Postuar më: 12 Korrik 2019

Kompania prestigjioze Yura Corporation në Shqipëri

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Fier, ku kompania jugkoreane “Yura Corporation” nisi sot ndërtimin e stabilimentit për prodhimin e pjesëve teknologjike të autoveturave, investim prej 13 milionë eurosh, që do punësojë mbi 1000 persona:

Duke u përgatitur për të ardhur këtu, mësova një shprehje koreane që mund të vlejë si ilustrim i të gjithë kësaj përpjekjeje jo të lehtë, për të arritur deri në momentin e nisjes së këtij investimi. Shprehja thotë: “Të kapësh me dorë një yll në qiell!”

Besoj që do të thotë të vendosësh një destinacion dhe të bësh gjithçka për të arritur deri aty. U vendos ky destinacion qysh në vitin 2016 dhe faktikisht ishte një rrugë jo e lehtë për të kaluar nga ëndrra tek realiteti, gjë që shumë shpesh, shumëkush nuk e kupton, ose nga padurimi nuk do ta kuptojë sesa i gjerë është deti nga  e thëna në të bërë, sidomos kur bëhet fjalë për investime, për projekte komplekse, apo, si në këtë rast, për thyerje të një akulli, duke sjellë në Shqipëri, një kompani ekselence në fushën e automobilistikes.

Nga ana tjetër nuk duhet harruar asnjëherë se për më shumë se 20 vjet, shumica dërrmuese e investitorëve të huaj janë shfaqur dhe ata që kanë mbetur janë marrë kryesisht me shfrytëzimin e burimeve tona natyrore, por jo aq me investime prodhuese që krijojnë punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm për vendin, duke e ngritur vendin në një kategori tjetër.

Sigurisht që ka pasur edhe një krah investimesh për të shfrytëzuar krahun shumë të lirë të punës, por, përsëri, ajo çka mbetur për një kohë të gjatë e paafrueshme në Shqipëri ka qenë fasha e kompanive në prodhimet e një niveli tjetër, siç është prodhimi i automobilave.

Sot, ne jemi në një fazë të re, ende në hapat e para, por me siguri në hapa të mjaftueshëm për të konstatuar se modeli ekonomik i bazuar te prodhimi, te eksporti dhe tek një turizëm i mirëmenduar na kanë vendosur bazën e sigurtë, për të shkuar më tutje në mënyrë të qëndrueshme.

Nga epoka e rritjes së bazuar te boom-i i ndërtimeve kaotike dhe remitancat, sot kemi hyrë në një epokë të re, pa asnjë diskutim dhe falë pranisë së kësaj kompanie prestigjioze çelim siparin, shpresoj, të një faze ku të tjera kompani në tregun e automobilave do të shfaqen, duke zhvilluar një mozaik që ka disa gurë të vegjël në Elbasan apo në Librazhd, me disa filiale modeste, por sidoqoftë goxha premtuese dhe tani, këtë gur të rëndësishëm siç është “Yura”, pas një procesi të gjatë pengesash dhe një procesi jo të shkurtër negocimi.

Ajo që më bën të ndihem i inkurajuar dhe shpresëplotë për faktin se e kemi hapur këtë sipar me një kompani vërtetë prestigjioze, është se “Yura” ka pasur një sërë zgjedhjesh për të investuar në Europë dhe mes këtyre zgjedhjeve ka zgjedhur të çelë një filial në Poloni dhe një filial në Shqipëri.

Kjo është shumë inkurajuese, sepse e dimë shumë mirë se, kur flasim për Poloninë, flasim për një ligë tjetër shtetesh të dala nga komunizmi, por me një nivel zhvillimi dhe një nivel pranishmërie të investimeve të huaja të pakrahasueshëm me Shqipërinë.

Më vjen shumë mirë po ashtu që kemi transformuar programin e Shqipërisë “1 euro”, nga një program për falje kapanonesh, ish-uzinash, apo pronash shtetërore të mbetura sot e gjithë ditën djerrë,si rezultat i kontratave tërësisht të pambështetura në plane serioze dhe në kompani serioze investimesh, janë një program real investimi që na sjell përmes Yura-s këtu, si fillim 600 vende të reja pune dhe në një fazë të dytë afro 1100 duke synuar dhe shpresuar që suksesi i këtyre dy fazave të para, për të cilat tanimë jemi dakordësuar me kompaninë, të na çojë tek një fazë e tretë, siç e parasheh kompania, për të arritur në 4000 punonjës në rang vendi, këtu në Shqipëri.

Ministrja citoi disa shifra. Janë shifra domethënëse, por janë shifra të pamjaftueshme për Shqipërinë që duam dhe që synojmë t’i afrohemi në një kohë më të arsyeshme për padurimin dhe pritshmërinë e njerëzve, sesa koha që do të duhej në kushtet e një situate më pak të mbushur me pritshmëri dhe me padurim, pra, kjo do të thotë që kemi nevojë për shumë më tepër investime të huaja. Kemi nevoje për disa ndërhyrje domethënëse në sektorët strategjikë, duke nisur nga turizmi.

Zbulimi i kompanisë SHELL në zonën e Shpiragut është një arsye shumë e fortë për të qenë të lehtësuar nga barra e të nesërmes, sepse do të garantojë një fluks investimesh dhe një fluks të ardhurash të rëndësishme.

Jemi në proces për dy zhvillime të reja në sektorin e naftës dhe të gazit, që kemi shumë arsye të besojmë se do të jenë histori suksesi, pasi zbulimi në Shpirag ka krijuar shumë interes dhe tanimë nuk ka një kompani të madhe me emër që nuk interesohet për Shqipërinë.

Ashtu sikundër jemi shpresëplotë që sëbashku me Sokolin dhe me AIDA-n do të mund të çojmë më në fund në port disa investime domethënëse në sektorin e turizmit, që patjetër do të injektojnë sasi të konsiderueshme fondesh dhe do të çelin perspektiva të konsiderueshme për punësim, por do të influencojnë në mënyrë të jashtëzakonshme edhe për një zhvillim të qëndrueshëm, bazuar tek më pak masivitet dhe më shumë të ardhura nga turizmi dhe për një forcim të domosdoshëm të imazhit të Shqipërisë turistike.

E nënshkruaj pa hezitim edhe shqetësimin që shprehu këtu Sokoli, drejtori i AIDA-s, për domosdoshmërinë e më shumë shpejtësie dhe efikasiteti në ndërveprimin mes institucioneve dhe mes nivelit qendror dhe vendor, kur vjen fjala për të mbështetur shprehjet e interesit të investitorëve të huaj, por besoj që edhe në këtë aspekt jemi duke mësuar me shpejtësi nga eksperiencat e të shkuarës dhe duke strukturuar në mënyrë të arsyeshme një mekanizëm që ka AIDA-n, Agjencinë e Investimeve në qendër, por që krijon shumë më tepër kushte për shpejtësi dhe për efikasitet.

Në fund, më vjen mirë që ky investim ndodh në këtë zonë, zona e Shqipërisë që kishim dhe jo më zona e saj, por zona e një Shqipërie që edhe këtu do të japë një shenjë të fortë rilindjeje në funksion të së ardhmes që duam për fëmijët tanë. Fieri ka një profil tradicional industrial dhe ardhja e kompanisë jep mundësi për ta ridizejnuar këtë profil në kushtet e reja dhe për të hapur perspektivë për të tjera kompani që të afrohen, duke parë që edhe në këtë nivel, Shqipëria mund të përgjigjet dhe edhe në këtë nivel, në Shqipëri mund të krijohet punë dhe mund të zhvillohen eksporte të rëndësishme të një tregu që është kolosal dhe që ku deri shumë pak kohë më parë, ne kemi qenë komplet të papranishëm.

Ju faleminderit të gjithëve për vëmendjen dhe falë durimit heroik korean, ne jemi sot, këtu dhe duke uruar që të vazhdoni të na duroni nëse nuk arrijmë dot të jemi gjithmonë në lartësinë e pritshmërisë për shpejtësi, jam i bindur që në bashkinë e Fierit keni një aleat të sigurtë, për ta çuar procesin përpara.