Postuar më: 31 Gusht 2019

Drejt përfundimit rikonstuksioni i konvikteve të Qytetit Studenti

Në Qytetin Studenti ka përfunduar rikonstruksionii 11 konvikteve dhe janë drejt përfundimit edhe 6 godina të tjera,ndërsa 3 të fundit nisin javën e ardhshme.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës,  Erion Veliaj ishin sot në konviktet 24 dhe 25 të Qytetit Studenti, aty ku puna po vijon në infrastrukturën e brendshme. “Konvikti 24 ka 88 dhoma, ka një kapacitet prej 240 studentësh. Po punohet në ambientet e përbashkëta. Është duke u ndërtuar një bateri e re dushesh, pastaj do të vazhdohet me rrjetin hidraulik dhe elektrik,”, u shpreh drejtoresha e Rezidencave Studentore, Anila Shehu.

Na kanë mbetur dhe tre konviktet e fundit që besoj fillojnë punë javën tjetër. Kemi mbaruar 11 totalisht, kemi aktualisht nja 5-6 kantiere të hapura,” – tha kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili theksoi se sfida e radhës është mirëmbajtja e tyre, për të cilën ideja e punësimit të studentëve si administratorë mbetet zgjidhja më e mirë. “Në qytetin studenti, ne punësojmë shumë staf, recepsionistë, administratorë, etj.. Çdo gjë ka nevojë për t’u mirëmbajtur. Menduam që ideja më e mirë, meqë specialistët janë më paga minimale, është që ne mund të punësojmë studentë. Pra, do të hapim disa vende pune dhe do t’u themi që kemi disa vende pune si administratorë. Po u prishën dushet, po ndodhi diçka, apo ndonjë problem tjetër kemi një administrator që është një prej studentëve.”

Znj. Shehu tha se përfaqësimi studentor e ka lehtësuar së tepërmi, komunikimin me studentët. “Kemi gjithashtu një përfaqësues student për çdo konvikt, kemi  një përfaqësues për kat, i cili gjatë gjithë kohës zgjidh edhe problemet e mirëmbajtjes, edhe problemet e bashkëjetesës, por edhe probleme të ndryshme që  mund të kenë studentët.  Kur kemi nga një përfaqësues për konvikt është më e thjeshtë për të komunikuar me të gjithë studentët.

Ndërkohë që Karta e Studentit pritet të fuqizohet nga 1 tetori dhe se skema e saj do të implementohet edhe në qytete të tjera. “Një gjë e cila na ka shkuar shumë mirë dhe që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë nga data 1 tetor është Karta e Studentit. Presim të lidhim një marrëveshje me një bankë tjetër që i bën interesat zero për studentet, pra, për të hapur një kartë, për të bërë një transaksion, një kredi të butë. Kështu që me Kartën realisht jemi në gjendje që ta implementojmë dhe në qytete të tjera. E kemi skemën gati,” – u shpreh Veliaj.

Kryeministri Rama theksoi se edhe në qytete të tjera ku ka rezidenca studentore puna po vijon brenda parashikimeve. “Ne jemi në kohë për t’i akomoduar pjesën më të madhe si duhet. Tani kanë mbetur disa këtu. Plus, Korça ka filluar, Shkodra po ashtu është në proces për të filluar, fillon këto ditë sepse gjithçka është bërë gati. Po ashtu për Elbasanin, Vlorën dhe Gjirokastrën.

Kryetari i Bashkisë Veliaj vlerësoi të suksesshëm bashkëpunimin me sektorin privat, pa ndihmën e të cilët, shumë projekte për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë do të ishin të pamundura. “Nëse i shikojmë gjërat, pavarësisht nga debatet, – flas për Tiranën, – shkollat, inceneratorët, kjo historia me spitalet, janë disa nga projektet ku bashkëpunimi me privatin ka qenë histori suksesi. Inceneratori i Tiranës nuk do ishte bërë kurrë me forcat tona. Po ashtu me shkollat e Tiranës, ku sot kemi 16 kantiere të hapura.

Kryeministri Rama pohoi se bashkëpunimi me sektorin privat ka qenë zgjidhja e duhur për shumë vepra të rëndësishme në vend.  “Pa diskutim që ky është i vetmi mekanizëm. Sot pashë videon e re nga rruga e Arbrit, ajo është bërë spektakël, ka shkuar deri në gjysmë të rrugës. Është një fond që qeveria nuk e kishte, se po ta kishte do ta kishte bërë 30 vjet. Nga ana tjetër, këto nuk shikohen të veçuara. Sepse dikush mund të pyesë, pse nuk i keni ju 300 milionë? Por nuk janë vetëm këto që duhen, sepse janë dhe 1500 gjëra të tjera. Qeveria nuk i mbledh të gjitha në një vend. Ndërkohë që rruga e Arbrit mbaron brenda 2021 dhe ne shlyejmë deri në 2031, që do të thotë njerëzit 10 vjet e gëzojnë, ndërkohë që me atë lloj ritmi do të ishin dashur 13 vjet ta bënim. Këtu krijohet ideja se, kur këtu fton privatin, ai merr lekët e shtetit dhe ikën. Ai hedh lekët e veta për një periudhë kohe, sa të garantohet ai shërbim apo ajo vepër dhe publiku e përfiton pa asnjë shpenzim ekstra, ndërkohë që qeveria paguan pastaj me këste deri kur ta shlyejë dhe i kthehet në pronën e vet.