Postuar më: 10 Shtator 2019

Më shumë të rinj zgjedhin arsimin profesional

Shkolla e mesme profesionale “Beqir Çela” në Shkozet, një prej institucioneve model të arsimit profesional,  mirëpret këtë vit nxënësit në një infrastrukturë krejt të re. Mjedise bashkëkohore mësimi ofrojnë kushtet më optimale për mbi 1600 të rinjtë dhe të rejat që zgjedhin arsimin profesional si alternativën më të mirë për integrimin e tyre në tregun e punës.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot mjediset e reja të kësaj shkolle. “Është një nga shkollat më të mëdha në Shqipëri që ka të rinj dhe të reja që vijnë nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm nga Durrësi. Vitin e kaluar ka patur 1600 të rinj që kanë studiuar këtu dhe presim që këtë vit të ruajmë të njëjtin nivel,” -u shpreh  zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen.

Këtë pjesëmarrje të shtuar e pohoi edhe drejtori i shkollës i cili tha se: “Në tre vitet e fundit ka patur një rritje nga 1400 nxënës, në 1616 vitin e kaluar.”

Por jo vetëm rritje e frekuentimit. Shkollat profesionale në tërësi po synohen kryesisht nga nxënës me mesatare të lartë.  “Nxënësit me nota të mira është një trend që ne po e vëmë re gjithandej, kemi si kjo shkollë që është super e kërkuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Edhe në Tiranë kemi shkolla ku nota mesatare në hyrje ka vajtur në 9,6. Disa të tjera si hoteleri turizmi, mesatarja ka shkuar në 8,5 që automatikisht jemi të detyruar të kthejmë disa nxënës mbrapsht, pavarësisht se janë ekselent në vetvete. Kjo tregon se shkollat tona, po ofrojnë diçka shumë të mirë, shumë cilësore,” – tha zëvendësministra e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen.

Këtë vit të ri shkollor, në degët  kryesore që shkolla ofron janë shtuar klasat paralele. “Këtë vit shkolla po e fillon me 46 klasa mësimore, nga 44 që ka patur vitin e kaluar. Kemi katër drejtime në shkollë; automekanikën që është drejtimi kryesor i shkollës, kemi 6 klasa paralele për cdo vit; termohidraulikën që e kemi me 2 klasa këtë vit për herë të parë, pasi kemi patur 1; teknologjinë e informacionit që e kemi me 2 klasa paralele dhe elektromekanikën që e kemi me tre klasa paralele për çdo vit,” – shpjegoi drejtori i shkollës, i cili tha gjithashtu se vetëm nga kjo shkollë kanë vazhduar studimet në vitin e parë në universitet 60 nxënës në degën e Informatikës.

Nxënësit e kësaj shkolle i kryejnë praktikat profesionale në biznese të ndryshme që zhvillojnë aktivitetin e tyre ne rajonin e Durrësit dhe në përfundim të studimeve kanë një nivel shumë të lartë punësueshmërie. “Një vlerësim që i kemi bërë shkollave tre vite më parë, ka rezultuar si shkolla me performancën më të lartë në republikën e Shqipërisë sidomos për pjesën e praktikave profesionale që ka qënë modeli që ne kemi dashur dhe duam të aplikojmë në të gjitha shkollat. Shkolla ka dhe një bashkëpunim me Universitetin e Durrësit për programet pas të mesme që kanë të kombinuar dhe nxënësit e universitetit vijnë dhe e bëjnë praktikën këtu,“ – u shpreh zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë.

Krahas me godinën e re, aktualisht kanë filluar punimet për rikonstruksionin e godinës ekzistuese. “Godina ekzistuese ka filluar nga rikonstruksioni dhe pritet të përfundojnë punimet brenda 7 muajve, ku shkolla arrin të akomodohet brenda një turni të vetëm. Janë gati mbi 40 000 metra katror që na jep avantazhin për ta kthyer në një kampus të vërtetë të arsimit profesional,” – tha drejtori i shkollës.

Po ashtu rikonstruksionit do t’i nënshtrohet edhe konvikti i shkollës “Është një nga 5 konviktet që ne do ta rikonstruktojmë shumë shpejt. Sëbashku me kryetarin e bashkisë kemi bërë projektin. Kjo do të rrisë dhe kërkesën nga qytete e tjera,” – u shpreh zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Sorensen.