Postuar më: 30 Qershor 2019

Komunikim publik i Kryeministrit pas përfundimit të zgjedhjeve të 30 qershorit

Komunikim publik i Kryeministrit Edi Rama pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit:

Të nderuar bashkëqytetarë, me, ose pa përkatësi e bindje politike, brenda, ose jashtë atdheut, kudo ku ndodheni në këtë moment historik!

Sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarjeje të rëndë politike, të frymëzuar, nxitur dhe organizuar për të ndaluar ecjen tonë përpara në rrugën e normalitetit shoqëror, bashkëjetesës demokratike dhe integrimit të popullit shqiptar në familjen e popujve të Europës.

Sot ishte dita e zgjedhjeve vendore të radhës, e cila u kthye muaj pas muaji në ditën kulmore të një përplasjeje historike mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes harbutërisë dhe qytetarisë, mes antishtetit dhe shtetit, mes pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë, mes politikës së forcës dhe forcës së politikës, mes dhunës kërcënuese të së djeshmes dhe shpresës së natyrshme tek e nesërmja, mes Shqipërisë së vjetër të padrejtësisë, të fantazmave e të fosileve të historisë dhe Shqipërisë së drejtë që duam për të gjithë fëmijët e kësaj bote që të parën kanë shqiptuar fjalën nënë.

Sot fitoi e ardhmja, fitoi shteti, fitoi forca e politikës, fitoi qytetaria, fitoi shpresa, fitoi me të drejtë e me dinjitet Shqipëria e nesërme europiane e  fëmijëve tanë, humbi me të drejtë dhe me turp Shqipëria e djeshme e politikës pa din e as iman.

Ishte një fitore e vështirë, mbase më e vështira në betejat e derisotme zgjedhore të Shqipërisë, enë vetë nuk e mbaj mend një më të vështirë, sepse nuk luftuan mes vedi kundërshtarë, sado të ndërkryer kundër njëri-tjetrit në zgjedhje, por luftoi vetë sistemi ende i brishtë demokratik me kundërshtarët e ndërkryer të vetë zgjedhjeve.

Sot, 30 qershori që dukej sikur s’do vinte kurrë po ikën paqësisht, por bujarisht për shqiptarët duke marrë me vete hijen kërcënuese të ankthit kombëtar, pasigurisë njerëzore, rrëmujës sociale dhe kaosit institucional.

Një faleminderit të madhe këtu miqve e partnerëve të palëkundur të Shqipërisë demokratike, e cila u kërcënua o godit, u lëkund, por nuk u rrëzua edhe falë qëndrimit të tyre të patundur në krah të popullit shqiptar në mbrojtje të demokracisë, të lirisë së zgjedhjeve dhe të së drejtësisë çdo qytetari shqiptar për të zgjedhur.

Faleminderit qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësisë së saj në Tiranë!

Faleminderit Bashkimit Europian dhe delegacionit europian në Shqipëri!

Faleminderit misionit të OSBE-së dhe çdokujt tjetër ndër përfaqësuesit e nderuar të botës demokratike që dha një dorë në këtë betejë, sa të rëndë, aq dhe absurde për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat në BE.

Jo vetëm faleminderit po edhe ndjesë, shumë ndjesë, kujtdo ndër miqtë e huaj, që u bënë objekt i sulmeve të turpshme personale, – poshtë shtëpisë, apo nga frengjitë e kullave online e nga dritaret e ngrehinave televizive, – të halldupëve që me ato sulme, na turpëruan të gjithëve si vend, si popull, si njerëz.

Pas pak hyn një ditë e re, që e gjen Shqipërinë të çliruar nga makthi i tërë gjysmës së mbrapshtë të këtij viti.

Por njëkohësisht, dita e re vjen e ngarkuar, me barrën e rëndë të sfidës së madhe të kurimit të plagës që hija e marrëzisë përçarëse ka lënë pas.

Populli i Shqipërisë dhe më tej akoma, vetë kombi shqiptar si i tërë, i lidhur në gjak, në gjuhë, në histori, në përditshmëri dhe në ardhmëri nuk e meritonte gjithë sa pa, dëgjoi dhe përjetoi, me muaj që dukeshin si vite, në errësirën frikësuese të tërë gjysmës së sapo ikur të vitit, e cila dukej sikur do të shqyente e ndante në copa trupin e vendit dhe do të kthente mbrapsht me përdhunë kohën e re shqiptare.

Zgjedhësit e këtij vendi, pa dallim bindjesh e krahine, nuk e meritonin tërë atë presion kriminal e mizerabël, mbi shpirtin e mendjen e tyre.

Ky vend nuk e meritonte tërë atë llum të zi, që u hodh mbi fytyrën e tij nëpër pasqyrat mediatike të botës, për llogari të një plani antikombëtar dhe antiqytetar të lajmësve batakçinj, të një qameti që nuk ndodhi.

Por qytetarët shqiptarët sot e bënë të tyren. Bënë atë që populli bën, kur i vjen dita të flasë, si i vetmi sovran në hapësirën e demokracisë.

Ata folën si s’ka më qartë e si s’ka më bukur.

Qoftë duke shkuar të votojnë, ose qoftë edhe duke mos shkuar të votojnë, ata folën njëzëri me gjuhën e paqes dhe të respektit për njëri-tjetrin.

Ata e kthyen qytetarisht ditën e paralajmëruar të qametit në një të dielë krejt normale të shoqërisë, ku edhe çetat e qametlinjve, të izoluara totalisht nga populli i bashkuar në paqe, molotovët i kishin zëvendësuar me fizarmonika dhe qametparrullën ulëritëse e kishin zëvendësuar me lehjet komike kundër monizmit imagjinar.

U kry për bukuri me një llaf ajo çka dukej si rruga pa krye e rezistencës ndaj ofensivës më të egër politike, kundër demokracisë, kundër shtetit dhe kundër vetë vendit, që Shqipëria kishte parë ndonjëherë.

Pas pak fillon një ditë e re.

Fillon dita dhe koha kur ne, përfaqësuesit e vullnetit të rishprehur të shqiptarëve, duhet të vijojmë të bëjmë tonën; në radhë të parë duke u përulur, shumë më tepër se sa deri sot, përpara popullit; duke reflektuar, shumë më tepër se sa deri sot, përpara pasqyrës së qeverisjes sonë – në nivelin qendror e në nivelin vendor gjithashtu.

Por dua të jem i qartë për të gjithë qysh sot:

Ne nuk fituam ndonjë betejë zgjedhore të radhës për mandatin e ardhshëm të bashkive, po fituam përgjithmonë luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve.

Nga sot, Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, parti molotovësh, bojkot zgjedhjesh dhe fronte armiqësore politike kundër të drejtës së popullit për të zgjedhur.

Nga sot, pësimi i atyre që guxuan ta ndërmarrin aventurën e gjysmës së mbrapshtë të këtij viti, është një mësim, jo vetëm për ata, por për të gjithë partitë politike shqiptare dhe përgjithmonë.

Nga sot, ne vetë, fitimtarët e këtij 30 qershori, duhet ta ngulisim thellë në mendje se nuk fituam, ngaqë kemi bërë vetëm punë shumë të mira. As sepse gjithë sa kemi bërë mjaftojnë dhe as sepse për sa kemi bërë, meritojmë gjithë atë mbështetje të madhe që morëm në këtë luftë ekstreme politike – ku fillimisht, shumë, shumë pak njerëz, edhe mes nesh, deri në nivelet më të larta, besonin se do t’ia dilnim deri në fund.

Asnjë iluzion të mos ushqejë askush ndër ne:

Ne nuk kemi bërë vetëm punë shumë të mira.

Kemi bërë edhe punë thjesht të mira, po kemi bërë edhe disa punë që më mirë të mos i kishim bërë fare. Sepse i kemi bërë gabim. Ndonjërën edhe keq madje.

Punët që kemi bërë deri këtu, nuk mjaftojnë aspak.

E nëse nuk e kuptojmë këtë tamam kështu, siç është dhe siç po e them me plot gojën, njerëzit nga nesër do të jenë, me plot të drejtë, shumë më pak të duruar me ne dhe shumë më pak të prirur t’i mirëkuptojnë të metat e gabimet tona; lëre pastaj të na falin edhe kusuret tona.

Nëse ne largqoftë, gabojmë në leximin e mbështetjes së madhe që morëm në këtë përpjekje të stërmundimshme, duke kujtuar se ajo është rezultat i meritave të qeverisjes sonë, nuk ka gjasë që t’ua kthejmë dot, as si duhet dhe as sa duhet shqiptarëve e Shqipërisë, investimin e tyre të sotëm tek e ardhmja, tek demokracia, tek rruga europiane e atdheut tonë të përbashkët.

Prandaj të mos e harrojmë asnjë çast nga nesër:

Ne kemi vetëm një meritë në fitoren e kësaj dite historike.

Kemi meritën që qëndruam në anën e duhur të historisë dhe që udhëhoqëm, duke zgjedhur rrugën më të vështirë e në dukje, thuajse të pamundur.

Kemi meritën që zgjodhëm rrugën e drejtë e të gjatë të së ardhmes, duke u orientuar nga e drejta e popullit mbi partitë dhe duke pranuar sfidën shumë të rrezikshme të konfliktit sy më sy, e dhëmb për dhëmb me të keqen.

Kemi meritën që nuk zgjodhëm rrugën e shtrembër e të shkurtër të bashkëjetesës me të keqen, duke pranuar shtyrjen në dukje të arsyeshme të zgjedhjeve dhe duke shitur shtrenjtë të ardhmen, për të blerë lirë një çtensionim të gënjeshtërt.

Për këtë meritë, unë jam sot shumë krenar si shqiptar, si qytetar i këtij vendi dhe si udhëheqësi i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Për këtë meritë, Partia Socialiste e Shqipërisë është sot një fuqi e shtuar, edhe më e besueshme se deri dje, e demokracisë sonë në zhvillim.

Për këtë meritë, libri i historisë së kësaj partie, do të ketë një faqe tjetër më shumë, ku mund të lexohet e vërteta e saj më e madhe, më e rëndësishme, më e pakontestueshme, qysh nga lindja, kurrë në konflikt me interesin kombëtar. Gjithnjë në anën e duhur të historisë. Përherë me qytetarët e këtij vendi, sa herë vlerat themelore të demokracisë, kërcënohen në këtë vend.

Kjo meritë është shumë sigurisht, nuk është pak.

Por kaq.

Mbaron këtu dhe mbyllet sot qëndrimi tek kjo arritje historike.

Nga nesër, 30 qershori është thjesht histori.

Ndërsa ditët, muajt e vitet që do ta pasojnë, nga nesër deri në fund të mandatit tonë qeverisës, si edhe në katër vitet e mandatit të ri të qeverisjes vendore, janë borxhi ynë, prej dje i shumëfishuar, dhe prej sot I tejkaluar në shumëfishim, ndaj të gjithë atyre që i dhanë Shqipërisë fitoren e sotme; fitoren e qytetarisë europiane, të dinjitetit të njeriut të zakonshëm, të vullnetit të këtij populli një milionë herë më fisnik, më të mençur e më largpamës, se politikanët dhe opinionistët e këtij vendi.

Eshtë një borxh marramendës, por unë e pranoj, nuk iki, megjithëse e di mirë se sa shumëfish më e vështirë se deri sot, është sfida e shlyerjes së tij, nëse ne nuk fillojmë qysh nesër, të ndryshojmë nga ata që jemi sot.

Gjatë tërë muajit korrik, ne do të zhvillojmë një debat të brendshëm, për të analizuar qeverisjen qendrore dhe vendore, qoftë në bashkitë e drejtuara deri dje nga ne, qoftë në të tjerat që do të drejtojmë nga nesër dhe, për të programuar të tëra korrigjimet e nevojshme, në funksion të sfidës së vështirësuar tejmase, një debat të gjerë, për të analizuar situatën në familjen tonë të madhe politike, në funksion të korrigjimeve të nevojshme, duke u mbështetur tek shembujt e suksesshëm organizativë, që sot jo vetëm nuk munguan, por ishin  tepër domethënës.

Një debat për të analizuar edhe pozicionin tonë të ri në skenën politike të vendit dhe marrëdhëniet ndërpartiake – qoftë me opozitën parlamentare, qoftë me opozitën jashtëparlamentare.

Plaga e hapur nga dalldia e gjysmës së mbrapshtë të këtij viti, kërkon kurim dhe ne duhet të bëjmë çmosin tonë, pavarësisht se atë e hapën humbësit me turp të luftës haluçinante politike që projektuan.

Ata sot janë aty ku e meritojnë, në gropën ku donin të fusnin Shqipërinë, drejtësinë e qeverinë dhe mbetet për t’u parë, sa kohë do të vazhdojnë ende të bëjnë sikur nuk shikojnë, sikur nuk dëgjojnë, sikur nuk kuptojnë se jo vetëm e kanë humbur davanë, po se as Zoti vetë nuk i shpëton dot më nga rrënimi përfundimtar, nëse përsëri si gjithnjë, do ta kërkojnë shkakun disfatës së turpshme jashtë vetes së tyre.

Sidoqoftë, dua të jem shumë i qartë qysh sot, lidhur me ta.

Nëse duan paqe politike, paqe do të kenë.

Dhe paqja mund të fillojë vetëm duke u tërhequr, pak e nga pak, por në mënyrë të dukshme, nga sulmet kundër Shqipërisë në gjuhë të huaj.
Nëse duan marrëveshje për Shqipërinë, marrëveshje do të kenë. Dhe marrëveshja mund të ndërtohet vetëm me dialog, pa kushte dhe me shprehjen pa ngurrim të vullnetit për t’u angazhuar, të gjithë bashkarisht për të ndihmuar çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Vendimi i Këshillit Europian në tetor, s’është natyrisht në dorën tonë edhe sikur të vëmë kujën të gjithë bashkë, por padiskutim mund të bëjmë më shumë në favor të çeljes së negociatave, nëse kujën e brendshme nuk e bëjmë punë të jashtme.

Dora ime është e shtrirë.

Reforma zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it dhe porosisë së Këshillit Europian, mbetet një sfidë e përbashkët – me opozitën parlamentare dhe me atë joparlamentare. Kjo e fundit ka prej kohësh një karrige bosh në Komisionin e Reformës dhe është e mirëpritur të ulet, bashkë me të drejtën e vetos.

Ndërsa Reforma në Drejtësi jo nuk negociohet, po as nuk diskutohet. Vetëm mbështetet. Duhet të jetë shumë e qartë qysh sot për të gjithë, se unë nuk kam as disponimin më minimal, për asnjë pazar politik për të ndenjurat e politikanëve dhe për asnjë lloj marrëveshje për të penguar drejtësinë të merret me zullumet e kujtdoqoftë, djathtas apo majtas.
Borxhi ku e futi edhe më thellë sot shumicën tonë qeverisëse ky popull, edhe sikur ne të kthehemi në magjistarë, i gjithi nuk shlyhet dot kurrë, po një gjë është e sigurtë: Nga sot duhet dhe do të jetë më i qartë, më kumbues dhe më i përditshëm se kurrë, me vepra e jo vetëm me fjalë, mesazhi se jo ata që përfunduan në gropë pasi deshën të digjnin Shqipërinë për të hedhur në erë rrugën e negociatave me BE-në, po edhe kushdo që nën çatinë e shtëpisë së madhe të socialistëve e të progresistëve, mund të ketë apo do të ketë hesape me drejtësinë, nuk do të mbrohet, nuk do të justifikohet, nuk do të tolerohet për asnjë arsye në këtë botë, nga kjo parti!

Kjo parti, nga nesër duhet dhe do t’u përkasë edhe më shumë se deri dje, me vepra e jo me fjalë, njerëzve që sot i dhanë fitoren arsyes njerëzore mbi kafshërinë politike; ndjenjës qytetare mbi instinktet primitive; përgjegjësisë së lartë kombëtare mbi papërgjegjshmërinë e pabesisë ndaj kombit!
Revolucioni imagjinar i administratave bashkiake u kthye në një disfatë spektakolare, për udhëheqësit, organizatorët dhe aktivistët e verbër të tij.
Kush kaloi vijën e kuqe të ligjit gjatë veprimtarisë revolucionare, duhet të ndëshkohet e të paguajë, një më një, deri në fund dhe në proporcion të drejtë me fajin e përcaktuar ligjërisht.

Ndërsa kush ka qenë, thjesht një viktimë e presionit të operatorëve turistikë të agjencisë opozitare të protestave dhe ka zbritur në bulevard si turist politik paqësor, nuk duhet dhe nuk do të preket kurrsesi për këtë arsye, në të drejtën e tij, për të vazhduar punën në administratat apo në ndërmarrjet bashkiake.

Asnjë grua apo vajzë, në radhë të parë, nuk do të largohet nga puna në asnjë nga bashkitë e djathta të mandatit që skadoi sot. Asnjë revansh i natyrës politike me administratën nuk do të tolerohet dhe asnjë hyrje triumfaliste, prej ushtrie fitimtare partiake në kërkim të vendeve të punës në administratë, nuk do të lejohet.  Padiskutim që vendet e zëna me kushurillëk e me dallavere të çdo natyre, nga njerëz që s’kanë lidhje as me punën për të cilën paguhen, as me meritën që duhet të kenë për pozicionin që mbulojnë, s’kanë se si të justifikohen dhe as se si të mos pastrohen.
Por gjithçka do të zhvillohet me analiza të mirëfillta, raporte transparente për publikun dhe vendimmarrje të bazuar në argumenta të qëndrueshëm, ligjorë e profesionalë.

Shqipëria e këtij 30 qershori nuk fitoi për të majtën, po fitoi për të drejtën.
Administratat e bashkive të djathta, nuk duhet të gjykohen nga këndi i të majtës, po të vlerësohen vetëm nga pikëshikimi i të drejtës.
Më tej akoma, vetë qeverisja jonë, në nivel kombëtar e vendor, nuk duhet të reflektojë si rrjedhojë e kësaj dite ekzaltuese për demokracinë, asnjë nuancë triumfalizmi, asnjë shfaqje vetëkënaqësie e asnjë shprehje mosvëmendjeje ndaj asgjëje e askujt.

Përkundrazi, ne duhet të reflektojmë menjëherë e vijimësisht, mbi nevojën urgjente të një përqafimi të ri, të sinqertë, të madh, të të gjithë njerëzve dhe vlerave të konkurencës e të meritës, përtej simpative të majta e antipative të djathta.

Është koha për një politikë të re në raport me kampet politike të njerëzve të zakonshëm; për një hapje të re, serioze dhe të strukturuar të Partisë Socialiste e të të gjitha niveleve të administrimit të punëve të këtij vendi, ndaj njerëzve të zot, të ditur, të gatshëm për t’i shërbyer shtetit që po përpiqemi me kaq shumë sforco të ndërtojmë; për një ritëm të ri të shtetbërjes dhe fuqizim të mëtejshëm të ligjshmërisë, në funksion të një klime shumë më pozitive, po edhe shumë më agresive drejtësie, në raport me detyrimet e çdokujt ndaj shtetit e shoqërisë duke filluar nga politikanët.
Por për sot po ndalem këtu, po jo përpara se të përshëndes me një shprehje respekti të thellë ndaj të gjithë njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, që nuk e mbështetën asnjë çast dhunën të tërë muajve të mundimshëm që ikën bashkë me dhunën. Respekt cilitdo që sot nuk votoi, po mori pjesë në ndëshkimin final të revolucionit skandaloz imagjinar, duke mos u përfshirë në asnjë akt dëmtues apo nxitje negative kundër procesit zgjedhor.

Faleminderit!

Jo vetëm respekt, po edhe mirënjohje të thellë, të gjithë atyre që sot ushtruan të drejtën e votës, pavarësisht për kë votuan në listat e këshillave bashkiakë apo kujt i vunë votën ose vizën aty ku s’kishin më shumë se një zgjedhje për kryebashkiak.

Shumë faleminderit!

Ndërsa për socialistët, për progresistët e për simpatizantët e çdo moshe e bindjeje, që nga ata që s’më lanë kurrë të ndjehem vetëm në përpjekjen time kokëfortë, me mesazhe të panumërta inkurajimi në zyrën time në whats-app; tek ata që erdhën të më dëgjonin në pikun e vapës gjatë maratonës drejt 30 qershorit dhe deri tek ata që sot e mbytën përfundimisht me thonjtë e ngjyrosur në qendrat e votimit, fantazmën e dhunës e të pengmarrjes politike të këtij populli, nuk gjej dot fjalë që të përcjell atë që ndjej!
E di që s’ka se si të mjaftojë, po s’kam si ta them ndryshe:
Ju dua shumë fare!

Kjo është shprehja më e bukur për mua, të cilën ma thotë Zaho dhe për të cilën unë vdes fare.

Faleminderit të gjithëve dhe shumë posaçërisht, Lindës që mban ditë-natë malin e halleve të mia, Gregut, Reas dhe të paepurës Aneta Rama, që sot ishte një nga qindramijëra thonjtë tuaj të mrekullueshëm.

Rroftë shqiptaria!

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!