Postuar më: 20 Qershor 2019

Për ndryshimet e reja në Kodin Penal kundër dhunës e dhunuesve

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:

“Haxhi Qamiloida, një nga kujtimet më të turpshme të rrugëtimit historik shqiptar ka qenë më e  keqe seç është kujtuar dhe më e rrezikshme se çdo mund të përfytyrohej.  Nëse 100  vjet më parë, klithma e Haxhiut të çmendur ka qenë klithma e shkuljes së perandorisë së sëmurë nga preja e saj, sot 100 vjet më pas, ai do të ishte ofshama e fundit anti-europiane në këtë vend. Atë ofshamë e fshihnin me kujdes të gjithë ata, që duke ulëritur për Europën, luteshin së brendshmi që Europa të mos i hapte kurrë  portat për shqiptarët. Parti politike, ose pjesë të shtetit, organizata të krimit, klane të korruptuara, ishin në përgjim të vazhdueshëm të kërkimit të vjegave për t’u acaruar me Europën, me shpresën e gjetjes së një orientimi të ri”.  (Ismail Kadare “Mosmarrëveshja”, faqja 194).

Sot, këto fjalë tingëllojnë më aktuale se asnjëherë, sepse më aktuale se asnjëherë është orvatja e haxhi qamilëve të sotëm për të arritur të pamundurën, për të hedhur ne erë me dhunë, urën e ndërtuar me shumë mundim në dekada për t’u lidhur më në fund me Europën, duke u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim.

Bisedimet për anëtarësim nisin me drejtësinë dhe çelja e kapitujve të drejtësisë në zhvillimin e këtyre bisedimeve, nuk është më, një çështje legjislacioni, pasi dihet botërisht se Shqipëria thuajse e ka përmbyllur të gjithë legjislacionin në përputhje me legjislacionin europian përsa i përket drejtësisë, por është kryekre çështje zbatimi të legjislacionit, që do të thotë se Shqipëria duhet të provojë jo më se ka miratuar në Kushtetutë dhe në bazën e vetë ligjore gjithçka që i nevojitet një vendi për të qenë një shtet anëtar i Bashkimit Europian, as se po kryen procesin e pastrimit të pallatit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, por se sistemi i saj i drejtësisë është i aftë që t’i  vendosë të gjithë, pa dallim, si të barabartë përpara ligjit.

Siç mëson eksperienca e  integrimit në vende që na kanë pararendur, kjo do të thotë që sistemi i drejtësisë të jetë i gatshëm të provojë aftësinë e vet për të hetuar, gjykuar dhe ndëshkuar presidentë, ish-presidentë, kryeministra, ish-kryeministra, ministra, ish- ministra e kështu me radhë. Kjo është edhe arsyeja themelore e gjithë kësaj orvatje, ku bashkohen ankthi nga drejtësia me natyrisht, frikën nga zgjedhjet. Si më mirë e ku më me shpresë për të realizuar këtë hedhje në erë të sistemit të ri demokratik,  mund të realizohet kjo, sesa duke marrë peng procesin zgjedhor.

Procesi zgjedhor i 30 qershorit është një proces për zgjedhjet vendore. Marrja peng e tij është një orvatje për t’i mbyllur Shqipërisë derën e negociatave dhe gjithë plani me përgjime të pa hetuara, por të mbyllura në kasafortë dhe pastaj të dorëzuara te partia politike që i lajmëron daljet e përgjimeve në Gjermani, përpara se ato të dalin në Gjermani, gjetja e vendit pikërisht në Gjemani, kalendari i daljes së përgjimeve, aspak çuditërisht, i përputhur me kalendarin e protestave, flasin vetë për këdo që dëshiron të shikojë dhe për këdo që dëshiron të mendojë. Është një revolucion imagjinar me punonjës bashkie, me policë bashkiakë, me të rinj rrugëhumbur që maskohen, por që funksionon, në raport me qëllimin, sepse prodhon të gjitha pamjet e shëmtuara, pamjet krejtësisht të papërputhshme me imazhin e një vendi që është gati për të hapur negociatat, në sytë e atyre që na shohin nga jashtë. Nga ana tjetër synon të mbjellë  frikën te njerëzit brenda, sikur çfarë do ndodhë.

Sot, ne kemi planifikuar takimin elektoral në Shkodër. Çfarë po ndodh?

Për herë të parë, që nga viti 1991, qysh sa ne e kemi nisur fushatën elektorale, rishfaqet fenomeni i dëshpëruar në shëmtinë e vetë i anti-mitingashësve. Ka patur Shqipëria dhe momente të rënda realisht, por ka patur një konsensus mes forcave politike që nuk pengohet aktiviteti i tjetrit. Enveristët fanatikë të ’91-it, që përpiqeshin në grahmat e fundit të enverizmit institucional t’i zinin rrugën Partisë së sapolindur Demokratike, sot rishfaqen në grahmat e asaj partie që ka humbur totalisht busullën dhe sensin e misionit për të cilin lindi dhe që rrogëtarët e paguar nga taksat në nivelin vendor po i përdor, njësoj siç përdorte aso kohe, Partia e vjetër e Punës, disa falanga njerëzish pa të ardhme.

Ajo që është e trishtueshme në këtë histori është fakti se njësoj si në atë kohë, kjo përpjekje nuk ka as shumicën e shqiptarëve dhe asnjë mik dhe partner ndërkombëtar të Shqipërisë në krah.  Përkundrazi, njësoj si shumica dërrmuese e shqiptarëve, ashtu dhe e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë janë vendosmërisht kundër gjithë kësaj që ndodh.

A nuk iu kujton kjo Haxhi Qamillin, kur thoshte “sa të kem Kavajën dhe Shijakun me vete, unë nuk… – ai e thoshte me një fjalë që nuk është vendi për ta thënë, se dëgjova dhe një koleg që foli përpara meje, por e them me “pyes”, – ai nuk thoshte pyes, por thoshte një fjalë tjetër, – “për Francën dhe Anglinë”.

Pjesa e trishtueshme në këtë histori është pjesa e këtyre njerëzve të përdorur, pjesa e këtyre policëve bashkiakë, e këtyre nëpunësve që po humbasin për nuk e di sa vite përpara të jetës, të drejtën që të punojnë për shtetin. Janë në shkelje flagrante të ligjeve dhe edhe pse në këtë farsë entuziazmi në oborre shkollash, që digjen apo vandalizohen, mund të ndihen të imunizuar nga ligji, jeta vazhdon edhe pas 30 qershorit.

30 qershori do të jetë dita e zgjedhjeve, duan apo nuk duan qoftë ata që i fusnin në këtë zjarr, qoftë këta që i ndjekin drejt zjarrit.

Sidoqoftë, ajo që na takon, është çka i takon kujtdo që është me të drejtën, të jemi të vendosur dhe të jeni të vetëpërmbajtur. Mbase plani është për të bërë një 2 prill tjetër sot pasdite, se historia e këtyre 30 viteve ka treguar se asgjë nuk ka ndryshuar në vizion, në qasje dhe në metodë, në kokën e atij që është lideri suprem i Partisë Demokratike. Fatkeqësisht, ky është edhe rezultati i përfshirjes skandaloze të atij që sot është në zyrën e Presidentit, por e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë, duke i hedhur benzinë zjarrit.

Përpara dy ditësh morëm një informacion se njerëz që lehtësisht mund të verifikohen se me kë janë të lidhur në katërshen që i është kundërvënë fuqimisht zgjedhjeve, për t’iu kundërvënë Europës, siç e shkruan Ismail Kadareja në atë faqe që lexova, kanë komunikuar me persona në burgje, duke i nxitur që të marrin në dorë pjesën e tyre të revolucionit imagjinar. Çuditërisht ose aspak çuditërisht, menjëherë pas këtij informacioni del letra e Presidentit të shqetësuar për situatën në burgje. Nëse Presidenti do të ishte realisht i shqetësuar për situatën në burgje, minimalisht nuk duhet të rendte ta publikonte letrën, të cilën e ka dërguar në adresën e gabuar. Pavarësisht se ai sot ndihet komandanti suprem në krah të liderit suprem, ai s’ka asnjë tagër t’i drejtohet askujt tjetër për informacion, përveçse ministrave përkatës. Drejtorët nuk janë nomenklaturë e Presidentit, sa për informacion.

Tanimë, farsa është e gjitha në sytë e të gjithëve. Ajo që është për t’u përsëritur është se Policia e Shtetit është vendosur në një trysni të pazakontë dhe meriton të gjithë respektin, të gjithë solidaritetin dhe të gjithë inkurajimin për të vazhduar të jetë e vetëpërmbajtur, pavarësisht se shumëkush, me të drejtë i revoltuar, mund të kërkojë reagime shumë më të ashpra nga ata që me skafandër dhe me shkopin e gomës në dorë, deri më sot kanë preferuar të shtyhen nga ata që iu vijnë përballë dhe jo të reagojnë. Është gjëja e duhur që bëjnë. Por këtu ka një gjë që iu duhet kujtuar të gjithëve, 30 qershori është një datë që vjen shumë shpejt, ndërkohë që drejtësia për gjithçka që po ndodh do të bëhet në vijim, do të duhet të përgjigjen përpara ligjit.

Këta kryebashkiakë, që e dinë shumë mirë që nuk i ka nxjerrë jashtë nga zgjedhjet as qeveria, as Parlamenti, as PS, por i ka nxjerrë jashtë nga zgjedhjet lidershipi i tyre, duhet të mos e harrojnë se ka një ligj për dekriminalizimin që e kemi votuar bashkërisht dhe me atë ligj, ata do të humbin të drejtën për t’u bërë edhe kryepleq, nëse vazhdojnë të bëjnë këtë që po bëjnë.

Përgjimet dalin pikërisht për koka me një ekuivalencë zbrazëtie të konsiderueshme, siç dhe koka në fjalë që po më drejtohet mua, [drejtuar një deputeti në sallë] janë ekzaktësisht për këtë punë dhe unë iu them të gjithë shqiptarëve, bëni një film me mendjen tuaj, sikur gjithçka flisni në telefon ta shikoni në televizor, çdo bisedë, edhe ajo më e zakonshmja, tingëllon ndryshe kur del nga konteksti dhe ekspozohet. Megjithatë nuk dua të zgjatem në këtë. Unë di vetëm kaq, ato përgjime po e kryejnë funksionin e tyre ekzaktësisht për objektivin që janë bërë në një betejë zgjedhore ku ka qenë e instaluar e gjithë PD, me në krye Lulzim Bashën, me të gjithë deputetët dhe me grupe që ushtronin presion dhe dhunë dhe çuditërisht jemi në kushtet, kur është vendosur antena mbi të gjithë shtabin zgjedhor të PS-së dhe jo mbi palën tjetër.

Megjithatë, çfarë rëndësie ka kjo. Rëndësi ka, u bënë, si këto, si ato të tjerat u bënë, pse nuk u hetua? Pse nuk u veprua? Pse nuk doli një urdhër i vetëm, për të realizuar një kapje të vetme të flagrancë? Dhe në fund fare, pse shkuan te PD? Pse dolën në Gjermani? Pse dolën tani? Si shpjegohet që lajmet e Gjermanisë i pararend “qim.neti” i Shqipërisë?

Por për këtë temë, unë nuk dua të flas më. Unë besoj që çdo shqiptar që do të kuptojë, e ka kuptuar. Unë besoj që çdo shqiptar që di të dëgjojë e di të lexojë, e shikon që është një sallatë e madhe, aspak e këndshme, fjalësh, por s’ka të paktën me çfarë janë dëgjuar asgjë.

Përsa më përket, jam në proces. Katër javë është afati për të ngritur padi në Republikën Federale të Gjermanisë dhe brenda 4 javësh, unë do iu kërkoj gjykatave gjermane, jo gjykatave shqiptare, që të zbardhin tërësisht të vërtetën lidhur me gjithçka është thënë në adresën time, ndërkohë që atë bisedë që u dëgjua, unë e kam bërë dhe do ta përsërisja përsëri po të kthehesha pas. Biseda të tilla kam bërë me mijëra me të gjithë shtabet, me të gjithë koordinatorët në të gjithë Shqipërinë, pa asnjë problem.

Ajo që vlen të nënvizohet këtu është që shqiptarët duhet ta kuptojnë që ’97-ta, gjakderdhja, përplasja është e gjitha pjesë e skemës propagandistike, ndërkohë që më vjen shumë mirë që çdo ditë, edhe sot, përsëri kam dy mesazhe këtu, por çdo ditë 4-5 mesazhe shqiptarësh që vijnë nga jashtë për të votuar në 30 qershor, sepse shqiptarët kanë kuptuar që këtu nuk është më çështja se kush do të jetë drejtuesi i ardhshëm i bashkisë, këtu është çështja, cila do të jetë Shqipëria pas 3 qershorit; Një Shqipëri e marrë peng nga pakica që duan ta kthejnë politikën në artin e dhunës dhe të presionit, apo një Shqipëri ku gjërat debatohet dhe ku kjo lloj politike nuk funksionon më.

Jam i bindur që përgjigja e 30 qershorit do të jetë mjaftueshmërisht e plotë, për t’u kuptuar e gjitha kjo, siç jam i bindur që të gjithë ata që kujtojnë se ka ardhur koha e rrumpallës dhe e përqeshjes së atyre që janë shkruar në ligjet që ka miratuar ky Kuvend, hap pas hapi do të duhet të rimendohet. Hap pas hapi, të jenë të sigurt. Të jenë të sigurt që kjo është një luftë për drejtësi dhe është një luftë kundër, ose pro drejtësisë. Është shumë e thjeshtë.

Shteti nuk gjunjëzohet dot. Shteti do të fitojë mbi antishtetin. Antishteti mund ta gjunjëzonte përpjekjen për shtet në kohën e Haxhi Qamilit, por nuk e gjunjëzon dot Shqipërinë që është anëtare e NATO-s dhe këta haxhi qamilë të ringjallur nga paniku i drejtësisë, që flasin për Europën dhe Europën e kanë makth dhe sillen si talebanë dhe për çudi, ose aspak për çudi, koincidencat nganjëherë s’janë të çuditshme, ajo që ndodh sot në oborret e shkollave ndodh në Afganistan. Talebanët kanë ndërmarrë të njëjtën orvatje, për të penguar fizikisht zgjedhjet në Afganistan. Fakt.

Talebanizimi ekstrem i PD është shprehja ekstreme e dëshpërimit të atyre që PD-në e kanë marrë peng për hallet e tyre dhe duan që hallet e tyre t’i bëjnë hallin e Shqipërisë. Kjo nuk ka për të ndodhur.

Sidoqoftë sot, ne kemi një komunitet ndërkombëtar që nuk është 99%, por është 100% në krah të popullit shqiptar për të garantuar të drejtën e zgjedhjeve. Një komunitet ndërkombëtar që, siç e lexuat në deklaratën e djeshme, jo fort tipike të OSBE-së, ka filluar jo vetëm të dënojë dhunën, jo vetëm të kërkojë nxjerrjen e përgjegjësive, por edhe vënien para përgjegjësisë të nxitësve të dhunës.

Ta harrojnë se me ish-mandatin e tyre, ata do të vazhdojnë të bëjnë atë që bënin kur hynin nëpër komisariate dhe kishin mandat. Ta harrojnë!

Sot, ne, në diskutimin për Kodin kemi një propozim, – jam informuar që opozita këtu ka kërkuar kohë, është normale fare që të kërkojë kohë, s’kemi asnjë problem me kohën, – për të vendosur në Kodin Penal humbjen e të drejtës për të dalë jashtë shtetit pas dënimit të gjykatës për krime zgjedhore.

Përgjimet? Ok, doni të vazhdojmë luftën kundër krimit zgjedhor? Kodi nuk bëhet për javën tjetër. Kodi bëhet për vite të tëra. Doni ta vazhdojmë luftën? Doni të shohim se kush është ai që ka frikë nga zgjedhjet dhe kush është ai që zgjedhjet i ka fituar me vjedhje dhe nuk heq dorë dot nga vjedhja?

Në Kodin Penal, sëbashku me PD-në kemi futur një sërë nenesh dhe një nga nenet është pengimi i subjekteve zgjedhore, 1 deri 5 vjet, të cilin duhet ta dëgjojnë ata që marrin përsipër të bllokojnë rrugët dhe aktivitetin elektoral. Për ta nuk është aktivitet elektoral, s’ka asnjë problem. Për ta nuk ka zgjedhje, s’ka asnjë problem. Për ta vazhdon jeta normale, s’ka asnjë problem, por askush nuk mund të pengojë askënd në këtë vend, që të bëjë atë që sheh të arsyeshme për të bërë. Kjo është liria!

Liria e gjithsecilit mbaron aty ku fillon liria e kujtdo tjetër!

Ndalimi i daljes jashtë shtetit, 5 deri 10 vjet pas dënimit për krimet zgjedhore është shprehje e  një vullneti për t’i dhënë fund njëherë e mirë historisë së aventurierëve të çfarëdo lloji, të kujtdo pale, që të mendohen edhe kur flasin në telefon, por të mendohen 1000 herë kur të hedhin ndonjë hap.

Bujrum, ta bëjmë, sepse nuk po bëjmë ndonjë shpikje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me aktin e Presidentit Bush, pengimin e zgjedhjeve e kanë krim dhe ata që pengojnë zgjedhjet nuk hyjnë në SHBA.

E meqë ra fjala, kur keni dëgjuar ndonjëherë që SHBA t’i drejtohen me emër dhe me mbiemër politikanëve shqiptarë, siç iu drejtuan Lulizim Bashës dhe Monika Kryemadhit?

Kur keni dëgjuar ndonjëherë që t’i thonë me emër dhe me mbiemër që shiko, këtu, ju jeni përgjegjësit e kësaj që po ndodh dhe ju do paguani për këtë që po ndodh?

Ata mbase kanë marrë përsipër të paguajnë, është puna e tyre, por ata që iu shkojnë pas, çfarë kujtojnë? Kujtojnë se do fshihen pas tyre? Jo, në sistemin që kemi zgjedhur, secili përgjigjet për vete dhe paguan për vete përpara drejtësisë.

Sot, më vjen shumë mirë që vijmë në pikën që i japim fund një diskutimi të gjatë për një sërë aspektesh që lidhen me nevoja të identifikuara prej kohësh, që kanë të bëjnë me çështje që duhen adresuar, me rëndimin e masave ndaj çdo forme dhune. Dhunuesit e policëve, prekja me dorë e policit, dhunuesit e mjekëve, prekja me dorë e mjekut, dhunuesit e arbitrave, sportistëve, ndërmjetësve, trajnerëve, ka ardhur koha të marrin përgjigje, siç ka ardhur koha të marrë përgjigje edhe halli i madh që iu krijohet qytetarëve nga bllokimi i rrugëve nga grushte njerëzish, që i japin vetes të drejtën që të privojnë një komunitet të tërë nga lëvizja e lirë, sepse ata vetë mendojnë që janë në të drejtën e tyre.

E drejta e tyre mbaron aty ku fillon e drejta e të tjerëve.

E nga ana tjetër, gjithë kjo përpjekje për ta rrumpallizuar vendin,  tamam kur vendi po bën reforma dhe po ngre me shumë mundim dhe vështirësi, ngrehinën e një shteti që s’e kemi patuar kurrë, duhet të marrë një përgjigje. Jo thjeshtë dhe vetëm për shkak të 4 aventurierëve, 3 haxhi qamilëve dhe një qamile haxhiu, që kanë marrë përsipër të tundin dynjanë, por edhe për efektet skandaloze që të gjitha këto gjëra kanë mbi njerëzit e zakonshëm, mbi të rejat dhe të rinjtë.

Nëse studentet e këtij vendi, nëse nxënësit e këtij vendi, mësohen me shembullin skandaloz sesi, kur t’i ja jep vetes të drejtën të shkelesh të gjithë të drejtën dhe liritë e të  tjerëve, ti fiton, atëherë këtu jemi përfundimisht në mbretërinë e qamile haxhiut.

Po ashtu është shumë e rëndësishme të adresojmë çështjen e pronësisë intelektuale dhe të vjedhjes së hapur të  të  drejtave të autorit dhe të skandaleve të vazhdueshme, në kurriz të njerëzve që jetojnë me art dhe me kulturë dhe që vidhen çdo ditë, me bekimin në shumë vite të shtetit.

E një tjetër aspekt i rëndësishëm është ndryshimi për veprat penale që kanë të bëjnë me armët, me mbajtjen e armëve, me armët shpërthyese, me lëndët plasëse, sepse këtu nuk mund të pranojmë që hymë në një epokë ku fishekzjarri i festës zëvendësohet nga rrumpalla e përditshme e plasjeve, sepse dikush do të prishi jetën e gjithë komunitetit.

Ashtu sikundër e konsideroj me shumë rëndësi, aspektin që e kemi trajtuar me kohë, por në atë kohë nuk e çuam dot deri në fund, të mbrojtjes së mjedisit nga krimet mjedisore, nga veprat penale që dëmtojnë një pasuri që është e trashëguar dhe që  ja kemi detyrim t’ua trashëgojmë të mbrojtur, fëmijëve tanë.

Një aspekt tjetër, shumë i rëndësishëm, është aspekti i sigurisë ushqimore. Boll më me pasiguri dhe me lloj-lloj mashtruesish që luajnë me shëndetin e  njerëzve për qëllime fitimi. Dënimet janë goxha dhe nëse do të ketë ende njerëz që, për të shitur margarinë me vaj palme të maskuar si gjalpë, do të pranojnë të bëjnë 15 vjet burg, atëherë Kodi Penal ia u plotëson këtë nevojë.

E fundit dhe këtë e lashë në fund, sepse janë 37 mijë qytetarë, vajza, djem, aktivistë, por dhe qytetarë të të gjitha moshave, që kanë propozuar një ndërhyrje në legjislacion për të mbrojtur kafshët nga kafshët. Kafshët me 4 këmbë, nga kafshët këmbësore me 2 duar. Kemi parë në vazhdimësi akte barbare të kafshëve me dy duar dhe me dy këmbë, ndaj kafshëve me katër këmbë. Ka ardhur koha të marrim në mbrojtje ata me katër këmbë, kundër këtyre me dy këmbë e me dy duar. Ka ardhur koha të marrim në mbrojtje kafshët që nuk e kanë dhuratën e të folurit, as e të dëgjuarit të gjuhës sonë amtarë, nga ata që këtë dhuratë e përbuzin dhe mbi të gjitha, turpërojnë të gjithë shoqërinë tonë si kriminele ndaj qenieve të tjera që nuk janë njerëz, por që në këtë rast meritojnë mbështetjen e të gjithë njerëzve, që meritojnë të quhen njerëz, kundër atyre që emrin njeri e kanë thjesht dhe vetëm si kategori, por nuk e meritojnë.

Këto janë të gjithë elementët kryesorë të kësaj pakete.

Unë besoj që është një paketë që s’ka lidhje me te majtën, s’ka lidhje me të djathtën, s’ka lidhje me socialistët, s’ka lidhje me demokratët, s’ka lidhje me mandate, por ka lidhje me shoqërinë dhe për t’i dhënë mundësinë e konsensusit kësaj pakete me opozitën e  përgjegjshme këtu në sallë, nuk ka asnjë problem që çdo gjë që ka nevojë për më shumë diskutim, të diskutohet dhe të gjithë sëbashku, nga ky parlament të japim  një mesazh shumë të fortë, që, pavarësisht se ndahemi në shumë pika, bashkohemi në një pikë, çfarë është e mirë e përbashkët, është detyrim i përbashkët; çfarë është nevojë e përbashkët, është edhe përgjegjësi e përbashkët.

Ma ha mendja se dhe konsumimi i këtyre  temave me grupet e interesit në një kohë relativisht të gjatë i jep paketës të gjithë soliditetin e  nevojshëm, ashtu sikundër kam bindjen se edhe shtrija e diskutimit për pak më shumë kohë me opozitën që është në Parlament, përsëri thjeshtë e konsolidon dhe nuk e cenon këtë  paketë.

Duke patur parasysh të gjitha këto, unë dua t’i falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë paketë dhe mesazhi është shumë i qartë, edhe nga kjo paketë, që 30 qershori vjen shumë shpejt, kalon, por drejtësia që duket sikur vonon, nuk harron. Dhe drejtësia nuk do të harrojë askënd që sot kujton se është koha për të hedhur në erë Shqipërinë dhe mbërritjen e drejtësisë. Asnjë shans!

Maksimumi do të jetë një dëm i madh, i përkohshëm, që do të na pengojë të çelim negociatat në tetor, maksimumi, – gjë që nuk e përjashtoj të mos ndodhë, – por maksimumi. Kjo maskaradë e organizuar për ta bërë Shqipërinë copë e çikë në sytë e atyre që do të marrin vendimin për Shqipërinë, maksimumi mund të arrijë këtë. Por një gjë është e sigurt, si  dritat  që shohim nga këtu dhe si dielli që shohim kur dalim nga këtu, se reformës në drejtësi dhe daljes para drejtësisë, këta haxhi qamilë nuk i ikin dot.

Më shpejt se vonë, këtë do ta tregojë dhe filxhani i qamile haxhiut.