nëse kërkuesi nuk merr një përgjigje brenda afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, prezumohet se OSHPE-ja ka refuzuar kërkesën.

 

  1. Këshilli i Ankesave, brenda 72 orësh nga paraqitja e një ankese për refuzimin e së drejtës së përgjigjes nga një OSHPE, shqyrton çështjen dhe, nëse e gjen të drejtë ankesën e bërë, i kërkon OSHPE–së, korrigjimin e fakteve dhe informacioneve, në lidhje me personin e interesuar, në një mënyrë të ngjashme dhe kohë të njëjtë me atë të publikimit, objekt ankese, brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit:

 

  1. a) në fillim të procedurës së shqyrtimit të ankesës, këshilli i ankesave i kërkon OSHPE-së, të cilit i adresohet ankesa, dhënien e shpjegimeve në lidhje me këtë ankesë.
  2. b) Këshilli i Ankesave i dërgon ankuesit dhe OSHPE-së përkatëse konkluzionet e arsyetuara për rastin.

 

  1. Këshilli i Ankesave mund të refuzojë një ankesë kur:

 

  1. a) vlerëson se ajo është abuzive dhe e pabazuar, apo e bërë në keqbesim;
  2. b) e drejta e kërkuar për përgjigje është opinion personal i personit dhe ska të bëjë me rregullimin e ndonjë lajmi për ndonjë fakt apo fakti në vetvete;
  3. c) e drejta e kërkuar për përgjigje përmban parashtrimin e fakteve dhe informacioneve të rreme;

ç) e drejta e kërkuar për përgjigje është bërë për të kërkuar parandalimin e veprimeve të pritshme apo që nuk kanë ndodhur ende;

  1. d) përmbushja e së drejtës për përgjigje përfshin një ndëshkim, kapërcen rregullat e mirësjelljes, apo sjell dënimin e ofruesit të shërbimit të medias në një proces gjyqësor civil;
  2. dh) personi i dëmtuar nga informacioni i kundërshtuar nuk ka interes të ligjshëm në momentin e kërkesës për ushtrimin e së drejtës së përgjigjes;
  3. e) publikimi i kundërshtuar përmban një thënie apo deklarim të personit të prekur, të tillë që konsiderohet i barasvlershëm me vetë përgjigjen e kërkuar ose kur personi ka dhënë pëlqimin paraprak në një mënyrë formale lidhur me përmbajtjen e publikimit;

ë) një korrigjim i barasvlershëm i të dhënave të informacionit të kundërshtuar është bërë paraprakisht dhe për këtë është njoftuar personi i prekur;

  1. f) përmbajtja e përgjigjes së kërkuar dhunon të drejtat e një pale të tretë;
  2. g) çështja objekt ankese lidhet me thëniet gjatë veprimtarive parlamentare, zhvillimit të seancave gjyqësore apo transmetimit të veprimtarive të subjekteve politike;
  3. gj) publikimi i së drejtës për përgjigje nuk është në interes të publikut;
  4. h) kërkesa është paraqitur në tejkalim të ”.

Neni 24

Në nenin 132 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

  1. Në pikën 1, paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“a) detyrimin e ofruesit të shërbimit të medias për të:

 

  1. publikuar formulën e ndjesës, sipas formës dhe përmbajtjes të përcaktuar nga AMA;
  2. hequr përmbajtjen e cila shkel të drejtat;

iii. vendosur nëpërmjet AKEP-it një njoftim të karakterizuar teknikisht si “pop up”;

 

  1. b) gjobë, shuma e së cilës përcaktohet në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij;
  2. c) pezullim të përkohshëm të licencës dhe/ose autorizimit dhe/ose aksesin në internet;

ç) uljen e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së licencës dhe/ose autorizimit;

  1. d) heqje të licencës dhe/ose autorizimit.”.

 

  1. Në pikën 3 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:

 

“Në bazë të një vendimi të marrë nga AMA, në vijim të procedurës së parashikuar në këtë ligj dhe pas marrjes së mendimeve me shkrim nga AKCESK-u, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të:

  1. a) bllokojë aksesin në internet, në rastet kur shërbimet e medias elektronike mund të nxisin kryerjen e një nga veprave penale në vijim:
  2. Pornografi me fëmijë;
  3. Vepra me qëllime terroriste;

iii. Shkelje të sigurisë kombëtare;

  1. b) vendosë një njoftim “pop up” në faqen e internetit/domain-in e portalit i cili përmban informacion mbi vendimet e organeve vendimmarrëse të AMA-s.”.
  2. Në pikën 4, fjalët “… 30 ditëve.” zëvendësohen me “… 5 ditëve.”.

Neni 25

Pas nenit 132 shtohet neni 132/1, me këtë përmbajtje:

 

“Neni 132/1

Masat për shkeljet nga OSHPE-të

 

  1. Në rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore, sipas neneve 33/1, 51/1 dhe 53/1, të këtij ligji, Këshilli i Ankesave vendos:

 

  1. detyrimin e ofruesit të shërbimit të medias për të:

 

  1. publikuar formulën e ndjesës sipas formës dhe përmbajtjes të përcaktuar nga AMA;
  2. hequr përmbajtjen e cila shkel të drejtat;

iii. vendosur nëpërmjet AKEP-it një njoftim  të karakterizuar teknikisht si “pop up”;

 

  1. b) gjobë, shuma e të cilës përcaktohet në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij;

 

  1. Këshilli i Ankesave vendos sanksione të parashikuara në këtë ligj jo më vonë se një vit nga data e kryerjes së shkeljes.
  2. Kundër vendimit të Këshillit të Ankesave mund të bëhet ankim sipas përcaktimit të pikës 4, të nenit 132, të këtij ligji. Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të Këshillit të Ankesave.
  3. Vendimet e Këshillit të Ankesave do të ekzekutohen nga Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile. KA-ja nuk ka detyrim të parapaguajë tarifën ose tarifën për shërbimin përmbarimor.”.

Neni 26

Në nenin 133 bëhen këto ndryshime:

 

  1. Fjalia e parë ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga OSHMA-ja dhe OSHPE-ja, kur ato nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë:”.

 

  1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“1. Me gjobë:

  1. a) nga 100 000 deri 1 000 000 lekë, në rastet kur:
  2. nuk respekton detyrimet që rrjedhin nga nenet 33 dhe 33/1, të këtij ligji;
  3. nuk zbaton afatin e ruajtjes së regjistrimit të transmetimeve, sipas përcaktimeve të nenit 37, të këtij ligji.

 

  1. në masën 800 000 lekë, kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave ose të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1, të këtij ligji.

Përsëritja e shkeljes më shumë se 3 herë gjatë një viti dënohet me një rritje deri në 50% të shumës së gjobës të përmendur më lart. Në rast përsëritjeje më shumë se 5 herë gjatë vitit të kaluar, subjekti nuk do të përfitojë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër për një periudhë 3-vjeçare.”.

 

  1. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
  2. Në fjalinë e parë numri “… 120 000 …” zëvendësohet me “… 800 000 …”.
  3. b) Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:

“ë) Mosrespektimi i vendimit të marrë nga AMA, në bazë të dispozitave të parashikuara në nenin 53, të këtij ligji.”.

 

  1. Në pikën 10, përpara fjalës “… inspektorët …” shtohen fjalët “… Këshilli i Ankesave …”.

Neni 27

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

###

 

V E N D I M

PËR

 

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013, “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

 

Në mbështetje të neneve  81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit,  që i bashkëlidhen këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

P R O J E K T L I GJ

PËR

 

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9918, DATË 19.5.2008, “PËR KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

Neni 1

Pas pikës 23, të nenit 3, shtohen pikat 23/1 dhe 23/2, me këtë përmbajtje:

 

“23/1. “Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike” ka të njëjtin kuptim sipas përcaktimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë.

 

23/2. “Publikimi elektronik” ka të njëjtin kuptim sipas përcaktimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë.”.

 

 

Neni 2

 

Shkronjat “k” dhe “rr”, të nenit 8, ndryshohen, si më poshtë vijon:

 

“k) administron domain cc.TLD.al, nëndomainet e tij, si dhe përcakton me rregullore të posaçme rregulla të hollësishme për metodologjinë, pagesat, procedurën dhe mënyrën e menaxhimit të këtij shërbimi në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.”.

“rr) merr masat, që sipërmarrësit e rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike të zbatojnë detyrimet, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të vendit, të sigurisë publike edhe në rast lufte apo gjendjeje të jashtëzakonshme, si dhe të garantojnë të drejtat dhe liritë themelore të invidit si dhe çdo detyrim të parashikuar në kuadrin ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë.”.

 

Neni 3

 

Pas pikës 2,  të nenit 12, shtohet pika 3, me këtë pëmbajtje:

 

“3. AKEP-i bashkëpunon me AMA-n në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe dispozitave të tjera nënligjore si dhe siguron zbatimin e vendimeve të Këshillit të Ankesave dhe organeve të tjera të AMA-s duke detyruar ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet të zbatojnë aktet/vendimet përkatëse të këtyre autoriteteve sipas afateve dhe procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi.”.

 

Neni 4

 

Në nenin 137, të kreut III, pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1. Nëse ofruesit e shërbimit të komunikimeve publike nuk zbatojnë urdhrat/vendimet e AKEP-it, që lidhen me zbatimin e akteve/vendimeve të Këshillit të Ankesave dhe të AMA-s apo të nxjerra nga çdo organ tjetër me kompetenca ligjore në këtë fushë, sipas nenit 4, të këtij ligji.”.

Neni 5

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

###

 

V E N D I M

PËR

 

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9918, DATË 19.5.2008, “PËR KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për  disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

 

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, PËR MBROJTJEN SHOQËRORE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KANADASË

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, për mbrojtjen shoqërore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN PËR PËRPUNIMIN E FARMAKOPESË EVROPIANE, STRASBURG 22.VII.1964, TEKST I NDRYSHUAR NË PËRPUTHJE ME DISPOZITAT E PROTOKOLLIT TË KONVENTËS (EST NR.134)

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Përpunimin e Farmakopesë Evropiane, Strasburg 22.VII.1964, tekst i ndryshuar në përputhje me dispozitat e protokollit të Konventës (EST Nr.134).

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10304, DATË 15.7.2010, “PËR SEKTORIN MINERAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.10304, datë 15.7.2010, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

Neni 1

Titulli i seksionit të dytë të kreut IV ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Autorizimi i tregtimit dhe veprimtaritë studimore projektuese”

Neni 2

Neni 33 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 33
Veprimtaritë studimore-projektuese

1. Veprimtaritë studimore-projektuese në fushën minerare mund të kryhen vetëm nga persona fizikë ose juridikë, që kanë të punësuar persona të certifikuar në veprimtarinë studimore-projektuese në fushën minerare. Subjektet detyrohen të regjistrojnë në regjistrin tregtar, si objekt veprimtarie, kryerjen e veprimtarive studimore-projektuese në fushën minerare.

2. Certifikohen për kryerjen e veprimtarive studimore-projektuese në fushën minerare personat që kanë aftësi teknike dhe përvojën e nevojshme për kryerjen e këtyre veprimtarive.

3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për minierat, miraton procedurën, kategoritë, kushtet, kërkesat e kualifikimit dhe të eksperiencës profesionale për personin, të cilit i lëshohet certifikata e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.”.

Neni 3
Dispozitë kalimtare

Licencat aktuale për kryerjen e veprimtarive studimore-projektuese ruajnë vlerën e tyre.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI 

 

Projektligji i biokarburanteve, lende te rinovueshme