Postuar më: 30 Korrik 2019

Më shumë përkushtim, përulësi dhe komunikim me njerëzit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e betimit të Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës:

Të nderuar përfaqësues dhe përfaqësuese të kryeqytetit në Këshillin Bashkiak!

Të nderuar deputetë dhe deputete të pranishme!

I nderuar kryetar i Bashkisë!

Ju uroj të gjithëve drejtimin e Tiranës për 4 viteve e ardhshme!

Uroj njëkohësisht që të jeni përherë të vetëdijshëm në ushtrimin e këtij mandati të ri për barrën e jashtëzakonshme që keni si rrjedhojë e një procesi zgjedhor krejt të pazakonshëm!

Mungesa e opozitës kryesore të vendit në këtë Kuvend të kryeqytetit e bën barrën e angazhimit, gjykimit dhe vendimmarrjes suaj ende më të madhe sesa zakonisht.

Shpresoj që ju ta kuptoni më së miri këtë fakt dhe uroj të gjeni në çdo hap arsye dhe vullnet për të rritur angazhimin në komunitet për masën vetëkritike të punës tuaj, si dhe transparencën e vendimmarrjeve tuaja!

Uroj gjithashtu që përfaqësinë e re opozitare në këtë Kuvend tuajin të mos e matni me peshën e vogël të numrit të saj por ta matni me peshën e dëshirës së mirë për t’i dëgjuar zërin e saj dhe për të përftuar nga qëndrimet e saj çdo kontribut pozitiv në funksion të bërjes më mirë të punës së përbashkët të kësaj përfaqësie shumë të nderuar.

Këshilli i shkuar Bashkiak ka qenë rëndom peng i konfliktit politik dhe është bllokuar shpeshherë si rezultat i urdhrave politikë nga jashtë kësaj salle. Kjo nuk e ka ndihmuar vendimmarrjen dhe e ka penguar rëndom zgjidhen e çështjeve që kërkojnë miratimin e një shumice të cilësuar në Këshill. Por, kujdes, njësoj e dëmshme do të ishte sikur numrat e sotëm të këshillit të sillnin asgjësimin e debatit në këtë përfaqësi dhe të prodhonin vendimmarrje në dëm të argumentimit bindës të vendimeve dhe të rritjes së transparencës në marrjen e tyre.

Askush nga përfaqësuesit e shumicës së re qeverisëse të Tiranës dhe të çdo bashkie të Shqipërisë nuk duhet ta harrojë se në 30 qershor banorët e Tiranës, ashtu si çdo njësie vendore të vendit votuan për të drejtën jo thjesht për të majtën. Pasja në mend e kësaj të vërtete thelbësore të 30 qershorit duhet të udhëheqë çdo ditë punën tonë dhe duhet të na imponojë çdo ditë nevojën për të punuar, jo për një palë, por për të gjithë pa dallim, si për ata që votuan si për që nuk votuan, si për komunitetet e prirura majtas, si për ato të prirura djathtas.

Kjo është një sfidë e madhe, shumë më e lehtë të thuhet, sesa të fitohet në terrenin e një realiteti politik të ri ku është shumë më e lehtë të biesh në gropën e vetëmjaftueshmërisë dhe të vetëkënaqësisë sesa të ngjitesh në të përpjetën e ndërtimit të një marrëdhënieje të re, më të afërt, më të re, më reciproke me popullin, me çdo komunitet dhe me çdo qytetar pa përjashtim.

Unë dua t’ju nxis qysh sot që të hartoni një plan të ri komunikimi dhe angazhimi me komunitete dhe me çdo njësi të bashkisë, të zhvilloni një përgjegjësi të re kolektive dhe individuale si përfaqësues të komuniteteve dhe të njësive bashkiake të të gjithë Tiranës së madhe në këtë Këshill të vogël, të zbatoni një kalendar kontaktesh të shumëfishuara me njerëzit në çdo territor, krahasimisht me 4-vjecarin e saposhkuar ku thuhej se e gjithë barra e kontakteve dhe e komunikimit ka qenë mbi shpatullat e kryetarit të Bashkisë

Kjo që çelet sot duhet të jetë një fazë e re, edhe për platformën tonë të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm. Ne do të krijojmë pa humbur kohë forumet e debatit qytetar në çdo njësi bashkiake si hapësira të garantuara komunikimi me të zgjedhurit vendorë, deputetët dhe me qeverinë përtej të majtës dhe përtej të djathtës për çdo komunitet dhe për çdo qytetar që ka dëshirë të marrë pjesë në to dhe të thotë fjalën e tij.

Në radhë të parë, këshilltarët dhe këshilltarët e bashkisë duhet të kujdeseni që të patën njëherë në muaj këto forume jo vetëm të mblidhen, por prej tyre të sillni në zyrat e bashkisë edhe të ministrive, apo të institucioneve të tjera përkatëse dhe deri në Këshillin Bashkiak sigurisht zërin e çdo deputeti, hallin e çdo banori, propozimet e çdo grupi pjesëmarrës, sikletet e çdo sipërmarrësi të madh, apo të vogël.

Digjmi i njerëzve të zakonshëm, krijimi i urave të reja të komunikimit me ta, angazhimi për ti bërë ata pjesë reale dhe të pandashme të qeverisjes duhet të jetë prioritet i prioriteteve për ne, të gjithë së bashku dhe për këtë Këshill dhe për çdo Këshill Bashkiak të vendit tonë.

Është e papranueshme për mua dhe kështu duhet të jetë për të gjithë ju, që kontributi i këshilltarëve bashkiakë të jetë thjesht e vetëm në mbledhjet e këshillit, apo të komisioneve përkatëse të tij.

Është e pakuptimtë përveçse e pajustifikueshme tash e tutje që këshilltarët bashkiakë të mos njohin çdo pëllëmbë të territorit të tyre elektoral ku kanë kërkuar votat, të mos njohin çdo familje të zonës që kanë mbuluar në zgjedhje, të mos jenë pika e referimit të çdo banori që ka nevojë të kontaktojë me përfaqësuesit e vet bashkiakë, të mos kenë në telefon për 4 vite me radhë asnjë mesazh, apo asnjë thirrje nga zona e tyre e kujdestarisë.

Unë e pres me padurim këtë plan të komunikimit dhe të angazhimit në komunitet të këtij Këshilli dhe të çdo Këshilli të ri Bashkiak duke u siguruar për pjesëmarrjen aktive të deputetëve dhe të anëtarëve të qeverisë përfshirë dhe mua personalisht, padyshim në mbështetjen tuaj dhe në mbështetjen e çdo komuniteti dhe të çdo familjeje e banori.

Qeveria dhe bashkia e Tiranës kanë punuar mirë së bashku ne 4 vitet e shkuara, por ka vend për shumë përmirësime dhe shumë hapësirë për të punuar edhe shumë më mirë. E njëjta gjë vlen edhe për shumë bashki të tjera të vendit gatë mandatit të shkuar dhe duhet të vlejë në këtë 4-vjecar të ri për çdo bashki të vendit gjatë këtij mandati të ri.

Bilanci i derikëtushëm i bashkisë së Tiranës është padiskutim pozitiv, por padiskutim nevojat janë shumë dhe pritshmëritë e njerëzve nga kjo bashki janë shumë më shumë sesa arritjet e derisotme. Edhe pse çfarë ka shkuar ka shkuar s’është gabim, por, përkundrazi është e nevojshme të mos e harrojmë dhe t‘ua kujtojmë të gjithëve se nga u nisëm 4 vjet më parë.

Krahasimi me, si e gjetëm dhe si e kemi sot Tiranën është vrastar për ata që e lanë kryeqytetin në derexhenë e 4 viteve më parë. Por nuk është kjo arsyeja pse ky krahasim duhet bërë. Arsyeja është se duke e bërë këtë krahasim vjimësisht ne marrim kreditë e nevojshme të besimit dhe të mbështetjes së njerëzve për të bërë shumë më shumë akoma pa lejuar që balta e përditshme e akuzave, shpifjeve, sajesave e ngatërresave të dobësojë lidhjen e shumicës së njerëzve me ne dhe të hedhë hije mbi marrëdhënien tonë me të gjithë njerëzit.

Lejomëni ta filloj nga të ashtuquajturit oligarkë, njerëzit e pasur të këtij vendi, disa emra arsyesh që përtypen e ripërtypen si tagjia e gojës së dëshpëruar të opozitës tonë kryesore në përpjekjen e saj të pandërprerë që shpif dhe shpif dhe diçka do mbetet.

Rëndom ndërtimtaria është tabela e preferuar e baltëqitjes së tyre, ku sipas avazit të vjetër çdo leje ndërtimi është një aferë dhe çdo kullë që ndërtohet është një skëterrë.

Sa i paguanin të ashtuquajturit oligarkë arkës së kryeqytetit deri dje për një leje ndërtimi?

4% të çmimit të shitjes.

Po sot?

8% të çmimit të shitjes. Pra, e kemi dyfishuar taksën ndaj atyre që përflitemi se u shpërbejmë.

Po sa ka kontribuuar taksa e ndërtimit në buxhetin dhe në zhvillimin e kryeqytetit në kohën kur baltëqitësit e sotëm ishin administratorët e djeshëm të Tiranës?

Shifra është interesante. Në vitin 2014, Lulzim Basha firmosi leje për 618 mijë metra katrorë ndërtim dhe bashkia arkëtoi 11 milionë euro nga taksa e ndërtimit. Ndërsa pas largimit të tyre nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës, në vitin 2018, Erjon Veliaj firmosi leje për 515 mijë metër katrorë dhe bashkia arkëtoi 52 milionë euro. Pra, me 132 mijë metra katrorë më pak leje ndërtimi, kjo bashki në një vit arkëtoi 5-fishin e taksave nga ndërtuesit, 5 herë më shumë sesa ajo e vjetra që natën e kalonte me shejtanin dhe ditën gërhiste duke i bërë duanë kaurin

Ky krahasim faktik flet vetë ashtu siç flasin vetë dhe shifrat që kanë ardhur si rezultat i taksimit më të lartë të atyre që kanë më shumë përfshirë dhe të ashtuquajturit oligarkë, që nëse i referohemi kuptimit të fjalës ata të shkretët e them me dashamirësit, vetë oligarkë nuk janë. Duke i taksuar më shumë të pasurit në 4-vjecarin tonë janë dhënë 1000 kredi të buta për strehim, krahasuar me 0 kredi të buta në 4-vjecarin e baltëqitësve të sotëm, 830 bonuse qiraje krahasuar me vetëm 89, pra 10 herë më shumë sesa në 4-vjecarin e tyre, 120 banesa për komunitetin rom krahasuar me 0 në 4-vjecarin e tyre. Këto tek kategoria e lidhur me banimin.

Por rritja e pakrahasueshme me kohën e tyre e volumit të investimeve publike në Tiranë në 4-vjecarin e fundit, përveçse me mbështetjen serioze që qeveria i ka dhënë punëve të kryeqytetit lidhet sigurisht edhe me taksimin e rritur mbi ata që kanë më shumë si dhe padyshim me administrimin më të mirë të taksave të kryeqytetit në tërësi. Shifrat flasin vetë. Faktet flasin vetë. Por ja që duhet të flasim dhe ne që shifrat dhe faktet të mos i mbulojë balta e shpifjeve dhe pluhuri i përditshëm i sajesave kanal më kanal portal më portal.

Sa për kullat hajde t’i numërojmë sa janë si fillim, sepse, kaq shumë janë kullat që ngrihen përditë me baltën e shpifjeve në mexhelisin tonë politik dhe mediatik, saqë meraku se moshpifjet kthehen në kulla në perceptimin e njerëzve nuk është aspak i pavend. Në muhabetet e mexhelisit fjala kullë është bërë si fjala bukë, ashtu sikundër togfjalëshi PPP është bërë si djathë, ndërsa fjala koncesion dhe fjala krim janë binjakëzuar dhe kërcejnë papushim në gjuhën e baltëqitësve.

Unë për vete numëroj vetëm 2 kulla që sot janë funksionale, Hotel Plazën dhe Aba Center, të dyja leje të më shumë se një dekade më parë. Numëroj edhe dy kulla ende në ndërtim, njëra prej më shumë se një dekade, ajo pranë Bankës së Shqipërisë dhe tjetra kulla e stadiumit të ri kombëtar. 4 kulla dhe 4 milionë akuza dhe 4 miliardë llafe pazari për kallëzimin apokaliptik të Tiranës.

Po a nuk janë këto 4 ndërtesa mjaftueshëmrisht dinjitoze për Tiranës sa së paku të mos quhet përditë me avinë balte dhe të mos u imponohen njerëzve në imagjinatën e tyre si lajmëtare të fundit të botës që fillon nga Tirana.

Padyshim që janë dhe natyrisht që çdo kullë tjetër që do i pasojë natyrisht me të njëjtat standarde arkitektonike dhe ndërtimore minimalisht, jo vetëm që s’duhet të jetë motiv keqardhjeje por duhet të jetë arsye mirëseardhjeje në Tiranën europiane që duam për gjeneratat e tjera.

Ja dhe një tjetër krahasim kuptimplotë! Kryebashkiaku i dështuar që përmes një tatëpjete nga humbja në humbje kërkon të ngjitet dhe të bëhet kryeministër i dha 880 mijë metra katrorë ndërtim në vetëm 85 leje. Ndërsa kryebashkiaku ynë që sot nis zyrtarisht mandatin e dytë firmosi 130 metra katrorë ndërtim më pak për 100 leje ndërtimi më shumë.

Tani, më falni, kush është i të ashtuquajturve oligarkë dhe pasanikë? Bashkia e tyre, e cila dha leje të mëdha për një grusht njerëzit nga të cilat përfituan pak njerëz, apo bashkia jonë, që dha leje më të vogla për më shumë ndërtues dhe natyrisht dhe për më shumë banorë përfitues?

Natyrisht që përgjigja është e qartë, ose siç e thotë populli, populli e thotë troç dhe pak vrazhdë, “bërtet hajduti kapeni hajdutin”, por në fund të ditës fjalët i merr era dhe baltën e merr uji i kohës që rrjedh, ndërsa për ne duhet të flasë puna dhe në fund do dëshmojnë vetëm veprat që do të lëmë kur të kemi lënë edhe detyrat tona të larta të dhëna nga njerëzit.

Shikojeni stadiumin e rri kombëtar se si ua ka kyçur grykët baltëqitësve!

Shiheni se si ende pa përfunduar dhe pa u marrë në zotërim nga publiku ka fshirë çdo  dyshim mbi drejtësinë e vendimit për ta shembur karakatinën e vjetër dhe për të ndërtuar mbi atë gërmadhë turpi një shëmbëlltyrë të ambicies tonë për Tiranën dhe për Shqipërinë europiane.

Do jetë padiskutim stadiumi më i bukur dhe më funksional i rajonit tonë dhe një nga stadiumet e bukur të Europës për hir të të vërtetës ashtu si sheshi Shkënderbej që pasi u mallkua u bllokua dhe u shëmtua deri në pikën që s’thuhet në emër të mbrojtjes imagjinare të një tradite që ekziston vetëm në mendjet e tyre të ngushta dhe vlen vetëm si fjalë për të arsyetuar rrugën e tyre të ngushtë të arsyes u vulos në konkursin më prestigjioz europian për hapësirat publike në Barcelonë si hapësira më e bukur publike e ndërtuar në Europë në vitin 2017. Vetëm në foto finish nuk arriti të marrë dhe çmimin Van Der Rohe më prestigjiozen e çmimeve të arkitekturës në botë ku ishte ndër 5 finalistët sidoqoftë.

Jam i bindur që sidoqoftë do të ndodhë edhe me teatrin e ri kombëtar, lindja e të cilit pas aq shumë dekadash të humbura nën hijen degraduese të shëmtisë së teatrit të vjetër do t’i japë fund të gjithë lumenjve të marrëzisë dhe të ligësive që derdhen furishëm mbi fytyrën tonë sa herë hapet ky debat.

Nuk dua të zgjatem këtu me këtë temë që është e stërzgjatur dhe e stërzgjatur, të cilën e ka kthyer në rendin e ditës nevoja dëshpëruese e kundërshtarëve tanë të dëshpëruar për të inskenuar një akt të ri dëshpërimi, pas fundit dëshpërues për ta të epilogut të revolucionit të imagjinatës së dëshpëruar në 30 qershor. Por është vendi për të thënë se, e para, ndryshe nga çfarë shpifjet prodhojnë përditë, asnjë centimetër katror truall brenda kufijve të sotëm të teatrit, nuk do të përdoret për asgjë tjetër, përveç se për teatrin e ri. Pra, është kryekëput e pavërtetë se do t’i jepet privatit për ndërtim, për llogari të tij, pjesë nga trualli ku sot ndodhet teatri. As edhe një centimetër katror.

E dyta, trualli në pronësi të Bashkisë së Tiranës, që do t’i kalojë privatit për ndërtim, është një hapësirë skandaloze parkimi dhe karakatinash e mbeturinash të ish ndërmarrjes së dekorit të bashkisë. Ajo gjendet pas murit fundor të teatrit. Unë do t’ju ftoja që bashkërisht të gjeni momentin ta inspektoni e meqë ata që e ndjekin me pasion këtë debat, me kamerat e me mikrofonat e tyre nuk e kanë marrë mundimin të hidhen pas murit e të shohin për çfarë bëhet fjalë, t’ua tregoni edhe banorëve të Tiranës, edhe qytetarëve shqiptarë, se ai truall do të jepet në këmbim të investimit që privati do të bëjë për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, e cila ka një kosto të papërballueshme nga buxheti i shtetit dhe i bashkisë, bashkë. E ka pasur të tillë dje, e ka të tillë sot e do ta ketë të tillë nesër.

E treta, bashkimi i interesave, të publikut dhe privatit në këtë rast është thuajse ideal për qeverinë dhe për bashkinë, sepse jemi në kushtet e një partneriteti publik – privat që nuk i kushton taksapaguesve asnjë qindarkë, sepse publiku, qyteti, vendi, kombi ynë, por edhe komuniteti teatror përfitojnë më në fund një teatër të ri, estetikisht dhe funksionalisht në standardet më të larta bashkëkohore. Zhvillimi i zonës së kalbur, pas kufirit ku gjendet sot teatri, i jep qendrës së Tiranës edhe më shumë jetë, me një tjetër ndërtim bashkëkohor cilësor, duke e pastruar dhe e ndriçuar edhe një pjesë tjetër të zymtë dhe të infektuar në pikëpamjen urbanistike.

E katërta, kjo duhet theksuar, as nuk po shembim ndonjë vlerë arkitektonike, të ngjashme me pjesët e tjera të kohës së Italisë, as nuk jemi ne që mund të akuzohemi si indiferentë ndaj asaj pjese. Madje është merita jonë dhe vetëm e jona që pjesa e çmuar e trashëgimisë kulturore të Tiranës, që i përket asaj kohe, doli nga gropa e zezë që kishte përfunduar, që nga kompleksi i ministrive në fundvitet ’90-të, si nisma ime atëherë në Ministrinë e Kulturës dhe deri tek tribuna qendrore e Gherardo Bosios, e cila nga një gur i çmuar i asaj kohe, rrethuar me tulla, me llaç e me tenequrina të kohës komuniste e post komuniste, sot është kthyer në zemrën tërheqëse, magnetike të trupit kuqezi të Arenë Kombëtare.

Edhe sikur të donim ta ruanim dhe ta restauronim ngrehinën e sotme të teatrit, ky do të ishte një ushtrim jo vetëm thuajse i pamundur, por dhe i kotë, absurd. Thuajse i pamundur, sepse materiali ndërtimor i asaj ngrehine, një material me jetëgjatësi të paracaktuar dhe jo një material ndërtimor tradicional, pra, një material për godina të përkohshme, përdorur nga ushtria italiane për të krijuar kompleksin e argëtimit pas pune, është i parikuperueshëm, por dhe i kotë deri në absurd, sepse ajo ngrehinë, përveçse nuk ka asnjë vlerë për t’u trashëguar në breza, nuk ka as hapësira të mjaftueshme për të përmbushur funksionet e një teatri kombëtar, për të përmbushur kushtet për trupën e një teatri kombëtar e për spektatorët e teatrit kombëtar.

Për ata që janë mësuar me hilet përpara rregullave dhe shohin gjithmonë hile pas çdo ideje dhe pas çdo pune, duhet thënë se, nëse ne do ta konsideronim idenë e ruajtjes, jo duke restauruar këtë, por duke shembur këtë dhe rindërtuar pikë për pikë po këtë, siç ndodh ndonjëherë me monumente të rëndësishme, por këtë herë me materiale të qëndrueshme në kohë, kjo do kushtonte shumë më pak për sipërmarrësin privat. Do të merrte konsensusin, me siguri, edhe të atyre që sot në pakicë vazhdojnë të protestojnë në emër të disa vlerave imagjinare dhe të një nostalgjie që e kanë përftuar me transferim ndjenjash nga ata që nostalgjinë e kanë, por që teatrin e duan të ri, do të na kursente edhe baltën neve që po e marrim në fytyrë, edhe energjitë që po shpenzojmë për t’i hapur rrugë idesë tonë. Pra, do të ishte nga të gjitha anët, shumë më e lehtë për momentin, por krejt e padrejtë për të nesërmen dhe për brezat e tjerë.

Edhe në këtë rast, ne kemi zgjedhur rrugën e vështirë, sepse nuk jemi zgjedhur për t’ia bërë me hile të ardhmes dhe fëmijëve tanë. Ashtu si më 30 qershor, edhe me teatrin, edhe me të tjera sfida të Shqipërisë që duam për fëmijët tanë, ne nuk mund të komprometojmë të nesërmen, që të shmangim kokëçarjet e të sotmes. Do ishte mirë që të gjithë të ishin dakord edhe për 30 qershorin, edhe për teatrin, edhe për stadiumin, edhe për kullat, edhe për të tjera sfida, deri tek parku i lodrave në Kodrat e Liqenit, për vendime që duhen marrë në funksion të së ardhmes, por ne nuk jemi zgjedhur që të jemi dakord me të gjithë dhe as që të presim dakordësi me të gjithë. Ne jemi zgjedhur që të udhëheqim, që të marrim vendime, që të çojmë bashkësinë dhe vendin tonë përpara. E ardhmja nuk negociohet për rehatinë e qëndrimit në pushtet dhe pushteti është mjet për të arritur qëllimet në rrugët e të ardhmes, jo qëllim që justifikon çdo mjet për të shtyrë vitet në karrigen e tij.

Duke u përgatitur për këtë fjalë, po shihja faktet dhe shifrat e bilancit të katërvjeçarit që sapo mbaroi në Bashkinë e Tiranës. Krahasimet me 4-vjeçarin përpara tij janë të gjitha literalisht vrasëse për ata që çdo ditë gdhihen dhe ngrysen prej vitesh në po atë pritë, për të na sulmuar me baltën e shpifur të shpifjeve, akuzave dhe sharjeve të dëshpëruara; Zero shkolla të reja – 5 të tilla dhe jo si shkollat e qëmotit, por 5 shkolla me standarde optimale. Ndërkohë, hap kllapë, 17 shkolla të reja janë në proces me projekte arkitektësh të njohur ndërkombëtarë, me standarde të reja, të paarritura më parë në mjediset arsimore parauniversitare në Shqipëri. Është një projekt i përbashkët i qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, me PPP, financim në partneritet publik-privat, që do t’i mundësojë kryeqytetit të këtij mandati të ri, përmbushjen e standardit 30 nxënës në klasë dhe vetëm një turn. Sa herë e keni dëgjuar, sa herë e kemi dëgjuar në të gjitha fushatat, 30 nxënës për lasë dhe të gjitha një turn. Nxënësit u bënë për turn të tretë para 4 vitesh dhe nuk ishin 30, por ishin vështirësisht të numërueshëm nëpër klasa.

Këto 17 shkolla do ndërtohen me kapital privat, por do ndërtohen brenda 3 vitesh dhe do shlyhet investimi i shtrirë në vite, të arsyeshme për arkën e shtetit. Ama fëmijët e Tiranës nga qendra deri në periferitë e saj nuk do presin me turne e me vite pambarim të hyjnë në klasa me një turn e me të gjitha kushtet optimale. Kjo është PPP-ja. Ku është e keqja këtu?

Vazhdojmë me krahasimin. 5 shkolla të rikonstruktuara nga bashkia e vjetër, 35 nga bashkia e re dhe jo rikonstruksione alla avazi i vjetër, këtej hidh llaç, andej gërhit dhe pastaj zgjohu natën për të marrë gjysmën e llaçit, por me standarde optimale. 9 kopshte të rikonsturkturara me 36 të tilla. 7 çerdhe me 28 të tilla dhe jo kopshte dhe çerdhe si ato deri para 4 viteve, ku çdo javë plasnin skandalet për ushqimin problematik, por me standarde optimale për kushtet tona.

Zero biblioteka, por tek bibliotekat ju ka takuar të jenë 0 dhe kanë arritur pikën e tyre më të lartë, me 7 të tilla. Që të mos flasim me shifra për rrugë të rindërtuara, blloqe banimi të rikualifikuara, kënde lodrash, shërbim transporti urban, ujë të pijshëm, pastrimi, gjelbërimi se pastaj krahasimi, më besoni, nuk është vrasës, është varrosës.

Por përtej të gjitha këtyre duhet të jemi deri në fund të vërtetë me veten, në radhë të parë, sepse vetëm duke qenë të vërtetë me veten, do të mund të jemi të vlefshëm për njerëzit. Krahasimi me baltëqitësit tanë vlen vetëm për t’ua mbajtur parasysh njerëzve nga na u desh të nisemi, por nuk ndihmon për të mbërritur ku duam për njerëzit, sepse të kënaqesh nga krahasimi me ta është njësoj si të jesh njëshi që kënaqet duke u krahasuar me zeron me xhufkë, ndërsa të matesh me hallet e këtij vendi dhe me problemet dhe me shpresat e njerëzve të këtij vendi, të cilët na kanë besuar drejtimin e krejt vendit dhe të të gjithë bashkive të vendit tanimë, do të thotë të ndihesh në çdo moment sesa i vogël je, për t’u sjellë si i madh, të mos harrosh deri në fund, sesa e pamjaftueshme është fitorja ndaj zeros me xhufka, për t’u sjellë si një goleador fitimtar. Të kuptosh përditë sa e rëndë është përgjegjësia që ke, për t’u sjellë si shefi e jo si shërbëtori i atyre që ta kanë besuar atë përgjegjësi. Modesti, respekt, përulësi, punë, durim dhe vullnet janë disa fjalë kyçe për të mos rënë në batakun e arrogancës, indiferencës, inercisë e lehtësisë me të cilën pushteti, karrigia, interesi i vogël, mjedisi mbytës i servilizmit dhe vetëkënaqësisë, i nepotizmit dhe klientelizmit, gërryejnë themelin e një shumice qeverisëse që harron dhe braktis burimin e saj, popullin. Popullin si i tërë, komunitetin si pjesë e tij, njeriun e zakonshëm si shprehja e tij e përditshme në marrëdhëniet e gjithsekujt prej nesh jashtë kubaturave të zyrave tona.

Tirana që kemi është shumë më e mirë se ajo që kishim, ashtu dhe shumë simotra të saj, apo dhe si Shqipëria. Por Tirana që duam, Shqipëria që duam nuk janë këto që kemi sot. Tirana që duam është me shkolla që ende duhen ndërtuar, me parqe që ende duhen krijuar, me rrugë që ende duhen hapur, me shërbime që ende duhen përmirësuar dhe shumë madje, me komunitete që ende duhen kuruar dhe shëruar nga plagë të panumërta, me njerëz të zakonshëm që ende nuk kanë shumëçka u duhet për t’u ndjerë ashtu siç duhet. Të tëra këto duan kohë, duan mund, duan durim, por, mbi të gjitha, boshllëku mes të thënës dhe të bërit realitet të tërë këtyre gjërave kërkon komunikim, mirësjellje, përulësi me qytetarët. Kjo vlen për çdo bashki e për të gjithë ne, përfaqësuesit e zgjedhur në çdo nivel të njerëzve të këtij vendi, deri në qeveri e deri tek unë. Nuk duhet ta harrojmë sa individë të mbrapshtë, të pasjellshëm, dallkaukë, ordinerë, parazitë dhe grabitqarë minojnë përditë marrëdhënien tonë me njerëzit dhe rrugën e të ardhmes tonë, duke qenë në librin e pagave të këtij shteti, në nivelin qendror apo në nivelin vendor dhe praninë e tyre kancerogjene, nga një anë duhet ta luftojmë përditë me vetëdijen se nuk zhduket as në një ditë, as në një vit, por nga ana tjetër duhet ta mbani parasysh në çdo moment, për të kompensuar sa të mundemi në sytë e kujtdo, jo vetëm përpara kamerave, por edhe në rrugicën e lagjes, me përulësi, pasojat, dhimbjet dhe ndjesitë negative të veprimtarisë së asaj luzme.

Diskutojmë vazhdimisht me Erionin projektet e mëdha të Tiranës, ndërkohë që koha vrapon shumë më shpejt sesa ne.

Piramida që duhet të hapet për të rinjtë e moshës së aplikacioneve dixhitale; Kampusi i ri Universitar që duhet ndërtuar brenda këtij mandati të saponisur sot;

Teatri tjetër Kombëtar, se kemi dhe një teatër tjetër kombëtar që duhet të nisë të ndërtohet për fëmijët, pas këtij për të rriturit. Nuk mund të vazhdojmë t’i themi vetes që jetojmë në kryeqytet e të mjaftohemi duke i mbledhur fëmijët rraqe-rraqe ki-ki-ko, tek dera e asaj ngrehinës që e ka përmbushur misionin e saj si Teatër i Kukullave dhe vlen mbase si një hapësirë ku të muzealizohet historia e Parlamentit;

Kopshti zoologjik, premtim i pambajtur i kryetarit të bashkisë, por, duke qenë se përballë kishin kundërshtarë që kafshët nuk i llogarisin fare, nuk ia përmendte njeri;

Unaza e Madhe, ajo që shtrihet përtej Unazës së Re dhe që lidhet me Bregun e Lumit;

Parku Olimpik që duhet të plotësohet me pjesën ende të munguar;

Sheshi “Nënë Tereza” që duhet të këmbësorizohet përfundimisht dhe plotësohet dhe me godinën e re të Akademisë së Arteve, – nuk do shembim këtë që është, që mos na shpërndajnë një lajm të ri, të rremë, po flas për pjesën plotësuese që edhe asaj i ka ardhur fundi. U ndërtua në kohën e komunizmit, nuk është më për kohën që jetojmë;

Biblioteka e re Kombëtare;

Rrjeti i agrotuizmit përreth Tiranës, se ne katundarët punojmë për ju qytetarët, por Tirana është e qytetarëve dhe e katundarëve;

Tregjet moderne bujqësore të Tiranës, se nuk kemi vetëm gjelat e detit të Baldushkut, kemi shumë më tepër se kaq, kështu që Këshilli, bashkia duhet të shohin përtej gjelave të Baldushkut.

E të tjera si këto, më të vogla, që janë projekte ekskluzivisht të bashkisë, por që janë të rëndësishme, janë të pashmangshme. Për të gjitha këto duhet projekte të bukura, duhen zgjidhje inteligjente, duhen realizime cilësore dhe duhen fonde shumë më të mëdha, sesa mundësitë tona sot. Atëherë, si i bëhet?

Me përkushtim të madh, në radhë të parë. Njerëzit mund të na kuptojnë kur na mungojnë fondet, por nuk na kuptojnë kur na mungon përkushtimi. Njerëzit mund të na kuptojnë kur na mungojnë mundësitë, por nuk mund të na kuptojnë kur na mungon mirësjellja. E nëse do të vijë dita, nëse do t’i vija më saktë një titull, kapitullit që nis sot, për katër vite që janë përpara, do të ishte përkushtim dhe nëse do të doja që në fund, këto 4 vite të mbaheshin mend me një fjali, do të ishte: vite me një përkushtim të madh.

Është e lehtë ta thuash, është e bukur ta dëgjosh, por është shumë e mundimshme ta realizosh. Ama nuk është e pamundur. Në fund të fundit, ne jemi zgjedhur pikërisht për gjëra të vështira, prandaj le të fillojmë ta bëjmë edhe këtë, sëbashku.

Shumë faleminderit!