Postuar më: 1 Shtator 2019

Nis rindërtimi i konviktit të Universitetit të Korçës

Pas kantiereve të hapura në rezidencat studentore në Tiranë ka nisur edhe rikonstruksioni total i godinës së studentëve Nr.1 në Korçë, që do të përmirësojë rrënjësisht jetesën për 160 studentë të saj. Godina do të pësojë rinovim të të gjithë ambienteve të brendshme, duke përfshirë të gjithë dhomat, nyjet hidrosanitare, sistemin e ngrohjes qendrore, si dhe rimodelimin e fasadës dhe rehabilitimin e ambienteve të jashtme. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo dhe deputeti i Qarkut Niko Peleshi, pa nga afër nisjen e punimeve.

Drejtori i FSHZH Dritan Agolli shprehu bindjen se pas përfundimit të këtij projekti, numri i studentëve që do të zgjedhin konviktit për të jetuar do të vijë në rritje. “Janë rreth 76 dhoma që do rikonstruktohen, me dy studentë për dhomë. Me rehabilitimin e godinës dhe krijimin e një standardi të ri mendojmë që do rritet dhe fluksi i studentëve që do fillojë të akomodohen në godinat publike, që kuptohet është dhe më ekonomik këtu, sepse edhe çmimi që paguajnë është shumë i ulët”, – tha Agolli.

Godina Nr. 1 është pjesë e qytezës studentore, e pajisur me bibliotekë dhe ambiente sportive. “Me këtë investim, kjo qytezë do të rivitalizohet” – u shpreh deputeti Peleshi.

E gjithë qyteza, në periudhën kur studentët janë me pushime, sipas deputetit Peleshi, mund të vihet në dispozicion të skuadrave sportive që fazën përgatitore zgjedhin ta bëjnë në Korçë.