Postuar më: 19 Qershor 2019

Fusha e gjelbër e Kryeministrisë merr emrin e dy gazetarëve

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë në nder të dy gazetarëve të Radio Tiranës, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho të pushkatuar 40 vite më parë:

Shumë të nderuar familjarë të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos,

I dashur Spartak,

Të dashur miq të pranishëm në këtë ceremoni shumë speciale,

Jemi pothuajse tri javë nga përkujtimi, nëse i marrim ditë për ditë, i 40 vjetorit të pushkatimit të dy gazetarëve të Radio Tiranës, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Dy djem që siç shkruanin dikur agjeografët rilindas, u bënë theror të idesë së tyre, pra të një ideali.

Të pranishmit sot këtu panë ndoshta për herë të parë, shumica e të pranishmëve, fytyrat e dy gazetarëve gjatë minutës së heshtjes dhe në vijim. Një minutë heshtje në shembullin e dhjetëra faqeve të mbrojtjes përpara gjyqit që Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho e kthyen në një nga aktakuzat më të fuqishme ndaj regjimit diktatorial, kur ky i fundit ishte aty, i tëri dhe fuqiplotë. Janë shëmbëlltyra të hijshme por edhe të dhimbshme dhe nëse shumë prej jush patë sot për herë të parë çka mbetur nga këto shëmbëlltyra të dy burrave pas vrasjes, mbi vrasjes, hakërrimit mbi kujtesën që ishte karakteristikë e një regjimi errësire, askush prej nesh, as të afërmit, siç e dëshmoi, sapo, njëri prej familjarëve, nuk ka parë ende që t’ju jetë falur një vend prehjeje, një banesë e fundit, një mbishkrim, një varr qoftë dhe kujtese.

Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, shumë djaloshar në dënimin e parë, u burrëruan ashtu siç vetëm Spaçi mund të burrëronte apo gjunjëzonte edhe karakteret më të skalitur. Për habi dhe për mrekullinë le të themi të një regjimi të kobshëm që u rrek t’i shpërbënte deri në grimcat e fundit të qenies, këta dy gazetarë u kthyen në dy kokrriza rëre që çakërdisën gjithë ingranazhin në dy grimca kripe që i japin shije dheut të asaj kohe që i ngjan një shkretëtire dhe në forcën e një shembulli që si çmim dhe si shpërblim ka vetëm vetëdijen e lirisë.

Diku Ismail Kadareja shkruan saktësisht në një libër pak të njohur, “Katër përkthyesit”, se Enver Hoxha i zgjidhte shpejt dilemat e vështira. Me dy mjete, joshjen ose shkatërrimin. Me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon nuk ia doli, as duke performuar njërën, as duke kallur datën me tjetrën dhe se cilët ishin këta dy djem dhe burra, është e kotë që ta kërkosh nëpërmjet një rrjedhe biografike dhe ma ha mendja se aq më pak mund të kuptohet vetëm nëpërmjet episodeve të arrestimit, të vuajtjes në burg, të letrave të dërguara nga Spaçi udhëheqësit kryesor dhe udhëheqësve të nënrenditur apo dhe ridënimit fatal.

Brilant, ndonëse diskret, krenar po pa asnjë fodullëk, me një mendje të hapur dhe të shënjuar nga pasioni, sa për vatrat e tyre plaghapura nga rrebeshi i diktaturës që e morën të tërin mbi trup, aq dhe për idetë që mishëronin dhe për atdheun që i dha mish e kocka gjithë utopisë së tyre.

Dy gazetarë të dashuruar marrëzisht me profesionin, që u angazhuan për të promovuar një frymë lirie dhe një cilësi emancipimi që për herë të parë dhe paradoksalisht Shqipërisë i frynte asokohe dhe nga lindja, ndonëse përkohësisht. Ishte ajo koha e shkrirjes së akullit siç e quan Ilya Ehrenburg. Ishte koha kur Ismail Kadareja botonte “Muzgu i perëndive të stepës”,  libër i cili prej përshkrimit në dritëhije të procesit që dënoi Boris Pasternakun, e shpallte këtë të fundit një hero vetmitar përkundër një shteti përbindësh.

Ishte një kohë paradoksesh, siç shkruan Fernandez Rekatala, mu në zemër të vendit komunist më të ngurtë, në vendin ku Fadil Kokomani do të shkruante në mbrojtjen e tij 40 vjet më parë se ishte bërë universi i burgomanisë, një roman rehabilitonte autorin e Doktor Zhivagos. Në fakt, është mahnitëse se si dy gazetarët e radios u kthyen në një nga sfidat njerëzore, intelektuale dhe pothuajse hamletiane të diktaturës komuniste jo sepse komplotuan, as sepse patën ambicien e ndonjë heroizmi vetëflijues, as për hir të ndonjë protagonizmi snob dhe jo për të dërmuar me terrorizëm revolucionar apo gueril, një terrorizëm shtetëror të instaluar këmbëkryq. Sfida e tyre që ata e mishërojnë edhe sot me mungesën fizike të varrit të tyre, ishte një sfidë sa e pamundur, aq edhe shumë e thjeshtë prej një koherence që nuk u cënua deri në fund, prej nevojës së një fjale të lirë që u jetua deri në fund si përgjegjësi e shenjtë personale, prej një kulture të formësuar në burimet më të larmishme të trashëgimisë botërore, ata ishin si një kërkesë llogarie e gjallë dhe pa lëshime, një kokëçarje e pandërprerë ndaj një regjimi që ishte i mavijosur nga krimi dhe ndonëse ishte i ngjizur nën një brezore të tërë idealesh.

Është interesant fakti që, apo më mirë të themi i rëndësishëm fakti që, janë bij familjesh që luftës Nacional-Çlirimtare i kishin dhënë gjithçka dhe që besonin deri në utopi tek rimëkëmbja e vendit nën yllin partizan të cilit i kishin dhënë besën dhe i kishin falur gjithë besimin për emancipim dhe zhvillim duke u shfaqur si lajmës të një përparimi shumë të sinqertë, jo përjashtues, jo ndëshkues por paqtues dhe ripërtëritës dhe besoj që këtu mund të kërkohet dhe fuqia titanike e këtyre dy njerëzve të brishtë si gjatë arrestimeve dhe qëndrimit në burg po aq edhe në momentin e pushkatimit që është një moment absolutisht i jashtëzakonshëm në aspektin e bindjes tek drejtësia.

Jo më kot edhe pas mbrojtjes mbresëlënëse që shpalosën në atë gjyq farsë 40 vjet më parë, edhe të pandehurit e tjerë, prej tyre morën zemër dhe në fund fare thanë fjalën: kërkojmë vetëm drejtësi.

Në këtë pikëpamje, këta dy njerëz në kuptimin më të plotë të fjalës, janë si një lloj sfide në antitezë e opinionit frojdjan se çdo shoqëri themelohet me një krim të përbashkët. Në kompleksitetin e tyre si persona, si komunistë me brum intelektual të pamohueshëm si idealistë, si njerëz të pasionuar për jetën, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, janë pa pikën e dyshimit mishërimi i një të majte sa radikale aq dhe demokratike që tek ata gjen si të thuash edhe utopinë por edhe pamundësinë e vetë.

Njëkohësisht, ata hynë me patjetër edhe në radhën e veprimtarëve dhe humanistëve që në vijimësi, jo këtu por botërisht, e panë tjetërsimin e të majtës nga ngasja për diktaturë, shpërfytyrim dhe krim si një vuajtje të re në qafën e njerëzimit. Të dy ishin komunistë intransigjent por të dy ishin njerëz të lirë dhe në kërkim të lirisë së të gjithëve, në kuptimin më të mirë të fjalës dhe në këtë pikë, ata njehsohen plotësisht me nocionin e martirit.

Elie Wiesel dikur pat thënë se ka diçka që e dallon martirin, dëshmorin nga terroristi dhe nga kamikazi, që është e thjeshtë. Martiri nuk ia shmang vdekjen vetes nëse kjo është një dëshmi eprore për shpëtimin e shumëkujt. Ndërsa e kundërta ndodh me terroristin, pasqyra e përmbysur e martirit, që mbjell vdekjen tek shumëkush në përçmim dhe të jetës së tij dhe vetë jetës njerëzore si e tillë dhe po të meditosh mbi fatin e martirëve dhe mbi fillin e historisë që lidh Vangjel Lezhon dhe Fadil Kokomanin me rrënjët e lidhura me luftën nacional-çlirimtare si dhe me bartjen e utopisë së asaj lufte në terrenin e pamundur të transformimit të komunizmit nga një ëndërr në një makth, atëherë kemi të bëjmë padyshim me dy dëshmorë të munguar. Në një mënyrë apo në një tjetër, ata nuk janë dy ndër shumë të persekutuarit dhe të dënuarit e pastaj të pushkatuarit e diktaturës por janë dëshmorët e fundit mes dhjetëra mijëra partizanëve të vrarë gjatë luftës, mes qindra e qindrave dëshmorëve që e luftuan armikun e atdheut me pushkë por duke patur në zemër një ideal komunist të strukturuar.

Në një farë mënyre, historia e jetës së tyre duket si e bërë me dorë për të dizejnuar në sytë e të gjithëve finalen tragjike të një historie që nisi me luftën nacional-çlirimtare dhe pastaj dihet se si përfundoi.

Çka lavdia e rënies në fushën e nderit u shmangu në brengë, zhgënjim dhe ndoshta deri në privim të jetës këtyre dëshmorëve që aq shumë e deshën Shqipërinë të lirë e të emancipuar, fitimtarët zyrtarë dhe përfituesit e të nesërmes, faktikisht nuk ia kursyen këtyre dy djemve që ishin zëri në radio i testamentit të aspiratave të asaj lufte. Prandaj unë besoj që duke pushkatuar Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, Enver Hoxha dhe sistemi i tij vranë dëshmorët e fundit, asgjësuan zëri që vazhdonte si jehonë përmes valëve të radios e asaj që ishte epopeja e një utopie të madhe dhe faktikisht, kjo mund të konsiderohet edhe një ri vrasje e dëshmorëve dhe një kryqëzim final i shpresës së tyre të lirë. “Një zhgënjim i madh dhe i thellë, i dhimbshëm dhe tragjik” – shkruan më vonë Liri Belishova, luftëtare dhe bashkëvuajtëse e dy martirëve por në letrën drejtuar Komitetit Qendror, në 1979, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho shkojnë më larg. Është fantastike letra dhe edhe më fantastike e bën parafytyrimi i kohës kur është shkruar.

“‘Olimpi’ i Tiranës i ka kthyer të gjitha tragjeditë eskiliane të lashtësisë në komedi alla ‘Epopeja e Ballit’! Ky ‘Olimpi’ ynë e ka mbushur Shqipërinë pëllëmbë e burg, që ua kalojnë edhe atyre të fashizmit… Gënjeshtra e madhështisë së fituar qysh në Luftën Nacional Çlirimtare… Në Shqipërinë socialiste fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës, i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me të njëjtin qëllim ‘humanitar’ që ai, kur të rritet, të vrasë veten! Në vend të mirëqenies ofrohen parullat patriotike…

Për shoqëri ideale, për të cilën Sekretari i Parë ka plot 35 vjet që shurdhon veshët e popullit shqiptar. Krijuat një fe të re të perëndive të Tiranës, krijuat Zotin e ri në personin e Enver Hoxhës, të cilin e kanë tmerr dhe frikë të gjithë, pasi ai është bërë Zot i familjes, i ndarjeve dhe martesave, i aksioneve dhe i zboreve sfilitëse, i kafshatës së bukës dhe – çka është më tronditësja – ai është kapitalisti dhe punëdhënësi primar dhe permanent i kësaj toke shqiptare”.

“Fitimtarë dhe pastaj përfituesit e luftës dihet, u bënë flamurmbajtës të një morali të cilit i nëpërkëmbën parimet, duke anashkaluar, tradhtuar, vrarë, gjymtuar, njerëz”, – shkuan Ismail Kadareja, “morali i vërtetë pjell pabesi sa herë që merret për mburojë nga amoralët”.

Tani, dheu i Shqipërisë fsheh akoma sot në një qoshe që nuk dihet eshtrat e këtyre dy dëshmorëve të fundit. Nuk dua në asnjë mënyrë të prek këtë ndjenjë shumë të thellë besoj dhe njerëzore, mungese të varrit për familjarët por me ndjesën përkatëse, më lejoni t’ju them që nuk kishte si të ndodhte ndryshe nëse e shohim të gjithë historinë e tyre.

Duket sikur prania e mungesës është ajo çka ata nuk mund të mos e linin pas. Padyshim që zhdukja e eshtrave të tyre është një zgjedhje barbare e vrasësve të tyre por në fund të ditës, duket se është pikërisht përmes pranisë së mungesës që Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, janë më shumë se sa çdo të ishte sot një varr dhe prandaj mbase është gjëja e duhur që në pamundësi të një varri, ne ta celebrojmë praninë e mungesës së tyre në këtë hapësirë të gjelbër duke ia dedikuar pikërisht mungesës dhe duke i ofruar kujtimit të tyre një hapësirë që nuk e di për çfarë arsye por më lejoni ta them deri në fund, besoj që ata vetë do ta kishin parapëlqyer në raport me një varr kështu që me shumë respekt dhe mirënjohje për thesarin që ata lanë në memorien e këtij kombi dhe me shumë nderim për familjarët, unë do doja që sëbashku të vendosim një lule pranë një pllake modeste, në homazh të dy gazetarëve që aq shumë e deshën këtë vend, aq shumë e deshën profesionin e tyre, aq shumë besonin tek kultura dhe tek fjala sa në fund fare, mbetën thjesht një jehonë për të gjithë ata që kanë vesh, për të dëgjuar një histori të jashtëzakonshme të dy dëshmorëve të fundit.

Shumë faleminderit dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i këtyre dy krijesave krejt të veçanta në historinë tonë! ​